Tiranë- “Berisha po sillet si kryekomunar për të fshehur dështimet e qeverisë”. Kështu është shprehur sot, nënsekretari për programin politik në PS, Ervin Bushati, i cili e ka cilësuar kreun e qeverisë, “periferik”.
“Prej disa javësh, kemi parë kryeministrin “ periferik” Berisha duke bërë inaugurime lart e poshtë nëpër Shqipëri të ndonjë çezme apo të ndonjë kanali të ujërave të zeza. Shqiptarët e kanë zgjedhur Sali Berishën Kryeministër dhe jo Kryekomunar. Ai, si kryeministër i vendit, duhet të përballet me problemet e vërteta në jetën e shqiptarëve si; papunësinë, varfërinë, edukimin, bujqësinë, shëndetësinë”- tha Bushati gjatë një deklarate për mediat.
Bushati i ka kujtuar Berishës se suksesi ka qindra baballarë, kurse dështimi mbetet jetim. Ky, sipas tij, është rasti tipik i kryeministrit tonë, i cili prej javësh nxiton të birësojë sukseset sporadike të ndonjë drejtuesi të pushtetit lokal, ndërkohë që dështimet madhore të tij, i injoron në mënyrë konstante duke i lënë jetim.
“Në vend që të “birësojë” suksesin e disa fermerëve të palodhur, “Kryekomunari” Berisha duhet të saktësojë para shqiptarëve se si lidhen premtimet dhe demagogjia e tij me shpërndarjen e fondeve nga buxheti i shtetit për bujqësinë”- tha ai, duke shtuar se fondet e subvencioneve në bujqësi janë duke u shpenzuar për militantizëm dhe militantë, gjë që theksohet si shqetësim dhe në raportin e fundit të Bankës Botërore për sektorin bujqësor.
Ai ka theksuar më tej se bujqësia ka nevojë për strategji reale, ka nevojë për veprime dhe plan masash konkret për ndërhyrje; nuk ka nevojë për të dëgjuar demagogjinë boshe për rritje të eksporteve. “Ndërkohë që të gjithë e dimë mirë, që perimet dhe frutat që konsumojmë i marrim jo vetëm nga fqinjët tanë por dhe prej përtej kontinentit”- përfundoi Bushati.