Sipas Bankës së Shqipërisë, shërbimet e udhëtimit kanë shënuar një deficit prej 23 milionë eurosh, kundrejt suficitit të regjistruar në gjashtëmujorin e një viti më parë prej 10 milionë euro.
Ky deficit ka ardhur si pasojë e rritjes më të shpejtë të shpenzimeve që shqiptarët bëjnë jashtë vendit për turizëm me 28 për qind, kundrejt të ardhurave në turizëm brenda vendit me 19 për qind.
Të ardhurat nga turizmi, gjatë këtij gjashtëmujori ka sjellë rreth 471 milionë euro të ardhura, duke shënuar një rritje vjetore prej 19 për qind. Kjo erdhi si pasojë e rritjes së fluksit të jorezidentëve me 45 për qind që kanë vizituar vendin, 49 për qind e të cilëve cilësohen si emigrantë.
Shpenzimet që kanë bërë shqiptarët jashtë për turizmin vlerësohet 494 milionë euro, me një rritje vjetore prej rreth 28 për qind. Kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së numrit të udhëtarëve me 36 për qind.
Një tjetër faktor, që vazhdon të ndikojë në rritjen e shpenzimeve për turizëm jashtë vjen nga niveli i lartë të çmimeve që karakterizon vendet e Eurozonës, destinacionet kryesore të udhëtarëve rezidentë.
Shqipëria vazhdon të jetë importuese neto e shërbimeve të transportit dhe të sigurimit të mallrave, fenomen ky që lidhet natyrshëm me rritjen e importeve të mallrave dhe që ndikon drejtpërdrejt në deficitin e tregtisë së shërbimeve.
Këtë gjashtëmujor deficiti i këtyre shërbimeve vlerësohet me një rritje vjetore prej 2.5 herë. Ndërkohë, shërbimet e tjera shfaqin mundësi konkurrente në tregtinë ndërkombëtare të shërbimeve kryesisht në shërbimet financiare, komunikacionit, dhe të konstruksionit, duke regjistruar suficit prej 21.4 milionë eurosh.