Premte, 21 Nentor 2008 00:41:32

Lexoni versionin Print

Damir Fazlic dhe heshtja e kryeministrit Berisha

Ilir Yzeiri
Shtune, 04 Tetor 2008 14:30:00

Gazeta “Tema” që drejtohet nga gazetari Mero Baze, në disa numra rresht të javës që shkoi dhe të kësaj jave, ka botuar një cikël investigativ, ku citohen edhe disa media të tjera ballkanike, që ka në qendër një personazh. Ai quhet Damir Fazlliç dhe, sipas investigimit në fjalë, është njeriu hije i Sali Berishës, eminenca gri e tij, njeriu që ka orientuar veprime të rëndësishme të administratës shqiptare që kur PD dhe Berisha rierdhën në pushtet dhe që kulmuan me skandalin e Gërdecit.

Sipas këtij investigimi, këtë personazh e ka afruar fillimisht me Partinë Demokratike dhe Berishën, ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, i cili, para se të ngjitej nga hiçi në mënyrë spektakolare në majat e pushtetit, ka punuar në administratën e UNMIK në Prishtinë.

Faktet që përmenden në këtë investigim të gjatë janë shokuese dhe ajo që bie në sy është se nuk ka asnjë rresht të paargumentuar apo të pambështetur në burim.

Ato ngjarje për të cilat flitet aty, nuk mund të kalohen në heshtje. Por heshtja e institucioneve kryesore të shtetit dhe e opozitës gjithashtu po e shoqëron këtë denoncim. Dhe ajo që edhe pritej edhe nuk pritej është heshtja e Sali Berishës.

Kryeministri i Shqipërisë është ndër ata drejtues shtetesh në Ballkan e më gjerë, që nuk lë rast pa dalë në televizor dhe pa u marrë gjerë e gjatë me gjithçka. Në këtë rast, hesht.

Berisha është i njohur në opinion për miqësitë informale që ndërton me njerëzit rreth tij. Autori i publikimit të fakteve mbi Damir Fazlliç është Mero Baze, i cili ka qenë për një kohë të gjatë njeriu që ka pasur një miqësi të thellë informale me Sali Berishën, kështu që PD-në ai e njeh më mirë se askush tjetër. Herë-herë janë bërë spekulime në shtyp, sidomos, atëherë kur kjo miqësi informale e Mero Bazes me Sali Berishën u prish.

Personalisht i njoh mirë që të dy dhe besoj se akuzat publike dhe ditën për diell që i bën Mero Baze sistemit korruptiv të Sali Berishës janë serioze dhe vërtetojnë se S.Berisha jo vetëm që ka shkelur kontratën me qytetarët, por është vetë një qytetar që duhet të shkojë para drejtësisë.

Problemi i dytë që del duke lexuar investigimin e gjatë për Damir Fazlliç dhe lidhjet e tij me aferat korruptive të Kryeministrit Shqiptar, është heshtja e Prokurorisë dhe institucioneve të tjera të sigurisë kombëtare.

Misha Gleen ka botuar edhe një libër për mafien në Ballkan dhe në këtë rast ne jemi përpara një fakti të tillë. Tentakulat e mafies ballkanike patjetër që janë shtrirë edhe në Shqipëri, por se mund të kenë arritur në të tilla nivele, pra, se mund të kenë kapur edhe Kryeministrin Shqiptar dhe Ministrin e Jashtëm, kjo është së paku, një akuzë serioze. Dhe ky denoncim publik duhet të mjaftojë që Prokuroria Shqiptare të dalë publikisht para opinionit dhe të sqarojë se si e gjykon ajo këtë denoncim.

Gjëja e tretë që bie në sy është heshtja e opozitës. Dhe të mos harrojmë që denoncimi publik i lidhjeve të S.Berishës me D.Fazlliç, (një individ që akuzohet për lidhje me të gjitha ngjarjet tragjike në Ballkan - deri edhe me vrasjen e kryeministri serb Xhinxhiç, sipas investigimit të sipërcituar), u bë pasi një diplomat i lartë i dha shtypit shqiptar një informacion të besueshëm për hapat prapa që po bën qeveria shqiptare dhe për gjendjen shqetësuese të demokracisë në Shqipëri.

Në ditët në vijim pritet që dikush të reagojë, ndoshta edhe Presidenti i Republikës. Ai ka mënyrën dhe mjetet që të kërkojë apo të nxitë procesin e transparencës së financimeve të partive politike. Ai gjithashtu mund të inkurajojë edhe prokurorinë që të mos rrijë duarlidhur sa herë që ngjarje të tilla të rënda bëhen publike. Investigimi gjithashtu u botua edhe pas demonstrimit të forcës në Himarë dhe përpjekjeve për të nxitur trazira që kanë si sebep tokën. Të gjitha këto nuk mund t’i zbuti limonada që u derdh mbi trutë e shqiptarëve për historinë e martesës së djalit të kryeministrit dhe spektakli banal i Kryeministrit duke bërë not.

Shqiptarët po mësojnë se, veç të tjerash, Kryeministri i vendit të tyre ka marrë dhe vazhdon të marrë vendime të rëndësishme nën ndikimin e një individi si ky D.Fazlliç. Të gjithë kemi të drejtë të dimë është e vërtetë kjo zoti Kryeministër apo jo?

Po ashtu duam të dimë nëse prokuroria po heton apo jo? Zonja Ina Rama duhet ta dijë se Silvio Berluskoni, në një rast u mor i pandehur nga prokuroria e Napolit vetëm pse iu zbulua biseda telefonike, ku i thoshte drejtorit të filmit në RAI, (Saca-së) që të aktivizonte në ndonjë film dy vajza, njërën se e kishte qejf Umberto Bosi dhe tjetra se i pëlqente atij. A do ta pyesësh Sali Berishën në lidhje me Damir Fazlliç, zonja Ina Rama?


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Brown takon Sejdiun e Thaçin: Mbështetje për Kosovën

20/11/08 20:54:00 | Kryeministri Brown i ka inkurajuar udhëheqësit kosovarë të..

Thaçi nga Anglia: Kosova e vendosur për Eulex me 4 pika

20/11/08 13:10:00 | Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është pjesë e delegacionit..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML