Ministria e Bujqësisë në raportin e saj mujor ka vazhduar të këmbëngulë që çmimet e ushqimeve janë ulur, ndërkohë që konsumatorët vazhdojnë të ankohen për ditë se çmimet e ushqimeve janë në rritje.
Sipas Ministrisë çmimet e artikujve ushqimorë kanë shënuar një ulje mesatare prej 64 %gjatë muajit gusht krahasuar me Korrikun. Krahasimi i bërë me një muaj më parë, tregon se rënia e çmimeve ka ardhur për pasojë e rritjes së prodhimit vendas.
Shumë prej konsumatorëve shprehen se rënia e deklaruar e çmimeve nuk është e ndjeshme. Sipas tyre çmimet vazhdojnë të jenë të larta, në një kohë që produktet e importit krahasuar me ato vendase nuk kanë diferenca të mëdha në çmime.
Sipas statistikave të publikuara perimet kanë rënë në masën 12 % në një kohë që për grupet e tjera të konsumit, rënia është në nivele më të ulëta. Kështu, çmimi i qumështit paraqitet me rritje të vogël prej 0,2 %, çmimi i djathit të bardhë u ul 0,4 % dhe djathi kaçkavall 1 %.
Çmimi i mishit të lopës e deles u ul 1 %, mishi i viçit dhe i pulës 2 %, mishi i dhisë dhe kecit 5 %, ndërsa me rritje rezulton mishi i derrit prej 4 %. Specialistët shprehen se sezoni i prodhimit ka sjellë mbushjen e tregut me këto produkte dhe si rezultat uljen e çmimit të tyre.