Kryeministri ka vazhduar premtimet e tij për rritje pagash dhe pensionesh në muajin korrik. Gjatë turit të tij nëpër shqipëri “Shqipëria në NATO” ai ka qenë sot në qytetin e Pogradecit. Në fjalën e tij ai premtoi se do të kompesojë rritjen e çmimeve, qindarkë për qindarkë, si për pensionistët ashtu edhe për buxhetorët, dhe njerëzit në nevojë.
Kryeministri Sali Berisha e ka deklaruar këtë edhe para disa ditëssh në takimet me Misionin e FMN-së, se "do të ndërhyjë për të zbutur efektet e inflacionit, duke rritur pagat, pensionet dhe ndihmën ekonomike", pa sqaruar detaje se sa do të jetë rritja. Deklaratat e z.Berisha vijnë vetëm pasi kreu i Misionit të FMN-së, Gerëin Bell i cili mbaroi një vizitë në Shqipëri deklaroi se, "buxheti i këtij viti nuk krijon shumë hapësirë për rritje pagash" dhe se "politika e qeverisë duhet të përqendrohet në rritjen e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë, gjë për të cilën buxheti aktual i ka kapacitetet".
Ekspertët dyshojnë se një rritje pagash në kushtet aktuale mund të sjellë rritje të mëtejshme të importeve dhe konsumit, duke rrezikuar stabilitetin financiar të vendit dhe duke prodhuar inflacion më të lartë. Në kundërshtim me këtë analizë, z.Berisha deklaroi se, "për të zbutur efektin e rritjes së çmimeve, do të ketë rritje të pagave".
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zv/ministri i Financave, z.Sherefedin Shehu deklaroi se, "Qeveria do të ndihmojë shtresat në nevojë, familjet që trajtohen me asistencë sociale dhe punonjësit buxhetorë me paga të ulëta, ndërsa po zhvillon një mekanizëm për kompensimin e rritjes së çmimeve kryesore, si dridhi". Pak muaj më parë,qeveria shpalli rritjen e pagave dhe pensioneve në nivelin 10%, por pas bisedimeve me FMN, nuk e ka përmendur më këtë premtim.
Kundërshtim ndaj FMN-së
Fondi Monetar Ndërkombëtar gjendet aktualisht në rolin e këshilluesit të qeverisë dhe nuk ka mjete presioni në dispozicion. Edhe më herët, gjatë dy viteve të fundit, qeveria ka refuzuar këshillat e FMN-së për një numër të madh çështjes, duke filluar nga mosvendosja e TVSH-së në ndërtim, deri te zbatimi i politikës së Taksës së Sheshtë dhe mosrritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Në vitin 1996, kundërshtimi i qeverisë së atëhershme për të vendosur TVSH-në në shitje, si dhe vendimi për rritje të ekzagjeruar të pagave dhe pensioneve, sollën vendimin e Bordit të FMN-së për të pezulluar misionin e saj në Shqipëri. Në atë kohë, mungesa e financimeve të huaja solli një situatë falimenti në buxhetin e shtetit, situatë që kulmoi me inflacion vjetor në masën 42% në vitin '97.
FMN mbyll misionin e mbikëqyrjes së hollësishme të Shqipërisë në fund të këtij viti dhe po i kërkon qeverisë të vetëpërmbahet në shpenzime buxhetore, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit. Vlerësohet se përmbajtja e deficitit buxhetor në 4% mund t'i japë vendit inflacion të ulët, ndërsa një deficit më i lartë, sjell rritje çmimesh. Deficiti i programuar nga qeveria këtë vit është 7.9%, ndërsa FMN kërkon që të reduktohet në 5.2% deri në dhjetor dhe në rreth 4% duke filluar nga viti i ardhshëm. Ulja e deficitit kërkon reduktim nga shpenzimet e planifikuara prej 242 milionë eurosh në buxhetin e këtij viti. FMN pritet të zëvendësohet si vlerësues i gjendjes ekonomike të vendit nga kompanitë ndërkombëtare të vlerësimit të rrezikut. Borxhi publik shqiptar u vlerësua nga "Moody's", kompani e mirënjohur në këtë fushë, me notën Ba1, e konsideruar si katër nivele poshtë një investimi normal.
Kryeministri deklaroi gjithashtu, se "ka nisur investimi prej 420 milionë dollarësh, për të ndërtuar 1500 kilometra rrugë rurale". Nuk është e qartë se nga do të dalin këto para. Një projekt i Bankës Botërore për rrugët rurale në Shqipëri, ka grumbulluar 56 milionë dollarë nga kreditorë të ndryshëm. Z. Berisha deklaroi se media po "përpiqet të mashtrojë shqiptarët me headline, tituj e nëntituj", duke konfirmuar edhe një herë ndjeshmërinë e tij ndaj artikujve të gazetave.