Tiranë- Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Ylli Kelmendin, dëshmitarin e vrasjes së Fatmir Ramës, njohur edhe si Miri i Xhikes.
Ai u ndalua nga policia një ditë më parë, teksa refuzoi kontrollin e policisë.
Sipas burimeve zyrtare mësohet se ndaj tij, rëndon akzua e armëmbajtjes pa leje dhe ajo e kundërshtimin dhe goditjes së punonjësit të policisë.
Ylli Kelmendi, 44-vjeç, është prangosur në orët e para të ditës së djeshme në qendër të Tiranës pasi po lëvizte me pistoletë. Kelmendi nuk ka pranuar të kontrollohet nga policia ndaj dhe ka goditur dy prej tyre. Përforcimet në radhët e policisë kanë çuar në kontrollin dhe gjetjen e pistoletës që mbante Kelmendi duke e çuar më pas atë në qeli.
Ka qenë ora 1:30 e mëngjesit të djeshëm kur Ylli Kelmendi po lëvizte në këmbë në rrugën “Xhorxh Bush”, në afërsi të Kuvendit në Tiranë. Ai është përballur me punonjësit e patrullës së përgjithshme të cilët i janë afruar me qëllim ushtrimin e kontrollit fizik.
44-vjeçari ishte arrestuar edhe më parë për armëmbajtje pa leje, gjë e cila ka bërë që policia të dyshojë se ai qarkullonte i armatosur ndaj dhe ka insistuar në kontrollin e tij. Sapo ka mësuar se policët kërkonin të ushtronin kontroll fizik, Kelmendi ka reaguar ashpër ndaj tyre. Ai ka refuzuar kontrollin, dhe ka nisur të debatojë me punonjësit e policisë të cilët nuk janë tërhequr.
Por kjo gjë u ka kushtuar disa grushte dy punonjësve dhe për pasojë kanë marrë plagë të lehta. Këta të fundit kanë lajmëruar grupin e gatshëm të komisariatit të policisë nr.1 të cilët mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes. Forcat e policisë mundën të zaptonin 44-vjeçarin dhe gjatë kontrollit atij iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë tip- TT, me një krehër me 7 fishekë, të cilën e mbante pa leje.
Burimet policore thanë se dy punonjësve të policisë të dëmtuar nga Kelmendi iu dha menjëherë ndihma mjekësore dhe vendim ekspertimi mjeko- ligjor. Ndaj Ylli Kelmendit i cili ishte dëshmitari kryesor në vrasjen e shokut të tij Fatmir Rama disa vite më parë, u mor masa e arrestit për veprat penale të “Kundërshtimit të punonjësit policisë së rendit publik” dhe të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.