Arian Saliu është vrarë pasditen e djeshme nga dy persona me motor. Dyshohet hakmarrja e bandave të vjetra të Durrësit
DURRËS- Ekzekutohet i fundit i vëllezërve të Klodian Saliut, një prej të fortëve të qytetit të Durrësit, i vrarë tre vite më parë nga rivali i tij në krim, Lulëzim Berisha. Arian Saliu është vrarë pasditen e djeshme teksa po lëvizte me makinën e tij në lagjen numër pesë të qytetit të Durrësit. Atentati duket se ka qenë i organizuar më së miri pasi vrasësit i kishin zënë pritë në një vend të njohur për ta. Vrasësit kanë qenë me një motor dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes pasi kanë derdhur një karikator të tërë automatiku të kalibrit të vogël mbi 37- vjeçarin Arian Saliu. Në atentatin e djeshëm është plagosur edhe shtetasi Denis Hoxha, i cili ndodhej në një makinë me viktimën. Të dhënat e para të policisë tregojnë për një ekzekutim në vazhdën e gjatë të vrasjeve që kanë tronditur qytetin e Durrësit gjatë viteve të fundit, që kur nisi saga mafioze e Lul berishës dhe Klod Saliut. Një vit më parë, ishte vrarë edhe vëllai i dytë i familjes Saliu.
Vrasja
Rreth orës 18.00 të ditës së djeshme, 37-vjeçari Arian Saliu po udhëtonte me mikun e tij, 35-vjeçarin Denis Hoxha në rrugën “Mujo Ulqinaku” që lidh rrugën hyrëse të qytetit të Durrësit me lagjen parafabrikat ku ndodhet stadiumi i qytetit. Pikërisht në vendin ku aksi kryesor i rrugës kryqëzohet më rrugën tjetër, “Avokat Hysen Myshketa”, mjeti ku udhëtonte viktima ka ulur shpejtësinë për të marrë kthesën.
Në këtë çast atij i ka ardhur nga pas një motor tip “skuter” në të cilin udhëtonin dy persona. Ata kishin vënë skafandrat e motorit në kokë dhe askush nuk ka mundur që t’i shohë për fytyrë. Motori i vogël i është afruar shumë golfit 5 me targa të huaja “DE 566 BE” dhe menjëherë është derdhur breshëria e plotë e një karikatori automatiku. Goditja është kryer nga xhami i pasagjerit, aty ku ishte ulur edhe viktima Arian Saliu në momentin e atentatit. Plumbat kanë thërrmuar xhamin e mjetit Golf 5 dhe katër prej tyre kanë qëlluar Arian Saliun në kokë dhe pjesët vitale të gjoksit duke shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme.
Arratisja
Drejtuesi i mjetit, Denis Hoxha, është ndodhur jo vetëm para breshërisë së plumbave të ekzekutoreve, por është plagosur edhe vetë në shpatull. Megjithatë duke qenë se arma ka qenë e shkurtër dhe me plumba të kalibrit të vogël, për qitje në distancë të afërt, rikosheti i ndodhur në sipërfaqet metalike të kabinës së golfit nuk ka mundur që ta dëmtojë rëndë dhe kjo i ka dhënë mundësi që tu shmanget organizatoreve të atentatit duke rritur shpejtësinë e mjetit dhe është nisur në drejtim të Spitalit Rajonal të Qytetit të Durrësit. Ai ka shpresuar në ndihmën e shpejtë mjekësore që mund t’i rikuperonte jetën mikut të vet Saliu.
