Sarandë- Një grua rezulton e prekur me sëmundjen e plasjes, apo njohur ndryshe si Antraksi. Gruaja, 63-vjeçare ka mbërritur sot në spitalin rajonal “Petro Nako” në Sarandë, në gjendje shëndetësore të rënduar. Sipas mjekëve, gruaja është banore e fshatit Kulluricë të Komunës së Livadhjasë.
Nga të dhënat e vetë pacientes, asaj fillimisht i është shfaqur një njollë e zezë në nj nga gishtat e dorës, por ajo nuk i ka kushtuar rëndësi. Por pas disa ditësh ka ndjerë përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe pas frikës për ndonjë sëmundje të rrezikshme i është drejtuar spitalit.
Aktualisht ajo është nën trajtimin e mjekëve dhe po mjekohet për sëmudjen, që cilësohet e rrezikshme dhe me pasoja të rënda nëse nuk kapet në kohë.
Sëmundjae plasjes transmetohet nga bagëtitë tek njeriu përmes produkteve blegtorale të konsumuara. Një rrezik po kaq të madh paraqesin edhe jashtëqitjet, të cilat depozitohen pranë vathës së bagëtive, por edhe vapa, e cila favorizon zhvillimin dhe përhapjen e sëmundjes përmes insekteve të shtuara në këtë stinë.
Sipas burimeve nga urgjenca e spitalit, ky është rasti i dytë që po trajtohet brenda këtij viti.