GJIROKASTËR- Rreth 228 hektarë llogaritet sipërfaqja e dëmtuar nga zjarret e kësaj vere në qarkun e Gjirokastrës. Ndërsa situata e zjarreve është qetësuar disi, janë bërë edhe bilancet e para të dëmeve të shkaktuara. Megjithëse dëmet llogariten disa herë më të vogla se ato të shkaktuara gjatë verës së vitit 2006, kohë në të cilën qarku i Gjirokastrës kaloi një situatë emergjente, sërish ato mbeten të konsiderueshme. Informacionet e marra pranë shërbimit zjarrfikës bëjnë të ditur se dëmet më të mëdha janë shkaktuar në kullota, ku janë përfshirë dhe dëmtuar nga flakët 142 hektarë kullotë malore. Më tej dëme kanë njohur sipërfaqet me frutikulturë dhe veçanërisht me ullishta ku janë dëmtuar 52 hektarë ullishta apo e thënë ndryshe 3050 rrënjë ullinj. “Pre” e zjarreve kanë qenë gjithashtu edhe pyjet ku si pasojë e vatrave sipërfaqja pyjore e dëmtuar llogaritet në 34 hektarë.
Ndërkaq, në pjesën më të madhe të rasteve të zjarreve ato kanë qenë të qëllimshme dhe për këtë arsye është bërë shoqërimi dhe marrja në pyetje e rreth 25 personave dhe ndalimi I 5 prej tyre.