Por shpresat e tija kanë qenë të kota pasi viktima ishte goditur rëndë dhe kishte vdekur në vend. Në spital ai është marrë në mbrojtje të policisë pasi kishin frikë se mos mund të kërkohej që të eliminohej. Ai është shtruar në katin e dytë të spitalit nën ruajtjen e një skuadre speciale shërbimi i është nënshtruar terapisë intensive. Burimet e personelit mjekësor dhe të policisë bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
Nga rindërtimi i vendit të ngjarjes dhe gëzhojat e gjetura mendohet se është e njëjta armë e përdorur një vit më parë
Dyshimi, Arian dhe Çim Saliu, u vranë nga i njëjti "Scorpions"
DURRËS- Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbime policie dhe grupi hetimor ku dhe kanë bërë kryerjen e veprimeve të para hetimore. Në udhëkryqin ku ndodhi atentati ndaj viktimës Saliu, u bë sigurimi i provave materiale dhe mbledhja e rreth 28 cope gëzhojave. Ndërkohë u vunë në lëvizje furgonët e grupeve të gatshme të policisë, të cilët nisën kontrollin e zonës. Sipas të dhënave konfidenciale, në rajonin e policisë janë ndaluar mbi 20 persona të dyshuar e të njohur të tyre.
Nga ana e hetuesve është marrë në pyetje edhe shoferi Denis Hoxha, i cili ndodhej në golfin e shënjestruar nga autorët. Por ai duke qenë i tronditur rëndë u ka thënë punonjësve të hetuesisë se nuk e kishte pasur mëndjen në momentin e goditjes me armë por thjeshtë ishte përpjekur të largohej nga frika e plumbave që po binin me breshëri mbi mjetin që ai drejtonte. Policia njofton se ndërkohë struktura për hetimin e krimeve është e angazhuar e po punon në drejtim të identifikimit të autorëve të kësaj ngjarjeje.
Po edhe në rastin e vrasjes së vëllait tjetër, Çim Saliut, ku shënjestra e vërtetë ishte viktima e sotme autoret, kanë qenë dy vetë që janë larguar me motor skuter dhe arma e krimit mendohet të ketë qenë e llojit Scorpions e kalibrit 6.35 mm. Ka shume pista që po heton policia po ndër më të mundshmet mbetet se janë të njëjtët autore që vranë të vëllanë një vit me parë, madje mendohet se edhe arma e krimit mund të jetë e njëjta që është përdorur në këtë rast. Për këtë pritet të japë përgjigje të shpejtë laboratori shkencor i policisë. Të dhënat e deritanishme konfirmojnë se vrasja mund të ketë ndodhur për larje të vjetra hesapesh.
Dy persona me motor e skafandër në kokë kanë vrarë vëllanë e dytë të Klodian Saliut një vit më parë
Ekzekutimi i Çim Saliut në lokalin e tij
DURRËS- Djali i dytë i familjes Saliu, Shkëlqimi, është ekzekutuar nga një breshëri automatiku rreth orës 23:15 të mbrëmjes së 23 korrikut të vitit 2007. Në lagjen 18 të qytetit të Durrësit, në lokalin “Kavalieri”, pronë e familjes Saliu, ishin ulur në një cep të tavolinave dy vëllezërit Shkëlqim dhe Arian Saliu. Me të marrë lajmin “atentatorët” se dy vëllezërit Saliu ndodhen në lokalin e tyre janë nisur me një motor 50 kubikësh e me skafandër në kokë dhe armë në dorë për tek lokali ku ndodheshin dy vëllezërit e Klodian Saliut, të vrarë në autostradën Tiranë- Durrës në vitin 2005.
Por, vetëm tre minuta para se të ndodhte atentati, Arjan Saliu ngrihet nga lokali për të shkuar diku në një takim dhe lë vetëm në lokal vëllanë e tij, Shkëlqimin. Me të mbërritur para lokalit, njëri nga atentatorët ka zbritur nga motori dhe ka hyrë në derën kryesore të lokalit ku ka kërkuar me sy vëllezërit Saliu. Pasi ka piketuar mirë Shkëlqimin që ishte ulur pranë kompjuterit për të kontrolluar disa skedina futbolli, ka tërhequr këmbëzën duke lëshuar një breshëri fishekësh në drejtim të tij. “Prite Çim Saliu”, ka bërtitur një prej ekzekutorëve dhe kjo thirrje është shoqëruar nga një breshëri e gjatë automatiku.
Viktima ka rënë përdhe dhe plumbat që e kanë goditur në kurriz i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Mendohet se “vrasësit” kanë kërkuar më pas në lokal edhe Arianin, i cili ishte larguar vetëm pak minuta më parë, por nuk e kanë gjetur dhe kanë qëlluar më pas në drejtim të shtetasit Sterio. Xh. i cili mbeti i plagosur në këmbë. Pas këtyre breshërive “atentatori” është kthyer tek shoku i tij që e priste mbi motorin e ndezur dhe kanë ikur me nxitim, duke lënë mbrapa të vrarë Shkëlqim Saliun dhe të plagosur në këmbë shtetasin S. Xh. Sipas akt-ekspertimit të kufomës, plumbat e vrasësit viktimën e kanë qëlluar në kurriz ku si pasojë e shumë plumbave ka gjetur vdekjen. Ndërsa, policia në vendngjarje ka gjetur dhe sekuestruar 18 gëzhoja të kalibrit 7,65 milimetra të shtëna nga një armë automatike e tipit “Skorpions”.
--------------------------------
BANDA E DURRËSIT
Nga 1994 në 2006, pazaret e prishura dhe ndarja e bandës që solli serinë e vrasjeve të “nënbotës” së Durrësit
Krijimi i grupit që kontrolloi krimin e një qyteti
Ened Janina
TIRANË- Bota e nëndheshme e krimit në qytetin e Durrësit ka njohur vetëm një bandë nga e cila të gjithë kanë pasur frikë dhe ishte pikërisht ajo që bandë që pas ndarjes në dy kahe, nisi një seri vrasjesh të tmerrshme. Të dhënat e para për krijimin e bandës së Durrësit datojnë në vitin 1994, kur u vu re për herë të parë bashkëpunimi ndërmjet Lulëzim Berishës e Klodian Saliut. Nga të gjitha hetimet e policisë shqiptare e italiane, akuzat që janë ngritur mbi këtë organizatë të vetme kriminale janë trafik ndërkombëtar droge, prostitucion dhe trafik armësh. Këtu nis filli i vrasjeve makabre në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 e në vazhdim. Por mania e tyre për të fituar sa më shumë dhe emri se kush do të ishte kryetari i grupit solli edhe shkatërrimin e kësaj organizate të madhe kriminale. Për nëntë vjet me radhë, dyshja Berisha- Saliu mbajti frerët e “nënbotës” së Durrësit deri sa në vitin 2003 filluan kontradiktat e brendshme, të cilat sollën edhe ndarjen e tij
Termi “Banda e Durrësit” u shënuar në regjistrat e policisë në vitin 1994 dhe bënte fjalë për një grupim të rrezikshëm kriminal që përbëhej nga një numër i madh anëtarësh por krerët e tij ishin Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu. Përfitimet nga aktiviteti kriminal ndaheshin në mënyrë të barabartë ndërmjet Berishës dhe Saliut, ndërsa “ushtarët” e thjeshtë merrnin pjesën e tyre të vogël në varësi të rolit që kishin në një çështje të caktuar. Besnikëria ka mbajtur këtë bandë të bashkuar që nga viti 1994 deri në vitin 2003.
Në këtë vit dy krerët e organizatës, tashmë e fuqizuar së tepërmi, filluan një luftë të heshtur me njëri- tjetrin. Shkaku i kësaj lufte ishte se kush do të quhej “kapobanda”. Secili prej tyre pretendonte se ishte kreu i grupit dhe nuk mund të merrte urdhra nga tjetri për të kryer veprime të ndryshme. Me ndarjen e dyshes Saliu- Berisha, ndodhi edhe një përçarje ndërmjet ushtarëve të thjeshtë. Ata filluan që të pozicionoheshin me njërin ose tjetrin krah duke krijuar realisht një ndarje të grupit. Në këtë moment ndodhi edhe një tjetër përçarje e organizatës pasi përfitimet filluan të ndaheshin në mënyrë të pabarabartë. Secili prej kryetarëve mbante për vete përfitimet që i sillnin “ushtarët” e tij dhe nuk i ndante më si më parë. Në vitin 2003 shënohet edhe ndarja zyrtare e organizatës së drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu.
Menjëherë pas ndarjes ishte grupimi i Klodian Saliut ai që nuk mund ta duronte ekzistencën e rivalit Lulëzim Berisha. Gjatë vitit 2003 e në vazhdim grupimi i drejtuar tashmë nga Klodian Saliu ka organizuar disa atentate për të vrarë Berishën. Ky i fundit ka mundur që t’u shpëtojë të gjitha atentateve të bëra. Për të vrarë Berishën, Saliu ka përdorur edhe persona të tjerë që nuk kanë qenë pjesë e organizatës së tij.
Duke qenë se të dyja grupimet njiheshin shumë mirë në qytetin e Durrësit, Saliu ka pajtuar vrasës me pagesë për të kryer ekzekutimin e Lul Berishës. Pasi i shpëtoi atentateve të bëra nga rivali i tij, ishte koha e Lul Berishës që të merrte hak. Më 26 shkurt të vitit 2005, Klodian Saliu është vrarë në një atentat në autostradën Tiranë- Durrës, teksa po lëvizte me makinën e tij në afërsi të fshatit Maminas.
17 tetor 1998
Organizata kriminale e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku. Kjo vrasje ka ndodhur pikërisht më 17 tetor të vitit 1998 në qytetin e Durrësit, dhe mbahet si vepra e parë kriminale e këtij grupi
29 tetor 1998
Pa kaluar as dy javë nga vrasja e parë, organizata e Berishës dhe Saliut akuzohet se ka kryer një tjetër vrasje. Këtë herë bëhet fjalë për ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja më 29 tetor 1998. në këtë ngjarje u plagos edhe Marsel Sotiri
22 gusht 1999
Një vit më vonë, i vetmi person që arriti t’i mbijetojë atentatit të 29 tetorit 1998 është zënë në pusi nga ana e grupit të Berishës dhe Saliut. Më 22 gusht 1999 ata i kanë bërë pritë shtetasit Marsel Sotiri në lagjen Plazh të qytetit të Durrësit dhe e kanë vrarë atë
9 korrik 2000
Organizata kriminale e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet nga prokuroria e policia edhe për një tjetër vrasje. Këtë herë ata kanë kryer atentatin ku u vra shtetasi Dritan Disha. Kjo vrasje ka ndodhur më 9 korrik 2000 në në fshatin Shënavlash të Durrësit
14 janar 2002
Një tjetër vrasje i është faturuar organizatës kriminale Berisha- Saliu nga ana e policisë dhe prokurorisë. Kjo organizatë akuzohet se më 14 janar të vitit 2002 i ka zënë pritë dhe më pas ka kryer ekzekutimin e shtetasit Ervin Lame në lagjen numër 3 të Durrësit
2003
Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata është ndarë në dy organizata të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata tashmë janë bërë rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre
26 shkurt 2005
Pas kësaj ndarjeje, organizata e kryesuar nga Lulzim Berisha ka marrë hak ndaj rivales së saj duke organizuar atentatin për vrasjen e Klodian Saliut. Kjo vrasje është kryer në autostradë më datë 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit
13 tetor 2005
Vetëm 9 muaj ka vonuar kundërpërgjigjja e ish- organizatës së Klodian Saliut. Tashmë ajo drejtohet nga Indrit Dokle dhe akuzohet se ka kryer vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005 në Tiranë. Pas vrasjes trupi i Gashit është hedhur në fshatin Romanat të Durrësit
30 tetor 2005
Hakmarrja e grupit të kryesuar tashmë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq por 27 ditë më vonë ai ka organizuar vrasjen e shtetasit Ilir Kolgjini, i njohur si mik i Lul Berishës. Kjo vrasje ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2005 pranë stadiumin ndërkombëtar “Qemal Stafa”
23 korrik 2007
Atëherë kur gjithçka mendohej se ishte mbyllur dhe harruar, banda e Lul Berishës hakmerret ndaj familjes Saliu. Djali i dytë i familjes Saliu, Shkëlqimi, është ekzekutuar nga një breshëri automatiku rreth orës 23:15 të mbrëmjes në lokalin “Kavalieri”, pronë e familjes së tij. Ariani i shpëton fatmirësisht atentatit