Një central bërthamor me pjesëmarrjen e të gjitha vendeve fqinje. Këtë ka propozuar sot në forumin e Crans Montanas, shefi i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, Ilir Zhilla. Sipas tij, ndërtimi i një centrali do të ishte me interes për Shqipëri, por ndërtimi i tij duhet të bëhet në formën e një bashkëfinancimi.
Ish-drejtori i KESH, Andis Harasani, tha se ndertimi i centralit berthamor eshte nje demagogji e Berishes. Ai tha se qeveria nuk ka bere deri tani asnje investim as ne TEC-in e Fierit i cili eshte gjysme i gatshem.
Mendimi i Prof.As.Artan Boriçi për centralet bërthamore
Të flasësh mbi instalimin e centraleve bërthamore është njëlloj sikur të flasësh për strategjinë e mbrojtjes kombëtare. Portofoli i mbrojtjes i vendeve të Aleancës Atlantike, në të cilën kërkojmë të aderojmë, është krejt i veçantë në rast të instalimit të centraleve bërthamore në territorin e tyre. Kjo për faktin e thjeshtë se shënjestra e parë e kundërshtarëve në një përballje të mundshme janë pikërisht instalimet strategjike që shkaktojnë dëme masive.
Prandaj, pyetja qendrore e debatit mbi instalimin e centraleve bërthamore në vendin tonë duhet të jetë: Sa është në gjendje Aleanca Atlantike të mbrojë instalimet bërthamore shqiptare?
Dihet se një goditje mbi centralet bërthamore do të sillte një rrezatim radioaktiv shkatërrimtar, me një rreze veprimi prej mijëra kilometrash. Në rastin e Shqipërisë, ky skenar do të thotë në praktikë anihilim kombëtar brenda një brezi. Sado joprobabël dhe i largët të duket ky skenar, ai mund të kthehet në tepër i afërt në një goditje terroriste ndaj interesave të Aleancës Atlantike, në një situatë krejt tjetër globale praj asaj që perceptohet sot.
Është e pritshme se anëtarësimi në NATO do na lejojë të futemi në kornizën mbrojtëse antiraketore të Aleancës, në veçanti edhe të atyre që mund të instalohen në Poloni. Por sa është probabiliteti i mos dështimit të sistemit mbrojtës antiraketore, në rast të goditjeve të njëkohshme edhe ndaj vendeve të tjera të Aleancës? Këtë e dinë ekspertët përkatës, por ajo që dimë ne, është se nuk mund të arrijë vlerën 100%! Shqipëria nuk mund të pranojë një vlerë mbrojtjeje më të vogël sesa kjo, në rastin kur diskutohet për të mbajtur apo jo në kurriz një kërcënim që nuk është i pranishëm sot!
Natyrisht, anëtarësimi në Aleancë përveç përfitimit, ka edhe çmimin e vet. Por, a mund të jetë çmimi më i lartë se vetë jeta? Në qoftë se jo, cili është çmimi që jemi të përgatitur për të paguar?
Në rast se një vend mik, fqinjë dhe aleat i NATO-s, i cili aq më tepër ndan edhe përgjegjësi historike mbi vendin tonë, kërkon që ekspozimin ndaj rrezikut bërthamor ta mbartë në një vend tjetër aleat, atëherë lindin disa pyetje. Pyetja më e thjeshtë, është përse një vend më i madh i Aleancës, me strukturë shumë të përparuar mbrojtjeje, nuk lobon tek populli i vet për një referendum të ri për praninë e centraleve bërthamore?
Shqipëria është e ndërgjegjshme se, për shkak të pozicionit gjeografik, duhet të luajë një rol të veçantë në NATO. Dhe ofertat nuk mungojnë: ajo ka ofruar kalimin e naftësjellësit AMBO në territorin e saj, naftësjellës, që edhe ky është në shënjestër të goditjeve të mundshme terroriste. Por në këtë rast, çmimi i këtij risku është proporcional me përfitimin. Përfituese e parë e këtij naftësjellësi, do të jetë padyshim Italia. Së dyti, Shqipëria po sakrifikon Gjirin e Vlorës, në emër të vendit fqinj. Së treti, Shqipëria është shprehur e gatshme të ndërtojë një TEC të madh në Fier, për t'iu përgjigjur nevojave për energji të vendit fqinj. Por, Shqipëria nuk mund të ekspozohet ndaj një risku, të cilin vendi fqinj nuk është në gjendje ta mbulojë për veten e vet!