Vlorë- Tre të dëmtuar kanë qenë pasojat e dy plagosjeve të ndodhura në dy zona të ndryshme të rrethit të Vlorës. Ngjarja e parë i përket një grindje për motive banale në një nga lokalet që ndodhen në Orikum.
Dy të afërm janë dëmtuar me mjete të forta ndërsa autorët e dyshuar janë tashmë të evidentuar. Grindja ka nisur nga një debat i momentit, i cili është përshkallëzuar pa ndonjë motiv konkret.
Gjithçka ka degjeneruar në një sherr, ku janë përfshirë Ermal Sherifi 24-vjeç, Aleksandër Sinanaj, 21-vjeç si dhe David e Eltjon Mustafaraj përkatësisht 25 e 27-vjeç. Dy personat e fundit janë qëlluar me mjete të forta në kokë e trup teksa janë përleshur me njëri tjetrin.
Pas kësaj Sinanaj e Sherifi i janë larguar vendngjarjes. Policia i ka shpallur në kërkim për veprën penale të plagosjes me dashje. Një tjetër grindje ka përfunduar në një përleshje me thika në fshatin Treblovë. Roland Mehmetaj 24-vjeç dhe Përparim Mehmetaj 32-vjeç në grindje e sipër, janë qëlluar me thika. dy personat janë kushërinj, ndërkohë që fillesa e grindjes ka pasur po motivet banale.