Me buxhetin e qeverisë, kryeministri Berisha, ka vërtetuar për të disatën herë se nuk ka arritur të mbajë asnjë premtim dhënë qytetarëve shqiptarë. Në një deklaratë për media nënsekretari për Programin në PSSH, Ilir Beqja, u shpreh se deklaratat e Berishës për rritje pagash në janar apo në Maj të vitit 2009, janë thjesht një mashtrim i radhës i qeverisë.
“Kryeministri Berisha deklaroi se në maj 2009 pensionet do të rriten 10 dhe 20 % dhe jo 5 apo 10 % si më pare. Edhe pse pensionistët në qytet e dinë, sot, është koha t’i kujtojmë kryeministrit Berisha se vetëm nën qeverisjen e tij ka ndodhur që në vitet 2006 dhe 2007 pensionet e qytetit të rriten 5 %.”- u shpreh Beqja. Sipas tij, rritja 10 dhe 20 % është gënjeshtër e madhe, sepse nuk do të ketë dyfishim për 320 mijë pensionistë dhe këta janë ¾ e numrit të pensioneve të pleqërisë. Është gënjeshtër skandaloze për të gjithë 280 mijë pensionistët, për të cilët kryeministri Berisha nuk mban as gjysmën e premtimit të tij”- vazhdoi ai.
Ka 10 ditë që Kryeministri vendit ka filluar të joshë shqiptarët duke deklaruar se çfarë do të bëjë në janar 2009 apo në maj 2009. E bën këtë gjë në panik elektoral, pasi e pa që shqiptarët refuzuan të pranojnë gënjeshtrat e tij për “bëmat” e 7 muajve të parë të vitit 2008, ashtu si edhe për rezultatet e 3 vjet qeverisje. Kryeministri Berisha deklaroi se në maj 2009 pensionet do të rriten 10 dhe 20 % dhe jo 5 apo 10 % si më parë dhe kështu ai nuk mban as gjysmën e premtimit të tij.
“Kryeministri deklaroi se do të rrisë pensionet në datë 1 maj dhe u përpoq ta shesë këtë si risi të tij. I kujtojmë kryeministrit se ka detyrim ligjor të indeksojë pensionet çdo datë 1 maj. Zbatimi i këtij detyrimi në maj 2009, nuk ia lan gjynahet që i ka pensionistëve për moszbatim të indeksimit çdo datë 1 maj për 3 vjet rresht”- përfundoi ai.