Tepelenë- Në vijim të operacioneve të zhvilluara ditët e fundit si “Asgjesimi” dhe “Era e Malit” , sot policia ka organizuar një kontroll në territorin e komunës Krahës dhe Lopës Tepelenë, për evidentimin dhe shkatërrimin e parcelave të mundëshme të mbjella me bimë narkotike.
Si rezultat i këtij kontrolli u bë e mundur evidentimi i një parcele në anën e Lumit Vjosë midis fshatit Shehaj të komunë Krahës dhe fshatit Dorëz të komunës Lopëz.
“Parcela ishte e hapur rishtas për kultivim të bimëve narkotike, në mes të rrepishteve dhe në këtë parcelë u evidentuan 1012 rrënjë bimë narkotike të dyshuara si Kanabis Sativa”- thanë burimet policore, duke saktësuar se bimët varionin nga 180 centimetra të larta deri në 220 centimetra.
Në momentin e mbritjes së policisë në parcelë nuk është gjetur asnjë shtetas që mund të ishte autori i mundshëm i kultivimit.
Bimët janë asgjësuar në vend me anë të djegies, ndërsa disa prej tyre janë marrë në cilësinë e provës materiale. Po punohet për evidentimin e autorit dhe kapjen e tij.