Marte, 09 Shkurt 2010 14:13:05

Lexoni versionin Print

Mediu-Delijorgji, vilat ngjitur në Golem

Rruga ndanë Malit të Robit, prej kohësh nuk të çon më drejt një gjiri të virgjër, veshur prej kurorash pishe. Zona më e preferuar në bregdetin e Adriatikut përngjan me një kantier të vërtetë ndërtimi.

Lindita Çela
Enjte, 07 Gusht 2008 09:11:00

REPORTAZH/ Udhëtim në fshatin e rrethuar turistik, ku i kalojnë fundjavat një pjesë e ministrave të qeverisë “Berisha”

Mali i Robit, “oazi” i qeveritarëve buzë Adriatikut

 KAVAJË- Rruga ndanë Malit të Robit, prej kohësh nuk të çon më drejt një gjiri të virgjër, veshur prej kurorash pishe. Zona më e preferuar në bregdetin e Adriatikut përngjan me një kantier të vërtetë ndërtimi. Ekskavatorët dhe makinat e ngarkuara me materiale inerte krijojnë shtëllunga aq të mëdha pluhuri, sa që çdo objekt të duket pjellë e tymnajës: edhe plazhistët që të shoqërojnë përgjatë rrugës e që kalojnë ditën duke u nxirë në diell. Pak më tutje, hyn në zonë të ndaluar. E gjithë hapësira e dy fshatrave më të njohur turistikë është e rrethuar prej muresh. Pikërisht këtu, në mes të plazhit më të populluar e të zhurmshëm të vendit është ngritur “oazi” ku i kalojnë fundjavat një pjesë e mirë e qeveritarëve tanë.

Nëse nuk njeh ndonjë banor të zonës, është krejt e pamundur të futesh në tokën e fshatrave turistikë në Malin e Robit. Roja që qëndron tek dera kërkon të dijë me saktësi çdo lëvizje tënden. Në fakt, pjesa më e madhe e vilave në fshatin më të fundit turistik tek Mali i Robit është ende e papërfunduar. Gjithkund punohet për t’i dhënë dorën e fundit vilave trekatëshe. Na duhet shumë të bindim disa punëtorë të na rrëfejnë, por më në fund ia dalim. Kanë muaj që punojnë për ndërtimin e vilave trekatëshe dhe syrit të tyre nuk u ka shpëtuar asnjë lëvizje e “të mëdhenjve”.

Nga ajo që na tregojnë, duket se bashkëjetesa mes qeveritarëve tanë dhe punëtorëve të krahut është aq e gjatë, saqë këta të fundit njohin itinerarin e lëvizjeve të tyre. Të tregojnë me saktësi vilat e ministrave apo ish-ministrave, si dhe njohin kohën më të preferueshme që ata zgjedhin për të kaluar në vilat e tyre në Malin e Robit. Por në këtë bllok të veçantë banimi, punëtorëve duket se ua kanë tërhequr vëmendjen vilat njëra pranë tjetrës të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe të akuzuarit tjetër për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgji.

Në këtë fshat turistik ku ndërtohet me shpejtësi, vilat e Mediut dhe të Delijorgjit janë krejtësisht të përfundura. Nga ajo sa thonë punëtorët, vilat janë frekuentuar gjatë kësaj vere nga familjarët e tyre, ndërkohë që ndërtesat mbahen si më të bukurat në tërë zonën. Por nuk janë të vetmit njerëz publikë që punëtorët identifikojnë në këtë fshat turistik. Ata na përmendin disa ministra të qeverisë “Berisha” si dhe persona të tjerë publikë, të cilët i kalojnë fundjavat në këtë fshat turistik. Rreth një vit më parë, kryeministri Sali Berisha pohoi në një mbledhje të KRRTRSH-së se këto vila i ka blerë borgjezia shqiptare, ndërsa sot mësojmë se brenda tyre i kalon pushimet borgjezia e re, e krijuar prej qeverisjes së kryeministrit.


Deklarata e Berishës e 27 tetorit 2007

“Këto janë blerë në kundërshtim me ligjet dhe kompanitë i kanë shitur në kundërshtim me ligjin”,-ka deklaruar kryeministri Berisha, për fshatrat turistikë në Golem. Ndërkohë që në zonën e mbushur me fshatra turistikë, asnjë nga pronarët e këtyre fshatrave, nuk ka ruajtur destinacionin për të cilin e ka marrë lejen e ndërtimit. Të gjitha ndërtimet e kryera brenda fshatrave turistikë janë shitur, po sipas kontratës së bërë nga shteti me ndërtuesin, për një periudhë prej 99 vjetësh. Pra secili nga blerësit, është pronar për një afat të tillë, e pas kësaj, të gjithë janë në pritje të një zgjidhjeje ligjore për të marrë në pronësi shtëpitë dhe vilat që kanë blerë.


--------------------------------------------

Në fshatin turistik të Malit të Robit, godinat që bien më shumë në sy janë ato të dy të akuzuarve për tragjedinë e Gërdecit

Rastësi apo jo, ekzistenca e dy vilave në një vend nuk do të binte në sy nëse nuk do të kishte ndodhur tragjedia

KAVAJË- Vilat e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe të arrestuarit Mihal Delijorgji qëndrojnë krah njëra-tjetrës. Pronësia e dy prej godinave më të bukura në fshatin turistik të Malit të Robitbëhet e ditur nga banorët e zonës si dhe nga punëtorët e ndërtimit, të cilët prej kohësh kanë parë që të kalojnë fundjavat, në një distancë të vogël Fatmir Mediun dhe Mihal Delijogjin. Koincidencë apo jo, ezistenca e dy vilave në një vend të përbashkët për këta dy persona nuk do të binte në sy nëse nuk do të kishte ndodhur tragjedia e 15 marsit në Gërdec. Pas kësaj tragjedie, në këtë fshat turistik kanë nisur komentet ndoshta dhe për faktin se Delijorgji është ndër personat e arrestuar për këtë ngjarje, ndërsa Fatmir Mediu është nën hetim.

Mund të konsiderohen pa frikë vilat më të bukura të kompleksit turistik që ndodhet në zonën e quajtur Mali i Robit. Ndërtesa trekatëshe, e veshur me mermer më së shumti të bie në sy për pishinën që e ndan vetëm pak metra rërë nga deti. I përket Mihal Delijorgjit, një prej personave të arrestuar për tragjedinë e Gërdecit, ku shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve shkaktoi 26 të vdekur dhe qindra të plagosur. Gjithkush që banon në këtë zonë, e njeh Delijorgjin si pronar të vilës trekatëshe.Është mesi i ditës dhe dielli djeg edhe në këtë zonë, ku nuk mungojnë hijet e pishave.

Banorët në vilën trekatëshe prej mermeri janë duke shfrytëzuar pishinën për t’u freskuar. “Janë pjesëtarët e familjes së Delijorgjit, që i kalojnë këtu fundjavat”,- na thotë shoqëruesi ynë, ndërsa qëndrimi në prag të derës i të zotëve të shtëpisë nuk duket aspak mikpritës. Vetëm pak metra rrugë e ndajnë nga një tjetër vilë trekatëshe, ku gjithkush të thotë se i përket ish- ministrit Fatmir Mediu. Sipas banorëve, Mediu ka kaluar shpesh fundjavat në këtë vilë, që prej ditës që ajo ka përfunduar. Dyert e vilës janë të mbyllura, ndërsa veshja e mureve të jashtme me dru e bëjnë më të dallueshme këtë godinë të bardhë.

