Elbasan- Dy vetëvrasje janë regjistruar në harkun kohor të 24 orëve në Elbasan, kur dy shtetas i kanë dhënë fund jetës duke u vetëvarur.
Genta Ç., 23-vjeç e martuar, pa fëmijë është gjetur e vetëarur në banjën e banesës së fqinjit të saj. Gruaja është gjetur në fund të jetës nga familjarët, të cilët kanë bërë edhe transportin për në spital, por 23-vjeçarja nuk ka mundur të mbijetojë duke gjetur vdekjen.
Nga të dhënat e para hetimore, mësohet se e reja dyshohet se ka pasur probleme me bashkëshortin e saj dhe për këtë arsye ka kryer edhe vetëvrasjen. Gjithsesi rrethanat pritet të zbardhen nga hetimi i filluar për këtë ngjarje.
Ndërkohë një 49-vjeçar ka shfrytëzuar korridorin e shtëpisë së prindërve të tij në Joronisht të komunës Zavalinë, për t’i dhënë fund jetës me anë të lakut të litarit.
Jakov Kushta, 49-vjeç është gjetur i vetëvarur nga nëna e tij.
Viktima jetonte në fshatin Gjergjan të rrethit të Elbasanit. Dyshohet se problemet ekonomike dhe sherret në familje kanë çuar drejt vetëflijimit këtë shtetas. Ndërkohë që policia vijon hetimet për të hedhur dritë rreth ngjarjeve, sociologët theksojnë me shqetësim fenomenin në rritje, kur për arsye të ndryshme shtetasit i japin fund jetës.