Qeveria shqiptare në mbledhjen e radhës vendosi të ekzekutoi vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të dhënë me datën 18 dhjetor 2007, për çështjen e shtetasit Ilir Dybeku, duke dëmshpërblyer atë me shumën 5 mijë euro.
Sipas vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave, ngarkohen autoritetet e Ministrisë së Financave që të shlyej këtë "gjobë" deri më 2 shtator, datë kjo e mbarimit të afatit të vendimit të Strasburgut për shlyerjen e dëmshpërblimit ndaj beratasit 37 vjeçar. Sipas vendimit të datës 18 dhjetor 2007, të dhënë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg thuhet se shteti shqiptar ka mbajtur në të njëjtën qeli me të dënuarit e tjerë normal të sëmurin mendor Ilir Dybeku i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Sipas arsyetimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i dënuari përjetë i cili rezulton i sëmurë mendor që nga viti 1996, është mbajtur në një qeli me të dënuarit normalë dhe kjo përbën shkelje të të Drejtave të Njeriut. Me këtë argument Gjykata Evropiane vendosi në dhjetor të 2007 dënimin e Shqipërisë me gjobë prej 5 mijë euro, duke urdhëruar ekzekutimin e kësaj gjobe brenda afateve të parashikuara, që mbaron me datën 2 shtator.
Kjo datë, e ka detyruar qeverinë shqiptare që të vendos ekzekutimin e këtij vendimi, duke urdhëruar Ministrin e Financave t'i kaloi shumën familjes Dybeku. Ndërsa, kërkesa e familjes Dybeku pranë Gjykatës së Strasburgut kanë qenë dëmshpërblim financiar për trajtim çnjerëzor në burgjet shqiptare në vlerën e 1 milion eurove, por Gjykata Evropiane bëri një përllogaritje të pasojave të shkaktuara ndaj të dënuarit nga mbajtja në qeli me të burgosurit e zakonshëm.
Sipas juristëve mbajtja e të sëmurit mendor në një qeli me të dënuarit e tjerë i ka sjellë atij pasoja për kushtet e papërshtatshme dhe mungesën e kushteve të rehabilitimit. Beratasi, Ilir Dylbeku është dënuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri me burgim të përjetshëm, duke u deklaruar fajtor për vrasjen e tre personave mes të cilëve dy fëmijë. Ngjarje kjo e cila ka ndodhur në vitin 2001, kur Ilir Dybeku ka hedhur një sasi eksplozivi në qytetin e Durrësit, ku si pasojë e shpërthimit kanë vdekur tre persona mes të cilëve dy fëmijët. Mirëpo, ai vetë nuk e ka pranuar asnjëherë autorësinë e këtij krimi makabër, ndërsa familjarët kanë pretenduar se ai vuan nga probleme mendore që nga vitit 1996. F.Vezaj