Enjte, 04 Dhjetor 2008 23:27:39

Lexoni versionin Print

Veliaj: Berisha, plak demode me retorikë boshe

Enjte, 07 Gusht 2008 17:24:00

 

 

Z.Veliaj, javën e kaluar u zhvilluan zgjedhjet në Komunën e Kasharit. Si e komentoni fitoren e PD?

E komentoj si mashtrimin trashanik të rradhës të Partisë Demokratike të cilin nuk e beson askush, e para ajo vetë. Mund të ndodhi që të gënjesh dhe të skuqesh, të humbësh dhe të heshtësh, të vjedhësh dhe të kesh turp. Partia Demokratike e Sali Berishës, si kudo dhe kurdoherë në tërë këto vite, i bën të gjitha këto prapësi, gënjen, humb, vjedh, por as nuk skuqet, as nuk hesht, as nuk ka turp. Përkundrazi, në vend që të skuqet nxihet, në vend që të heshtë bërtet, në vend që t'i vijë turp mburret. Në Kashar Partia Demokratike vërtet pati një fitore. Por tepër relative dhe absolutisht të diskutueshme. Sepse fitorja, nëse mund të quhet e tillë, ishte thjesht numerike. Asnjë ideologji. Asnjë platformë. Asnjë transparencë. Vetëm konkurrencë numerike në natyrë individësh dhe klanesh. Pa asnjë domethënie interpretative. Le pastaj të mendosh se votat e së Majtës e cila kandidoi veç-e-veç në Kashar janë dukshëm më tepër se të Djathtës që kandidoi e bashkuar. Ky fakt, pra mënyra e kandidimit të së Majtës dhe të së Djathtës, është i vetmi tipar i interpretueshëm i atyre zgjedhjeve, i tëri në favor të opozitës. Por, përveç Sali Berishës dhe borive të tij shurdhuese, askush me mënt në kokë nuk mund tregojë asnjë arsye bindëse pse fitoi Partia Demokratike, i vetmi kalë lufte elektoral i së cilës është një Rosinant donkishotesk ngordhalaq të cilit i ka hipur sipër vet' tragjikomiku Sali Berisha me gjithata Sanço Pança rrotull. Ishte pra thjesht një trill numerik pa asnjë domethënie. Dukurinë e shpjegon më së miri Teoria e Probabilitetit me të cilën s'po dua ta lodh mendjen e lexuesit të Shekullit. Ama lexuesi i Shekullit, dhe gjithe gjindja që lexon sigurisht që lexoi dhe deklratat e nderkombetareve, të cilët si 18 vjetë më parë i drejtohen qeverisë së rradhës si të paaftë për të luftuar korrupsionin jo e jo, por as për të shpërndarë certifikata e numëruar vota saktë në një katund të vetëm. Kjo na turpëron të gjithëve!

2 - Pas mbylljes së sesionit parlamentar, a mund të bëni një bilanc të Kuvendit të Shqipërisë, a mund të rendisni disa nga sukseset dhe dështimet e sesionit të fundit?

Si e shoh unë si duhet të jetë lufta paralamentare, pra me ndeshje të pazararshme argumentash që përfundojnë me daljen e produktit të punës parlamentare në formë ligjesh të studjuara thellë, prandaj edhe të zbatueshme dhe jetëgjata, bilancin e sesionit parlamentar që sapo u mbyll, nuk mund ta shoh veçse ashtu si ishte, pra si bilanc sherresh, intrigash, prapaskenash, ofendimesh me të cilat Parlamenti ynë ka rendimentin më të lartë duke qënë ndoshta më produktivi në botë. Mund të pyetni cilindo shqiptar që doni lidhur me bilancin që më pyesni. Prej të gjithëve do merrni vetëm përgjigjen që sapo ua thashë; asgjë tjetër veç sherreve. Madje tejet të tmerruar dhe të turpëruar nga sa kanë parë, shumë prej tyre do t'iu tregojnë hollësisht me emra dhe data dhe situata të gjitha prapësitë tona parlamentare. Numri i madh i ligjeve të rëndësishme të votuara vetëm me votat e urdhëruara të shumicës i vë kapakun diskutimit për dështime të panumurta dhe suksese inekzistente.

3 - Po sukseset dhe dështimet e Qeverisë?

