Një ditë pasi Parlamenti i Maqedonisë ratifikoi Marrëveshjen e nënshkruar midis Shqipërisë dhe Maqedonisë për një regjim të liberalizimit të plotë të lëvizjes së qytetarëve të dy vendeve, duke plotësuar kështu procedurat parlamentare reciproke për hyrjen në fuqi të saj, presidenti Bamir Topi ka përshendetur vendimin e marrë.
Ai ka shprehur besimin se aplikimi i kësaj marrëveshjeje do të japë produkte të konsiderueshme pozitive për shtetasit e të dy vendeve tona.
Presidenti i Republikës e konsideron këtë marrëveshje si reformën më të thellë në sistemin e lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitaleve dhe të mirave materiale midis vendeve tona, si fryt i përpjekjeve tona integruese dhe si pjesë e rëndësishme e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Lëvizja e lirë, sipas Topit, është guri i provës së lirisë, së demokracisë, i çlirimit përfundimtar nga izolimet ideologjike, hapi i njohjes së ndërsjellë të popujve të Ballkanit Perëndimor, është ndarja përfundimtare nga paragjykimet nacionaliste e etnike, është sistemi më demokratik i shkëmbimit të vlerave kombëtare, historike dhe turistike, është themeli i shëndoshë për ndërtimin e një rajoni të begatë dhe të zhvilluar për të gjithë popujt e tij.
Ai përshëndet autoritetet e larta politike maqedonase dhe rolin konstruktiv e aktiv të partive politike shqiptare në Maqedoni, gjatë këtij procesi dhe inkurajon forcimin e dialogut në funksion të interesave të qytetarëve.
Sot në mëngjes, sipas zyrës së shtypit, mësohet se Presidenti Topi i telefonoi Presidentit Cervenkovski për të shprehur qëndrimin e tij vlerësues ndaj këtij hapi cilësor në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, si shprehje e vullnetit reciprok për të intensifikuar tërësinë e raporteve dypalëshe. Ndërkaq, e siguroi Presidentin maqedonas se Shqipëria është e palëkundur në parimet e politikes së saj rajonale dhe ato të integrimit euroatlantik, si e vetmja rrugë për integrimin e shpejtë të vendeve tona dhe të gjithë rajonit.