Tiranë- Një varr ku të qajnë njeriun e tyre dhe zbardhjen e së vërtetës rreth zhdukjes enigmatike, kanë kërkuar sot në senacën e radhës gruaja dhe djali i Remzi Hoxhës, Sefdije dhe Ardian Hoxha.
Me cilësinë e dëshmitarit në seancë ata kanë dhënë versionin e tyre të historisë, duke shprehur hapur pakënaqësinë.
“E dimë që shteti e ka rrëmbyer, por deri më sot askush nuk na ka dhënë shpjegime rreth mënyrës, kush e ka bërë, për çfarë arsyesh dhe në çfarë mënyre”- ka thënë gjatë dëshmisë së saj gruaja e remzi Hoxhës.
Ajo, së bashku me të birin kanë treguar se megjithë kërkesat e tyre të vazhdueshme dhe përpjekjet e gjithëfarshme për të mbërritur në të vërtetën nuk janë ende të informuar. Sipas saj, SHIK-u i Gazidedes nuk i ka pritur asnjëherë, madje as Berisha.
“Ne nuk duam të hakmerremi, duam thjesht të dimë ku ta qajmë. Duam një varr për të”- kanë thënë familjarët në seancën e sotme.
Vendimi për t’i pranuar ata në cilësinë e dëshmitarit u mor në seancën e shkuar, në ngarkim të Arben Sefgjinit, Avni Koldashit dhe Ilir Kumbaros, kur ishte radha e mbrojtjes për të bërë deklaratat e tyre.
Në atë senacë, avokati mbrojtës i Sefgjinit tha ato që kishte deklaruar edhe më parë, duke pretenduar se dojsa që po hetohet u rihap për shkak të lojërave politike dhe se prokuroria nuk ka asnjë provë në ngarkim të klientit të tij.
Vetë Koldashi bëri një deklaratë ku ka thënë se është i pafajshëm, nuk ka torturuar njeri dhe ka zbatuar vetëm urdhrin.
Sefgjini, Koldashi, Meçe akuzohen për përfshirjen në zhdukjen e biznesmentit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha.