KESH është mbytur në borxhe dhe qeveria detyrohet që të dalë garant pasi bankat nuk pranojnë që të japin kredi pa pengun e qeverisë. Në mbledhjen e fundit qeveria vendosi të dalë garant për kredinë që do t’i jepet Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare nga ana e një banke private që operon në Shqipëri. Kredia është në shumën 40 milionë euro dhe përfaqësuesit e bankës kanë deklaruar se nuk mund të disbursojnë këto fonde në rast se nuk sigurohet një garanci qeveritare. Kjo, për arsye se deri tani KESH ka marrë 95 milionë e 700 mijë euro kredi nga 7 banka private me terma tregtare të cilat duhet të kthehen në afatin e caktuar.
Nga ana tjetër edhe Ministria e Financës ka dhënë për KESH dy kredi gjatë këtij viti përkatësisht 2 miliardë lekë dhe 15 milionë euro të cilave iu ka kaluar afati i shlyerjes dhe KESH nuk ka mundur t’i paguajë dot në afat. Këto kredi qeveritare janë dhënë me terma të buta, por pagesa e energjisë së importuar me çmime tepër të larta si në vitin 2007, ashtu edhe në vitin 2008 kanë krijuar vështirësi të pakapërcyeshme për financat e KESH-it. Këto u shtohen vështirësive të zakonshme financiare të korporatës, të shkaktuara nga vjedhjet dhe humbjet teknike, si dhe nga mospagimi i detyrimeve prej konsumatoreve.
Kontrata midis KESH dhe bankës është nënshkruar sot në Tiranë dhe do të jepet në ekuivalentin në lekë të 40 milionë eurove. Komisioni i garancisë bankare do të jetë në masën 1.3% të shumës së huasë. Interesi do të jetë i barabartë me interesin e bonove tre mujore të thesarit plus 0.5%.
Humbjet financiare
KESH përjetoi vitin më të keq në histori më 2007, kur pati shpenzime prej 39 miliardë lekësh dhe të ardhura prej 27 miliardë lekësh. Për të mbuluar shpenzimet, korporata iu drejtua bankave ku tërhoqi kredi të shtrenjta, ndërsa buxheti i shtetit mbuloi një sasi të konsiderueshme të shpenzimeve. Vetëm interesat për kreditë e marra vitin e kaluar, do t’i kushtojnë korporatës 1.2 miliardë lekë këtë vit. Ministria e Financave, ankohet se KESH ka detyrime të konsiderueshme fiskale ndaj tatim-taksave, të cilat nuk është në gjendje t’i shlyejë. Për këtë vit, falë rritjes së çmimit të energjisë me 11%, pritet të humbjet të jenë më të vogla. Megjithatë, parashikimi i qeverisë nuk përputhet fare me parashikimin e FMN-së. Objektivi i planit është që humbjet këtë vit të arrijnë në 4 miliardë lekë, por FMN paralajmëroi disa muaj më parë se pa rritje të mëtejshme çmimi, KESH do të shkaktojë “humbje fiskale” prej 135 milionë eurosh, shifër kjo e papërballueshme.
Kostoja kap majat
Problemi kryesor i financave të KESH është lumi i parave që shkon për importin e energjisë elektrike. Gjatë vitit të kaluar, 200 milionë euro u larguan nga Shqipëria për këtë shkak, gjë që solli dobësim të lekut kundrejt euros dhe thellim të deficiteve tregtare të vendit. Kostoja e importit u rrit me 47% gjatë vitit të kaluar dhe pësoi edhe një rritje të mëtejshme prej 16.5% këtë vit, duke arritur kulmin në 10.22 lekë për KËH. Çmimi i dritave në rajonin e Ballkanit varet shumë nga kapaciteti i linjave të transmetimit dhe transparenca e vendeve të ndryshme në lejimin e përdorimit të këtyre linjave. I gjithë rajoni është deficitar dhe një pjesë e konsiderueshme e energjisë duhet të importohet nga Europa Qendrore si dhe Gjermania. Vende të ndryshme të Ballkanit si Bullgaria, kanë vendosur ndërkohë sistem kufizimesh tregtare në eksportin e energjisë elektrike për shkak se kanë çmim më të ulët në tregun e brendshëm dhe synojnë të plotësojnë tërësisht konsumin e vet para se të eksportojnë sasinë e mbetur.