Tiranë- Presidenti i Republikës, Bamit Topi ka dekretuar sot ndryshimet në qeverinë “Berisha”.
Sipas burimeve, mësohet se presidenti ka dekretuar shkarkimin e Genc Pollos nga posti i ministrit të Arsimit dhe emërimin e tij në detyrën e zëvendëskryeministrit.
Po sot, Topi dekretoi propozimin e kret të qeverisë, Sali Berisha, për Anila Godon në pozicionin e ministres së Shëndetësisë dhe Fatos Bejën në krye të dikasterit të arsimit.
Vetëm dy ditë më parë, kryeministri Sali Berisha i propozoi Presidentit të Republikës Zotit Bamir Topi, emërimin në postin e Zëvendëskryeministrit të Zotit Genc Pollo dhe lirimin e tij nga posti i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
Gjithashtu, Berisha i propozoi Presidentit Topit, emërimin në postin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës të Zotit Fatos Beja, Dr. i Shkencave Filologjike, si dhe emërimin në postin e Ministres së Shëndetësisë të Prof. As. Dr. i Shkencave Zonjën Anila Godo dhe lirimin nga kjo detyrë të zotit Nard Ndoka.
Negociatat
Kur thuajse shumica e deputetëve të PD-së prisnin surpriza vetëm në muajin Shtator, dy ditë më parë, Berisha priti në selinë e Kryeministrisë, kryetarin e PDR-së, Genc Pollo dhe nënkryetarin e kësaj partie, Tritan Shehu. Gjatë bisedës, Berisha i propozoi Pollos postin e Nr.2 të qeverisë, pas 3 vjetësh në detyrën e Ministrit të Arsimit. Pollo, i cili ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Berishës gjatë kohës që ai ishte President, e ka pritur ofertën për të qenë tashmë zëvendësi i tij në qeveri. Pas kësaj lëvizjeje, Kryeministri ka zëvendësuar menjëherë Pollon, në Ministrinë e Arsimit, me Fatos Bejën. Ky i fundit, gjatë takimit që Pollo po zhvillonte në Kryeministri, po votonte në mbledhjen e Byrosë Parlamentare, pro marrjes së masave ndëshkuese ndaj deputetit Taulant Balla. Fatos Beja është nën/kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i Komisionit të Ligjeve.
Shëndetësia
Ndërsa kandidaturën e republikanëve për Ministrinë e Shëndetësisë, shefi i qeverisë e ka pasur gati. Anila Godo ishte kandidatura e PR-së për të zëvendësuar Nard Ndokën. Por ky i fundit, deri dje në mesditë nuk ishte në dijeni të lëvizjeve të Kryeministrit. Madje Ndoka, si kryetar i një prej partive kryesore aleate të PD-së, nuk kishte pasur asnjë bisedë me Berishën. Kjo situatë paralajmëronte deri dje në mbrëmje, mbetjen jashtë qeverisë të demokristianëve, ndërsa lëvizja e shefit të qeverisë u bë një ditë pas krijimit të grupit parlamentar të “Qendrës”, ku në shumicë janë deputetët e përjashtuar nga PS, të cilët nuk e kanë fshehur mbështetjen që do i japin qeverisë së djathtë më vota në Parlament.