Partia Socialiste ka kërkuar sot nga Prokuroria të fillojë çështjen penale për shpërdorim të detyrës ndaj kryeministrit dhe qeverisë. Sipas deputetes së PS-së, Rajmonda Stefa, shkak është bërë dalja e vendimit të qeverisë për ligjin e barnave, ndërkohë që parlamenti këtë projektligj e ka ende në diskutim.
“Në një kohë që ne diskutuam ligjin del fakti tronditës që qeveria më datë 18.06. 2008
kishte nxjerrë vendimin e Këshillit të Ministrave në zbatim të këtij ligji. Pra, ligji është akoma në kalendarin e punimeve të Kuvendit, ndërkohë që VKM ka 45 ditë që ka dalë”- ka Stefa gjatë një deklarate për shtyp, duke iu referuar projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9323, datë 25.11.2004, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar.
Ajo ka theksuar se ligji është ende në kalendarin e punimeve të Kuvendit, ndërkohë që VKM-ja ka 45 ditë që ka dalë, duke e quajtur këtë krejtësisht antikushtuetuese.
Të tilla krime antikushtetuese dhe antiligjore, sipas saj, mund t’i dëgjosh të aplikohen në Republikën e bananeve, jo në një vend i cili ka marrë ftesën për në NATO dhe kërkon të aplikojë për t’u bërë anëtare e BE, një vendi që pretendon të ndërtojë shtetin e së drejtës.
“Unë dua të denoncoj para jush shkeljen kushtetuese të bërë në mënyrë kolegjiale nga Këshilli i Ministrave dhe t’i kërkoj organit të Prokurorisë, Prokurores së Përgjithshme të fillojë çështjen penale për shpërdorim të detyrës ndaj kryeministrit dhe qeverisë”- tha ajo.