Ligjet që kuvendi ka miratuar për “Falimentin” dhe “Procedurat Tatimore”, përkeqësojnë klimën e biznesit dhe për këtë Partia Socialiste ka insistuar që ato të rikthehen edhe njëherë në komision e Ekonomisë për diskutim sëbashku me grupet e interesit.
Por nga ana tjetër kreu i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho tha se ligjet e miratuara janë të standardeve ndërkombëtare dhe barazojnë bizneset para ligjit.
Kryetarja e Grupit Parlamentar te PS-se, Valentina Leskaj, u shpreh sot per mediat, se “permes perfaqesuesve tane ne Komisionin e Ekonomise, por edhe dje ne seance, kemi kerkuar qe te kishte me shume kohe per diskutim dhe te reflektohen disa probleme qe krijon miratimi i ligjit te procedurave tatimore”.
Sipas saj, “fryma e nje legjislacioni kryesisht penalizues, qe rrit abuzivitetin, demton rende biznesin dhe zhvillimin ekonomik te vendit”.
Leskaj theksoi se Grupi Parlamentar i PS-se ka kerkuar qe biznesi te konsultohej me pare per kete ligj, "kjo per faktin se projekti i ardhur nga Qeveria, ka pesuar shume ndryshime ne Komisionin e Ekonomise, ndryshime te cilat nuk jane diskutuar me palet e interesuara".
Sipas kreut te komisionit te Ekonomise dhe Financave, ky ligj ka marre mbeshtetjen e plote te Bankes Boterore, FMN-se dhe Komisionit Europian. “Ligji eshte konsultuar per 6 muaj me radhe dhe ka respektuar vendimet e Gjykates Kushtetuese”, deklaroi Spaho.
Persa i perket ligjit per Falimentimet, Spaho u shpreh se “eshte nje nder kerkesat me te rendesishme e detyrat me madhore per krijimin e klimes se favorshme te biznesit në Shqipëri".
Spaho tha se projektligji është hartuar dhe mbështetur nga Komisioni Europian dhe është shqyrtuar hollësisht nga Doing Business, duke pasqyruar të gjitha sugjerimet e tyre.
Kujtojme se këto ligje u miratuan në seancën plenare të së enjtes në Kuvend pa pjesëmarrjen e opozitës.
Arben Malaj, deputet i PS-së është shprehur se ligji për falimentimin është i deformuar dhe u jep ju pushtet absolut tatimorëve.
BB: Ligji i falimentimit në Shqipëri më i keqi në botë
Sa i përket falimentit, ligji i ri i miratuar në Kuvend pa prezencën e opozitës parashikon shkurtimin e afatit të falimentimit nga 3 në dy vjet, në rast se për këtë periudhë kohore biznesi rezulton me borxhe ndaj shtetit dhe ndaj të tretëve.
Vendi i fundit për procedurat e falimentimit, asnjë biznes nuk ndjek procedurat
Sipërmarrësit vendës nuk kanë asnjë mundësi për të ndjekur një procedurë të drejtë të falimentimit të biznesit të tyre. Sipas raportit të Bankës Botërore edhe gjatë vitit 2007 nuk ka pasur asnjë rast të tillë, as për statistikat e këtij institucioni. Një situatë e tillë, sipas BB vlerësohet si një tregues i qartë i vështirësive në të cilat operon biznesi vendës. Një situatë e tillë, sipas raportit, bën që në shumë vende në zhvillim të ketë humbje të mëdha nga ana e një pjesë të pjesëmarrësve në sipërmarrje. Situata në Shqipëri, në këtë pjesë të rëndësishme të zhvillimit të sipërmarrjes, mbetet tepër e errët nëse e krahasojmë me të gjithë vendet e rajonit. Në një pjesë të vendeve të krahasueshme me Shqipërinë nga ana e BB, ka një standard tjetër të këtij procesi. Kohëzgjatja e procesit të falimentimit në vendet e rajonit shkon nga 2 deri në 3 vjet dhe pjesa e të ardhurave të kthyera nga ana e procesit të falimentimit shkon nga 15%, që është rasti i Maqedonisë, në 47% për Slloveninë. Vlera të larta në rezultat, për treguesin e të ardhurave të kthyera nga ana e procesit të falimentimi paraqet edhe fqinji ynë verior, Mali i Zi. Sipas raportit në këtë vend, sipërmarrjet që shkojnë në proces falimentimi rikuperojnë rreth 42,8% të të borxheve që kanë ndaj kreditorëve.
***
Sipas specialistëve të Bankës Botërore, mungesa e një procesi të mirë të mbylljes së një biznesi ka bërë që kapitali të orientohet keq në shumë raste. Nga ana tjetër, sipas raportit ky është faktor pengues për klimën e biznesit, pasi një pjesë e mirë e kredive në këto raste mbeten të pashlyera. Ligje të mira për falimentimin, rrisin lirinë ekonomike në vend dhe inkurajojnë sipërmarrjen, sipas specialistëve. Nga ana tjetër, kjo do të thotë më shumë investime dhe punësim.
Raporti i Bankës Botërore “Të bësh Biznes në vitin 2008” e vlerëson Shqipërinë si vendin me problemet më të mëdha në botë, për procesin e mbylljes së një biznesi. Kjo sipas ekspertëve të Bankës Botërore, ka dhënë edhe një ndikim të madh në rënien në disa shkallë më poshtë të vendit në listën e vitit 2008. “Kjo rënie në klasifikimin e vendit, realisht, ndodhi pjesërisht për shkak të korrigjimit të vlerësimit të procedurave për mbylljen e një biznesi. Meqenëse për asnjë firmë në Shqipëri nuk është përfunduar ende asnjë procedurë formale për shpalljen e falimentimit, në bazë të metodologjisë, raporti bëri një klasifikim nominal “pa praktikë” në vendin e 178-të, që pati ndikim të ndjeshëm në renditjen e përgjithshme të Shqipërisë. Pesë ekonomi janë prekur në të njëjtën mënyrë këtë vit”,- sqaron raporti i BB-së.