Tiranë- Policia e Tiranës ka ndaluar një 32-vjeçar nga Berati, i shpallur në kërkim nga policia për 'trafikim dhe përdhunim të të miturve'.
Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë bërë me dije se arrestimi është frut i një operacioni të ndërmarrë orët e fundit, ndërkohë që ai ka qenë prej kohësh në kërkim për akuzat që rëndojnë mbi të.
“Maltin Kanani, 32 vjeç, nga Berati u ndalua gjatë një operacioni të ndërmarrë orët e fundit, në afërsi të ish- Shkollës së Bashkuar, në kryeqytet"- thanë burimet nga prokuroria.
Sipas policisë, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendim të datës 24 Maj 2008, ka vendosur ndaj 32-vjeçarit Kanani masën e sigurisë "arrest në burg", për veprat penale të "trafikimit të të miturve" dhe të "marrëdhënies me dhunë me të mitur", më shumë se një herë.
Për hetime të mëtejshme në ngarkim të tij, dosja i është dorëzuar Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat.