Kreditë me probleme kanë mbërritur në 26 miliardë lekë gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti. Raporti vjen nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe vërteton edhe njëherë se kredia e keqe në bankat e nivelit të dytë është një tregues në rritje.
Edhe në përqindje ndaj totalit të kredisë, kredia me probleme është rritur. Kështu, në 6-mujorin e parë të këtij viti kreditë me probleme sipas BSH kanë mbërritur në 8.9 për qind të totalit nga 6.94 për qind që ka qenë ky tregues në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kreditë me probleme vetë ndahen në disa kategori, ku përfshihen ato që janë në ndjekje, kredia në ndjekje dhe ajo nënstandarde. Janë këto dy kategoritë e fundit që përbëjnë edhe pjesën më të madhe të shumës prej 26 miliardë lekë të kredisë me probleme.
Një fakt i tillë lidhet ngushtë me moshën e kredive në vend, që janë kryesisht të dhëna gjatë 4 viteve të fundit. Kredia e keqe ose ajo që nuk mund të mblidhet më është rreth 2.5 miliardë lekë.