Korçë-Ka dashur të pinte raki, por ka ngatërruar shishen e rakisë me atë të pesticideve bujqësore dhe tani ndodhet në rrezik për jetën.
Ngjarja ndodhi në një fshat të Devollit, ku shtetasi Refik Mullixhiu 50-vjeç, nuk është treguar i kujdesshëm teksa ka zgjatur dorën për të marrë shishen e pijes.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se ai ka dashur të pijë raki, pa e hedhur në gotë, por direkt nga shishja. Në këtë veprim ka qenë i pafat, pasi nuk ka arritur të bëjë dallimin mes dy shisheve që kanë qenë pranë njëra-tjetrës.
Policia lokale, që ka nisur hetimet rreth kësaj ngjarjeje ka bërë me dije se 50-vjeçari është gjetur nga familjarët në gjendje shumë të rëndë dhe është transportuar me urgjencë për në spital. Fillimisht ai është dërguar në spitalin e Devollit.
Mjekët që janë marrë me të helmuarin shprehen ende të pasigurtë për jetën e tij. “Ai ka mbërritur në gjendje të rëndë për jetën, pasi sasia e pesticidit bujqësor që ka gëlltitur ka qenë jo e vogël dhe duket se ka vepruar menjëherë në organizëm”- thonë mjekët.