Peqin- Një burrë i moshuar është gjetur i vdekur në trotuar, nga kalimtarë të rastësishëm. Ata kanë parë burrin të shtrirë përtokë pa shenja jete dhe kanë njoftuar menjëherë policinë. Ngjarja ndodhi në lagjen “Xhami”, ku banonte edhe i moshuari.
Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale bëhet me dije se viktima është Hasan Kripa, banor i Peqinit. “Shtetasi Hasan kripa, 77-vjeç është gjetur pa jetë nga kalimtarë të rastit pas mesnate”- thanë burimet policore, të cilat nuk dinë ende të thonë detaje të plota rreth ngjarjes.
Nga konstatimi i trupit, mësohet se nuk ka pasur asnjë shenjë dhunë, apo goditjeje të jashtme. Në afërsi të trupit, është gjetur një shishe me alkool dhe mbi bazën e këtij fakti, policia dyshon se vdekja mund të ketë ardhur nga konsumimi i tepërt i alkoolit.
Pistë tjetër në hetim mbeten edhe temparaturat e larta, të cilat mund të jenë bërë nxitëse të një ataku në zemër.
Por, të gjitha këto mbeten dyshimet dhe pistat e para, pasi trupi është dërguar në morg dhe përgjigja zyrtare nga policia do të jepet pas përfundimit të autopsisë.