Në fakt, askund nuk është shkruar zyrtarisht se këto prona u përkasin Mediut apo Delijorgjit. Në zyrën urbanistike të komunës Qerrettë thonë se nuk disponojnë asnjë dokumentacion për pronësinë e vilave në fshatin turistik pranë Malit të Robit.I vetmi fakt që të vënë në dispozicion është se për ndërtimin e këtij fshati ka leje të miratuar nga KKRTSH-ja, që është e vlefshme për 99 vjet. Në listën e pasurive të Delijorgjit, të sekuestruara paraprakisht nga prokuroria nuk ekziston kjo vilë 3-katëshe, ndërsa në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë mësojmë se Mediu ka deklaruar kohë më parë një vilë në Durrës. Jo shumë kohë më parë, banorët e Qerretit protestuan për “zaptimin” e tokave nga pushtetarët, ndërkohë që çmimet e tokës në zonën e njohur si Mali i Robit kanë kapur majat. Një metër katror tokë në këtë zonë shitet për 1200 euro, para që duket se nuk kanë për të shkuar kurrë në xhepat e pronarëve të vërtetë të tokës në këtë zonë.


---------------------------------------------

Intervista/Një nga punëtorët e sigurisë së fshatit turistik rrëfen për banorët VIP që i kalojnë fundjavat buzë Adriatikut

Roja private: VIP-at që kanë vila në këtë fshat turistik

KAVAJË- E gjejmë të ulur në hijen e një pishe dhe më shumë se sa puna, është uniforma e rëndë prej punonjësi të policisë private që i rëndon në këto ditë të nxehta gushti. Është një ndër punonjësit që garanton sigurinë në fshatin e fundit turistik tek Malil i Robit. Ai ka kohë që punon në këtë zonë, ndaj dhe njeh çdo banor që vjen në fshatin ku ende vazhdojnë ndërtimet, kryesisht në pjesën e brendshme të vilave trekatëshe. Pranon të na udhëheqë, vetëm pasi sigurohet se nuk do t’i publikohet emri, çka mund të bëhej shkak për daljen e tij pa punë. Në një intervistë për “Shekullin”, njëri nga punëtorët e sigurisë rrëfen kohën e ndërtimit të vilave si dhe ditët kur ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i kalonte në kompleksin turistik të Malit të Robit.

A mund të na thuash se kujt i përket kjo vila që ende nuk ka përfunduar?

Është e Krenarit, por nuk e ka komplet të tërën, vetëm gjysmën. Ka kohë që po punon për ta përfunduar.

Po kjo tjetra me pishinë, kujt i përket?

Kjo vila këtu, e bardha është e Mihal Delijorgjit. Nuk ka shumë që janë futur brenda, ndërsa tani familja e tij gjendet aty. Këtu e kalojnë pjesën më të madhe të kohës. Ndërtimi kishte vite që kishte nisur, por tani vonë ekanë përfunduar.

Më kanë thënë që këtu e ka vilën edhe ish-ministri i Mbrotjes, Fatmir Mediu. A e keni parë atë të pushojë këtu?

Mediu e kapak më tutje që këtu.Është vila e fundit, tek ky rresht, afër atyre ndërtesa me ngjyrë të kuqe. Dëgjo, jemi pak në telashe me këto muhabete, sepse nuk më njeh adhe as nuk të njoh, por nuk dua të kem telashe. Kuptoje pak muhabetin, se këto janë gjëra me zarar dhe ai robi është “kokë”,ndaj dhe nuk dua të kem probleme.

Ka kohë ka që ka përfunduar vila e tij?

Po, ka ca kohë. Përgjithësisht fundjavave e kemi parë Mediun këtej.

A janë të regjistruara në hipotekë këto vila?

Ne me hollësi nuk e dimë mirë se si janë punët. Por ajo që dimë, është se kujt i përkasin vilat dhe kush banon këtu, pasi rrimë gjithë ditën dhe i kemi parë. Sesi janë punët me letra, ne nuk dimë gjë.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Vila e të akuzuarit për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgjit

Maqedoni, liderët e partive në takim për zgjedhjet e marsit

09/01/09 08:22:00 | Katër partitë më të mëdha politike në Maqedoni sot do të..

Një termet 4.5 ballë bie në Maqedoni, ndjehet edhe në Tiranë. S’ka dëme

08/01/09 17:17:00 | Një tërmet me fuqi rreth 4,5 ballë sipas shkallës Rihter goditi..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML