Anëtari i kryesisë së PD-së, Besnik Mustafaj, gjykon se lidershipi demokrat nuk duhet të përsërisë gabimet e 1995-96 për marrëdhëniet me SHBA-në
Ish-Ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, shprehet kundër shkrirjes së partive të djathta me Partinë Demokratike
Mustafaj: Të adhuroj Berishën? S'është në karakterin tim"
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike dhe një prej kandidatëve të vetëshpallur për kreun e degës së kësaj partie për Tiranën, Besnik Mustaj, analizon reformat e pritshme, fushatën e ardhshme elektorale që po afrohet, marrëdhëniet me kryeministrin Berisha si dhe flet për të ardhmen e vet në politikë.
Ai shprehet i gatshëm që në muajt e mbetur deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të qershorit të japë një kontribut më të madh personal në mënyrë që qeveria e djathtë të arrijë të përmbushë ato pika të programit me të cilin u paraqit para shqiptarëve në zgjedhjet e 2005. Ndërkohë që Mustafaj i përcjell një mesazh të qartë kryeministrit Berisha që të lexojë siç duhet mesazhet e Shteteve të bashkuara të Amerikës. Kështu ai vlerëson se momentalisht procesi i shkrirjeve të partive të djathta është i panevojshëm, duke bërë të qartë se vetëm koalicioni mbetet mënyra e vetme me të cilin partitë e djathta duhet të dalin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Zoti Mustafaj, po hyjmë në sezonin vjeshtor të politikës. Disa tema janë shtruar tashmë në tryezën e diskutimeve, që nga projektligji për spiunët, projektligji për prokurorinë apo dhe pjesa tjetër e reformës në drejtësi. Cili është mendimi juaj për këto çështje?
Në një farë mënyre, jo vetëm ligji për prokurorinë, por edhe ai për spiunët, siç e etiketuat ju, është pjesë e reformës së gjerë, që nevojitet në drejtësi. Kjo reformë, në të gjithë përbërësit e saj, është jashtëzakonisht delikate dhe thelbësore për demokracinë. Pushteti, natyrshëm, kërkon gjithmonë të ketë sa më shumë nën kontroll jetën e vendit. Kjo është një prirje brenda natyrës së njerëzve, që kanë marrë të drejtën të ushtrojnë pushtetin dhe është provuar si e tillë edhe në vendet me demokraci të konsoliduar.
Por atje me kohë janë ndërtuar dhe kanë hedhur rrënjë mekanizmat që e frenojnë këtë prirje të individëve me pushtet, e mbajnë atë nën kontroll, i japin drejtësisë pavarësinë, që është një nga garancitë themelore të demokracisë, e fusin individin, sado personalitet i fortë të jetë, në shërbim të institucionit dhe jo e kundërta, që institucioni t’i shërbejë egos së individit. Unë kam besim se në parlamentin e Shqipërisë ka sot mjaft deputetë në të gjithë spektrin politik të përfaqësuar aty, të cilët kanë njohuritë dhe vullnetin e nevojshëm për të punuar pikërisht në shërbim të forcimit të këtyre mekanizmave nëpërmjet reformës në drejtësi që do të votojnë. Me një fjalë, reforma në drejtësi do të jetë në një farë mënyre luftë me vetveten, që do të na duhet të zhvillojmë dhe patjetër ta fitojmë sidomos ne, pjesëtarët e mazhorancës. Dhe ne do ta fitojmë patjetër.
Radhiteni tashmë mes atyre politikanëve në radhët e shumicës, që nuk mendojnë gjithmonë si kryetari i saj. A do ta shohim sërish Besnik Mustafajn në këtë pozicion edhe pas 1 shtatorit?
Unë gjithmonë jam përpjekur të bashkohem politikisht me njerëzit, përfshirë këtu edhe kryetarin Berisha, mbi bazën e parimeve. Mua nuk më bën pjesëtar të një ekipi as adhurimi për udhëheqësin e ekipit dhe as inati për kundërshtarin. Të dyja këto ndjenja, si adhurimi nënshtrues, si inati verbues, janë krejtësisht të huaja për mua. Ky është karakteri im. Do të mbush 50 vjeç pas disa ditësh dhe është shumë vonë të ndryshoj tashmë.
Ndër të gjithë anëtarët e mazhorancës, Berisha është padyshim njeriu që më njeh më mirë. Unë jam i bindur se ai edhe me pak se ndokush tjetër, pret tashmë që unë të shfaqem kësaj vjeshte si oportunist. Unë jam përgatitur të jem shumë prezent në jetën politike të vendit këta muaj, që do të thotë se do të jem një mbështetës i vendosur i qeverisë në punën e saj për realizimin e programit me të cilin fituam zgjedhjet në 2005. Kjo është filozofia, me të cilën unë do t’i shërbej Partisë Demokratike, me qëllim që të jem i dobishëm për të fituar edhe një mandat tjetër vitin e ardhshëm. Ne, si forca politike më e përgjegjshme e vendit, do të ecim përpara duke modernizuar vetveten. Ndryshe nuk mund të jemi të besueshëm në angazhimin tonë për të modernizuar Shqipërinë.
Kemi hyrë në vitin elektoral. Ju keni ngritur disa akuza mjaft therëse ndaj punës së ekzekutivit dhe përgjithësisht ndaj mënyrës sesi po funksionon mazhoranca. Si po paraqitet shumica në këtë pragfushatë elektorale?
Unë nuk kam ngritur akuza. Unë kam bërë kritika dashamirëse, sado të ashpra të kenë qenë, ndaj punës së ekzekutivit. Vazhdoj të konstatoj se ka shumë gjëra për të korrigjuar. Sidomos, duhen përmirësuar marrëdhëniet e ekzekutivit me grupet e interesit e veçanërisht me biznesin. Ne jemi një qeveri e djathtë, edhe me disa prirje liberale madje, që shfaqen te një lloj vullneti për ta zgjeruar sferën e veprimit të sektorit privat edhe në disa fusha, ku nuk lëshojnë pe zakonisht konservatorët. Logjikisht nuk na përshtatet ne tensioni me biznesin. Unë shpresoj se qeveria ka nxjerrë mësimet e nevojshme nga fakti se biznesi na ka paditur disa herë në Gjykatën Kushtetuese për ligjet që kemi bërë dhe ka fituar. Kohë kemi për të bërë shumë korrigjime. Por kjo kohë po shkurtohet me shpejtësi. Nga zgjedhjet na ndajnë vetëm disa muaj.
Së fundi janë bërë disa ndryshime në qeveri. A janë, sipas jush, këto ndryshime të mjaftueshme dhe ato të duhurat?
Mbetet për t’u parë gjatë vjeshtës a do të rezultojnë të mjaftueshme. Me njohjen që kam, unë besoj sinqerisht se edhe zonja Godo, edhe zoti Beja kanë cilësitë e nevojshme për të bërë punë serioze. Edhe në qoftë se nuk do të kenë kohë për të kryer transformime të mëdha në sektorët që drejtojnë, kam besim se do të luftojnë fort korrupsionin. Është shumë e rëndësishme kjo që po them. Kisha shpresuar se ne ketë optikë do ta shihte rastin kryeministri Berisha, për të bërë një riformatim shumë më të thellë të qeverisë. Ashtu e gjykoj ai dhe ishte në të drejtën e tij funksionale. Ma merr mendja se ai ka tashmë në kokë një strategji për përmirësimin e imazhit të qeverisë. Ne na mbetet të njihemi me këtë strategji, ta gjykojmë dhe ta mbështesim.
Ka rënë në sy qëndrimi juaj kritik për problemin e pozicionimit të Tiranës zyrtare ndaj Kosovës. A nuk mendoni se ka një apati të lexueshme dhe një moskoordinim mes dy kryeqyteteve që flasin shqip, në lidhje me procesin e njohjes së Kosovës?
Nuk kam bërë ndonjë kritikë të madhe unë në këtë aspekt. Më e rëndësishmja, që më duket me vend ta sjell edhe në këtë bisedë, qëndron tek fakti se nuk shoh të ketë ndryshuar metoda e veprimit tonë diplomatik në mbështetje të Kosovës, nga metoda e përdorur përpara se Kosova të shpalltë pavarësinë, apo nga ajo e përdorur gjatë periudhës që zhvilloheshin negociata nën drejtimin e presidentit Ahtisari.
Ndërkohë ka ndryshuar krejt argumenti. Kosova është shtet i pavarur e sovran, i njohur tashmë, me marrëdhënie diplomatike të vendosura me tri nga pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit: SHBA, Francë dhe Britaninë e Madhe. Për me tepër, të tri këto vende, por edhe Gjermania, edhe Italia, edhe Kanadaja, edhe Japonia, pra të shtatë vendet më të industrializuara të botës, kontribuesit përcaktues për paqen dhe stabilitetin në botë, janë edhe në krye të veprimit ndërkombëtar për ta zgjeruar sa më shpejt rrethin e vendeve që njohin pavarësinë e Kosovës dhe vendosin marrëdhënie diplomatike me të. Nuk do të ishte me ndonjë farë dobie, që t’i dublonte në këtë punë edhe Shqipëria e të përdorte në skenën ndërkombëtare të njëjtën gjuhë që përdorin këta gjigantë. Shqipëria duhet të gjejë sa më shpejt rolin që i përshtatet peshës së saj ndërkombëtare, por edhe specifikës së saj rajonale në raport me Kosovën, në mënyrë që puna e saj të ketë dukje. Unë do të thosha se mund të bëhen menjëherë edhe disa punë, që ngjajnë shumë të vogla, si për shembull, një marrëveshje konsullore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Dihet sot, qytetarët e të dy vendeve hyjnë e dalin te njeri-tjetri pa vizë.
Madje edhe pa pasaportë. Vetëm me letrat e njoftimit. Shumë mirë. Por nuk ka asnjë marrëveshje, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, që legjitimon në nivel dypalësh këtë liri qarkullimi. Ndërkohë që kufiri midis nesh është tashmë, në përputhje me kushtetutat e të dy vendeve, një kufi ndërkombëtar. Një marrëveshje e tillë e vockël, me dukje krejt të panevojshme për qytetarin e zakonshëm, përbënë një shenjë në letër se Shqipëria e njeh dhe e respekton sovranitetin e Kosovës. Por nuk po zgjatem më, se kjo është një temë ku mund të flisja pa mbarim.
Qëndrimi amerikan ndaj qeverisë duket se është ashpërsuar në javët e fundit. Si i lexoni ju mesazhet që vijnë nga Uashingtoni dhe sa seriozisht po zbërthehen ato nga palët, si mazhoranca, ashtu edhe opozita?
Ka shumë rëndësi fakti që fryma në të cilën formulohen këto kritika, që vijnë nga Uashingtoni, është një frymë thellësisht miqësore, qoftë ndaj klasës politike shqiptare në përgjithësi, qoftë ndaj qeverisë sonë në veçanti. Partia Socialiste nuk ka një traditë në leximin e drejtë të mesazheve të tilla. Unë i shoh shpesh drejtuesit e saj, përfshirë kryetarin Rama, të spekulojnë me mesazhet e Uashingtonit, çka nuk besoj se buron nga paaftësia e tyre për ta kuptuar drejt gjuhën diplomatike në përgjithësi, por buron nga zelli i tyre për të kompensuar mungesën e analizës politike, që do t’iu takonte ta bënin ata vetë si opozitë mbi zhvillimet ne vend. Departamenti i Shtetit nuk mund të trajtohet nga Edi Rama si zëdhënës i tij, apo si zëvendës i tij. Ky është një keqkuptim i madh që ka kryetari i Partisë Socialiste lidhur me rolin e miqve strategjikë si SHBA në instalimin e demokracisë në Shqipëri.
Nga ana tjetër, unë besoj se eksperienca e hidhur e viteve 1995-1996 na ka krijuar një shqisë të posaçme ne, demokratëve, për t’i vlerësuar drejt mesazhet që vijnë nga Uashingtoni. Opinioni ynë publik në përgjithësi e veçanërisht anëtarët e Partisë Demokratike nuk do t’ia falnin askujt që do të dëmtonte me qëllim ose pa qëllim miqësinë tonë me SHBA-në.
E djathta ndodhet përballë sfidës së një rikompozimi elektoral të saj. Sa e afekton situata delikate e PR-së dhe marrëdhëniet e acaruara me PDK-në këtë proces? Si mendoni se duhet të paraqitet PD në zgjedhjet e ardhshme, në funksion edhe të kodit të ri zgjedhor?
Partia Demokratike duhet të paraqitet në zgjedhjet e ardhshme me koalicionin më të gjerë të mundshëm. Kjo është bindja ime. Vetëm me koalicion. Për këto idetë e shkrirje-ngrirjeve nuk ka kohë të realizohen deri në zgjedhjet e ardhshme. Le të mbetet ky një proces, që të zhvillohet pas zgjedhjeve, në mënyrë që të kryet me seriozitetin që meriton dhe t’i shërbejë vërtetë, sinqerisht, realizimit të Partisë Demokratike dhe krejt të djathtës shqiptare.
Historia jonë politike nuk mbyllet verën e ardhshme. Pse gjithë ky padurim? Partia republikane është aleatja jonë më kontribuese e Partisë Demokratike qoftë për të fituar zgjedhjet, qoftë për të qeverisur. Unë besoj se procesi hetimor ndaj kryetarit të kësaj partie do të ezaurohet në afatet e përshtatshme, në përputhje me ligjin, në mënyrë që kjo forcë politike të përgatitet qetësisht për zgjedhjet. Një dëmtim i pamerituar i Partisë Republikane, duke mbajtur tërhiq e mos këput hetimin ndaj kryetarit të saj, nuk do t’i shërbente vendit. Sa për Partinë Demokristiane, unë mendoj se është në një proces kristalizimi të identitetit të vet ideologjik. Në muajt në vazhdim kjo parti shpresoj, do të nxjerrë sa më qartë në pah se çfarë e dallon nga Partia Demokratike, nga Partia Republikane, nga partia Demokratike e Re, nga LZHK si dhe çfarë e bashkon me to.
Një proces i tillë është i natyrshëm, po të mbajmë parasysh horizontet e ndryshme partiake, prej nga vijnë anëtarët e ndryshëm të udhëheqjes së saj. Unë jam i bindur se në hapësirën tonë politike ka vend dhe nevojë për një parti demokristiane, e cila të mbrojë disa vlera të caktuara shoqërore, që i shkon vetëm një force të tillë politike t’i mbrojë e t’i përhapë.
Për karakterin
“Mua nuk më bën pjesëtar të një ekipi as adhurimi për udhëheqësin e ekipit dhe as inati për kundërshtarin. Të dyja këto ndjenja, si adhurimi nënshtrues, si inati verbues, janë krejtësisht të huaja për mua. Ky është karakteri im. Do të mbush 50 vjeç pas disa ditësh dhe është shumë vonë të ndryshoj tashmë”.
Për Berishën
“Ndër të gjithë anëtarët e mazhorancës, Berisha është padyshim njeriu që më njeh më mirë. Unë jam i bindur se ai edhe me pak se ndokush tjetër, pret tashmë që unë të shfaqem kësaj vjeshte si oportunist. Unë jam përgatitur të jem shumë prezent në jetën politike të vendit këta muaj, që do të thotë se do të jem një mbështetës i vendosur i qeverisë”
Për qeverinë
“Unë nuk kam ngritur akuza. Unë kam bërë kritika dashamirëse, sado të ashpra të kenë qenë, ndaj punës së ekzekutivit. Vazhdoj të konstatoj se ka shumë gjera për të korrigjuar. Sidomos, duhen përmirësuar marrëdhëniet e ekzekutivit me grupet e interesit e veçanërisht me biznesin”
Për biznesin
“Logjikisht nuk na përshtatet ne tensioni me biznesin. Unë shpresoj se qeveria ka nxjerrë mësimet e nevojshme nga fakti se biznesi na ka paditur disa herë në Gjykatën Kushtetuese për ligjet që kemi bërë dhe ka fituar. Kohë kemi për të bërë shumë korrigjime. Por kjo kohë po shkurtohet me shpejtësi. Nga zgjedhjet na ndajnë vetëm disa muaj”
Për ndryshimet
“Kisha shpresuar se ne ketë optikë do ta shihte rastin kryeministri Berisha, për të bërë një riformatim shumë më të thellë të qeverisë. Ashtu e gjykoj ai dhe ishte në të drejtën e tij funksionale. Ma merr mendja se ai ka tashmë në kokë një strategji për përmirësimin e imazhit të qeverisë. Ne na mbetet të njihemi me këtë strategji, ta gjykojmë dhe ta mbështesim”
Për SHBA-në
“Unë besoj se eksperienca e hidhur e viteve 1995-1996 na ka krijuar një shqisë së posaçme ne, demokratëve, për t’i vlerësuar drejt mesazhet që vijnë nga Uashingtoni. Opinioni ynë publik në përgjithësi e veçanërisht anëtarët e Partisë Demokratike nuk do t’ia falnin askujt që do të dëmtonte me qëllim ose pa qëllim miqësinë tonë me SHBA-në”
Për të djathtën
“Për këto idetë e shkrirje-ngrirjeve nuk ka kohë të realizohen deri në zgjedhjet e ardhshme. Le të mbetet ky një proces, që të zhvillohet pas zgjedhjeve, në mënyrë që të kryet me seriozitetin që meriton dhe t’i shërbejë vërtetë, sinqerisht, realizimit të Partisë Demokratike dhe krejt të djathtës shqiptare. Historia jonë politike nuk mbyllet verën e ardhshme. Pse gjithë ky padurim?”