Sukseset dhe dështimet lidhen me punën. Ministrat tanë të strukur nga frika e kryeministrit tmerrësisht autoritar nuk e kanë dhe aq fort mendjen tek puna se sa te "të hamë sa të hamë derisa jemi ministra, pastaj as dielli të mos e ndrisi ditën, as hëna të mos e zbehi natën". Pa folur për llahtarira ulëritëse që do mbahen mënt me shekuj si Gërdeci, Bulqiza, energjia, korrupsioni, siguria, rendi, shëndetësia, pensionistët, fshatarësia, etj. etj., historia e kësaj qeverie është plotepërplot me hije dyshimi aferash korruptive që mendjen s'ta lenë të vejë te ndonjë punë rakitike që mund të kenë bërë, dhe zemrën ta thyejnë për të ndjerë ndonjë gjë të mirë për ata të mjerë. Renditja e sukseseve apo në përgjithësëi punës së një qeverie është një bilanc objektiv rigoroz i ftohtë shifrash i cili bilanc i qeverisë tonë është e pamundur t'i bëhet për arsyen e thjeshtë sepse i mungon.

4 - Kanë kaluar rreth tre muaj nga prezantimi zyrtar i G99. Si është bilanci i Lëvizjes tuaj të re? Cilat do jenë betejat ku do iu shohim të përfshiheni në Shtator?

Së pari kemi dashur të zgjerojmë rrethin e shqiptarëve që marrin pjesë në vendimet për fatet e vendit. Projektligji që kemi dorëzuar për votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit do mundësonte që rreth 1 milionë bashkë qytetarët tanë, studentët, emigrantët apo dhe ata që po udhëtojnë për punë në momente zgjedhjesh të thonin 'këtu' kur bëhet apeli i votuesve. Kostot janë të përballueshme, dhe faqja jonë në internet g99.org ka një plan të detajuar për procedurën e votimit. I këshilloj cinikët e skeptikët ta lexojnë përpara se ta sulmojnë këtë plan. Ajo që ka mbetur është një dëgjesë në Komisionin për Reformën Zgjedhore dhe kalimi i amendimeve në kodin e ri zgjedhor. Ndërkohë kemi startuar 10 degë të G-99ës në qytetet kryesore të vendit dhe kemi arritur targetin për anëtarësinë në 7,000 anëtarë, dhe c'është më e rëndësishmja kemi marrë kohë të dëgjojmë e prekim shqetësimet e grupeve të mirëfillta të interesit, pensionistët, të rinjtë, universitetet, fermerët, romët, pacientët, bizneset etj. Ekonomistët, juristët, dhe ekspertët tanë më tëmirë janë ndarë në rreth 20 grupe pune për të adresuar me zgjidhje konkrete këto cështje. Në shtator do të përqendrohemi fort tek shkollat e universitetet, arsimi profesional dhe propozimi ynë për dyfishimin e buxhetit të arsimit dhe qasje të reja ndaj lidhjes së arsimit me tregun e punës. S'do lëmë pas dore presionin për të bërë kartat e identitetit në kohë si dhe propozimin tonë se buxheti i shtetit duhet të përballojë koston e kartës prej 9 Eurosh për familjet në nevojë. Dhoma e betejës është gati, stafi operativ është në formë fantastike, asambleja dhe këshilli drejtues po përgatisin planin vjetor, koha është tani, dhe ne kemi gjithë përkushtimin që në 300 ditët e ardhshme të ftojmë qytetarët si aksionerë të politikëbërjes moderne edhe në Shqipëri.

5 – Mendoni se opozita do të shkojë e ndarë në zgjedhjet e 2009ës? Flitet së fundi për afrimin Nano-Meta.

Opozita e ndarë? Absolutisht jo! Opozita qytetare s'ka qenë asnjëherë kaq e bashkuar për të sjellë ndryshimin në drejtimin e punëve të vendit. Studentët e të rinjtë, minatorët e peshkatarët, biznesi e pronarët, ish-ushtarakët e emigrantët, pensionistët e administrata, mjekët e mësuesit, policët e fermerët po na konfirmojnë cdo ditë se përtej zanatit, vendbanimit, uniformës, shkollimit, fesë apo kursimeve ata janë lodhur me këtë qeverisje, të lodhur me mungesën e energjisë, ujit, etikës, shëndetësisë, ndershmërisë, arsimit dhe fundosjes së shtresës së mesme të qytetarëve e vlerave të saj, të cilët janë pulsi i ekonomisë e shoqërisë sonë. Si ka mundësi që shqiptarët janë të ndershëm e të talentuar kur studiojnë në Oxford apo punojnë për Merrill Lynch, por qenkan perversë e të paaftë kur punojnë për qeverinë e Sali Berishës dhe familjen e tij? Këtu problem është sistemi, që si peshku, qelbet nga koka. Ky sistem do ndryshuar që nga maja, e për këtë opozita qytetare është më e vendosur se kurrë.

Afrimi Nano-Meta? Për Nanon – deputeti që shkon 1 herë në 6 muaj në parlament për t'u marrë në mënyrën më fyese rrogën shqiptarëve nga taksat – afrimi me Metën do i jepte një komerdare dëshpëruese. Për Metën? Do qe një 'fatostoksinë' politike, vdekja e fabulës për LSI-në dhe për gjithë ata që mbështetën një të majtë që ndahej qartë nga modeli Nano. Në fakt s'ju fajësoj për pyetjen, tashmë ish- ministra e ish-drejtorë të dikastereve të Nanos tashmë kanë marrë frerët e LSI-së në marrdhëniet me publikun dhe në betejat mercenare për t'u bërë opozitë e opozitës. Fatura për këtë? Hemorragjia e anëtarësisë së LSI-së në grupime të tjera opozitare. Më vjen keq për mikun Meta, ndoshta është vecse një lapsus politik. Me këto pakujdesi – se s'besoj se Meta kishte këtë qëllim – ai padashje u konfirmoi kritikëve pretendimet se LSI-ja është vecse një shpk politike private, ku promovimi i njerëzve nuk ndodh mbi meritën, idealin, aftësitë apo kontributin por mbi nevojën e momentit për raketing politik, ku raketin e porositur në gazeta e TV e bëjnë nën targën e LSI-së stafii Nanos. Dua të vazhdoj të shpresoj se dhe Meta do t'i bashkohet opozitës së madhe qytetare që përmenda më sipër dhe të kapërcejë këtë dilemë mes fëmijës inatcor apo shtetarit modern për të zgjedhur këtë të fundit. I uroj atij kthjelltësi dhe energji pozitive. Shqipëria është një kantier me punë të pafundta ku ka hapësirë për zellin e të gjithëve atyre që duan të kontribuojnë.

6 – Si e parashikoni rezultatin e Zgjedhjeve të 2009?

Si triumf i qetë, i pritur e merituar i Qytetarëve ndaj Sali Berishës dhe qeverisë së tij. Nuk mund të mos ndodhë. Jo për një apo për dhjetë, por për të gjitha arsyet. Kryesorja sepse shqiptarët, të gjithë shqiptarët një nga një pa përjashtuar asnjë, kanë pësuar shumë në lëkurën e tyre nën këtë lloj të "djathte". Ata, shqiptarët pra, duke nisur nga rasti më ekstrem ku përmblidhen ata që në këto vite nuk kanë fituar asgjë veç përvojës si dhe ata që kanë tashmë diçka sado modeste, dhe deri në skajin tjetër ku ndodhen shqiptarët të cilëve u ka ecur, të gjithë duan ta ruajnë këtë bilanc të mundimshëm. Me këtë të "djathtë" arrogante, shkatërrimtare, zhurmëmadhe, nuk kanë asnjë garanci. Por s'është për t'ua bërë fort të qartë fundin e pa lavdishëm kësaj rrace të djathtësh. Sepse po t'u priten fare shpresat ata do t'i vërsulen edhe më me tërbim hajdutllëkut për të bërë kafshimet e fundit që mund të jenë rrënuese për Shqipërinë. Ndaj sic e kam thënë më parë, kjo është një garë për mendjen dhe zemrën e Shqipërisë, dhe beteja mes Shqiptarëve dhe Sali Berishës sigurisht do të fitohet nga Shqiptarët, të cilët prej kohësh janë gati për t'i dhënë fund tranzicionit. Shqipëria është streha e popullsisë më të re në Europë. Me moshën mesatare 28 vjec, është e mbushur me talent, ide dhe energji pozitive, e këta njerëz janë lodhur tashmë me kërcënimet rrugace e retorikën boshe të një plaku demode. Të gjithë bashkë, me kurajo e qytetari, sigurisht që do t'ja dalim në 2009!


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML