Velipojë- Policia e Shkodrës akoma nuk ka identifikuar autorët e vënies së lëndës plasëse në banesën e shtetasit Gjovalin Zekaj, në Sektor Velipojë.
Policia ka bërë të ditur se ndërsa hetimet vazhdojnë, janë shoqëruar në komisariat rreth 20 persona, të cilët janë marrë në pyetje për të dhënë sqarime lidhur me këtë ngjarje.
“Mendohet se lënda plasëse e vendosur pranë banesës së 54-vjeçarit Gjovalin Zekaj ka qenë e llojit tritol dhe nisur nga të dhënat e eksperzitës së bërë ajo ka qenë në një sasi rreth 60 gram”- thonë burimet e policisë së Shkodrës.
Mësohet se mes të shoqëruarve në polici për këtë çështje kanë qenë dhe persona të afërm dhe familjarë të ish kryetarit të komunës së Velipojës, Dedë Kaçi, të cilët para 2 vitesh e kishin kërcënuar Zekajn. Kjo, sepse pas denoncimit të Zekajt për akuzën e shpërdorimit të detyrës, Dedë Kaçaj u arrestua, por më pas me vendim gjykate doli i pafajshëm.
Tëgjithë të shoqëruarit janë lënë të lirë, pasi për asnjërin policia nuk ka gjetur prova të mjaftueshme të implikimit të tyre në vënien e lëndës plasëse pranë banesës së Gjovalin Zekajt.