Tiranë- Gjykata e Krimeve të Rënda bëri sot verifikimin e masës për pesë të pandehurit e arrestuar pak ditë më parë gjatë operacionit "Butrinti", të cilët akuzohen për veprën penale "dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit" .
Sipas gjykatës, për katër nga të pandehurit, Resul Çela, 42-vjeç nga Lushnja; Bardhi Proda, 38-vjeç, nga Saranda; Irfan Dalipaj, 47-vjeç, nga Tirana dhe Nino Tushe, 38-vjeç, nga Gjirokastra, u vendos masa e sigurisë "arrest me burg".
Mbi ta rëndojnë veprat penale "dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit " si grup i strukturuar kriminal.
Ndërkohë që për Pëllumb Gurin, 35-vjeç, nga Lushnja është caktuar masa "arrest shtëpie" për arsye shëndetësore. Këta shtetas akuzohen se trafikonin klandestinë nëpërmjet tokës dhe detit, nga Shqipëria në Greqi dhe më pas në shtete të tjera të Europës, duke operuar në linjat: Tiranë -Elbasan -Korçë, Tiranë Fier-Gjirokastër dhe Tiranë-Fier-Vlorë -Sarandë.
Sipas hetimeve, ata përfitonin 3000 euro për çdo person. Në momentin e arrestimit pesë të dyshuarve u janë sekuestruar 3 automjete, me të cilët bëhej transporti i klandestinëve.