Arrestimi i Fazlliç për çështjen e Legijas
Kryetari i mafia serbe, Legija dhe gjenerali kroat Gotovina, njihen që nga mesi i viteve ’80. Të dy janë kthyer në ish- Republikën Jugosllave në vitin 1991 për t’u vënë në dispozicion të popullit të tyre. Plani i tyre fillestar, për mbërritjen në Sarajevë përmes aeroportit kishte dështuar. Kështu Lukoviç (Legija) vendosi të gjejë një rrugë tjetër dhe të kërkojë ndihmë nga mafia e Bosnje- Hercegovinës, e cila udhëhiqej nga kroati Gotovina. Sipas zyrtarëve kroatë, ky i fundit ishte fshehur në Hercegovinë për një vit.
Kështu mendohet përfshirja e biznesmenit të suksesshëm në atë kohë, Damir Fazlic. Ai u mendua për një përfshirje të tij në lidhjet mafioze. U mbajt nën arrest në një hotel të quajtur “Aqua”, nga policia Federale, për lidhjet e tij me kryetarin e Legias, Milorad Lukovic. Policia kishte kishte arritur në përfundimin se Fazlliç, kishte në telefonin e tij thirrje nga Lukovic dhe bashkëpunëtorët e tij.
Por ai u lirua për prova të pamjaftueshme. Megjithatë, sipas burimeve zyrtare, pas dështimit nga ana e Fazllic për privatizimin e industrisë së duhanit në BiH, ai kërkoi nga Legia për ta mbrojtur nga Subotic. Tani se si Legia e ka bindur Subotic, që ta lënë vetëm Fazlic të veprojë, kjo është ende e panjohur. Mendohet se stacioni në hotel ku ishte akomoduar Fazllic, ishte një humbje gjurmësh për pastrimin e parave të drogës.
Fazlliç dhe çështja e hotelit në Sarajevë
Damir Fazlliç është i njohur në publik si një kriminel i zgjuar, një njeri që ndodhet në çdo vend ku ka marrëveshje. Mendohet të jetë prishësi i marrëveshjes së ndërtimit të një hoteli Rogner në Skendërija në Sarajevë. Prezenca e tij mendohet të ketë pasur ndikim në shumë kontrata të lidhura me një rëndësi të madhe, siç janë privatizimi i Noglia nga Magai, të Industrisë së Duhanit Mostar dhe të Industrisë së Duhanit në Sarajevë. Ai mendohet të jetë përfshirë edhe në ndërtimin e autostradës Sarajevë – Zenica. Ai qarkullonte gjithashtu i lirë në Sarajevë, edhe me makina të shtrenjta që i importonte nga jashtë pa paguar detyrimet doganore dhe lëvizte nëpër qytet për një kohë të konsiderueshme pa u ndalur nga policia.
Të gjitha materialet e dosjes ku emri i boshnjakut lidhet me çështjen e Gërdecit por edhe me trafikun rajonal
Fazlliç, ngrihet akuza e trafikut të armëve
Njeriu i konsideruar si një ndër mashtruesit dhe trafikantët më të mëdhenj të Ballkanit, Damir Fazlliç, ka rifituar dje lirinë. Burime të Prokurorisë Federale të Bosnjes kanë lajmëruar lirimin me kusht të Damir Fazlliç, një ndër eksponentët e një grupi të krimit të organizuar. Por këto burime nuk kanë bërë publike nëse miku i kryeministrit shqiptar Sali Berisha ka paguar për lirinë me kusht apo thjesht është vendosur që të ndiqet në gjendje të lirë.
Të njëjtat burime konfirmuan dje se liria e Damir Fazlliç është “shkëmbyer” me ngritjen e një akuze tjetër për të, edhe më të rëndë. Tashmë ai do të hetohet jo vetëm për mashtrim financiar por dhe trafik armësh. Çështja e trafikut të armëve ka një lidhje direkte edhe me Shqipërinë dhe Gërdecin, pasi boshnjaku mendohet se ka kryer veprime edhe tek ne.
Hetime të ndryshme të prokurorisë së Bosnje hercegovinës tregojnë se ky shtet ka qenë qendra e shumë prej operacioneve trafikimit të armëve me bazë Shqipërinë. Disa muaj para dekonspirimit të këtij trafiku (si pasojë e shpërthimit në Gërdec), disa agjenci të inteligjencës kanë raportuar se ngarkesat me bazë Shqipërinë në pjesën dërrmuese të tyre porositeshin nga Bosnjë-Hercegovina, ndërsa destinacionet kanë qenë kryesisht për në vendet e Lindjes së Mesme dhe të Azisë. Në trekëndëshin Shqipëri-Bosnjë-Destinacion, shërbimet e huaja të inteligjencës kanë spikatur praninë dhe kontaktet e vazhdueshme të shtetasit boshnjak Damir Fazlliç me aktorët kryesorë të këtij trafiku.
Në një tjetër dosje hetimore, Damir Fazlliç lidhet me një çështje të trafikut të “katjushkave”. Kjo dosje është përpiluar nga hetuesit izraelitë pasi këto armë po i shiteshin pikërisht vendeve armike me të. Historia e rëndë e këtij trafiku lidhet me të njëjtat personazhe që qëndrojnë pas tragjedisë së Gërdecit. Fishekët e Efraim Diverolit duket se janë vetëm një “rikoshetë” e papërfillshme në sfondin e një trafiku ndërkombëtar municionesh të zhvilluar për muaj me radhë me bazë Gërdecin. Gazeta investigative boshnjake “Slobodna Bosnia” i ka bërë tre vite më parë një “skaner” gjithë aktivitetit të Fazlliç.
Sipas kësaj gazete, “Fazlliç hyri për herë të parë në biznesin e armëve nëpërmjet kompanisë “Uniworld” me seli në Limasol, Qipro. Kjo shoqëri ishte regjistruar në emër të Vladan Deliç, i cili njëherë e një kohë punonte për kompaninë “GENEX”. Në kohën e sulmeve të NATO-s mbi Serbi në vitin 1999, Fazlliç së bashku me një grup ish-punonjësish të “GENEX” morën pjesë në furnizimin me armë të Republikës Federale të Jugosllavisë. Armët niseshin nga Rusia dhe vinin nëpërmjet kompanisë “Matrex”. Armët në fjalë ishin “antiraketë”, të cilat i duheshin shumë asokohe Millosheviçit për të mbrojtur vendin e tij.
Disa vite më parë Fazlliç u bë përfaqësuesi ekskluziv për firmën “GENEX” në Bosnjë-Hercegovinë”, - shkruante “Slobodna Bosnia” në vitin 2005. Gazeta investigative “Slobodna Bosnia” raportonte në vitin 2005, se Damir Fazlliç është aksioner i kompanisë “Jef Corporation”, e cila është një kompani e regjistruar në “Virgin Island” dhe me një filial në Kiev. “Një ndër lëvizjet e tij më të bujshme ishte në vitin 2002, kur ai u përpoq t’i shiste armë ruse shtetit sirian. Kjo ngarkesë prej 22 milionë dollarësh me armatime u sekuestrua në Beograd me urdhër të autoriteteve amerikane”, - shkruan “Slobodna Bosnia”.
Lidhjet e Fazlliç me familjen Berisha
Një person pothuajse anonim për të gjithë Shqipërinë por tepër i njohur për stafin e ngushtë të kryeministrit Sali Berisha. Damir Fazlliç shëtiste i qetë në Tiranë, ndërhynte në ndonjë çështje të vogël ku mund të fitonte para dhe më pas zhdukej. Por të gjitha këto lëvizje të tij kanë lënë nga një gjurmë, sado e zbehtë që është ajo. Këto materiale janë mbledhur në një dosje që do t’i dorëzohet prokurorisë.
Njohja
Damir Fazlliç u bë shumë aktiv nga mesi i vitit 2005 në Shqipëri, ndërsa u njoh me kreu e PD, Berisha, në Uashington, ndërsa ky i fundit shkoi të lidhte marrëveshjen me kompaninë e lobingut BG&R. Roli i Fazlliç në PD dhe në marrëdhënie me Berishën mori një tjetër dimension, kur Fazlliç pas fitores së PD filloi të negociojë në emër të pushtetit të ri disa kontrata, ku përfshihen infrastruktura, energjia dhe Telekomi. Vetë Fazlliç ka qenë i angazhuar me këtë firmë si pasojë e njohjes së tij të hershme me përfaqësuesin ekzekutiv për Evropën Juglindore (të kompanisë BG&R).
Kosova
Damir Fazlliç luajti një rol misterioz në prishjen e marrëveshjes së BG&R me qeverinë e Kosovës lidhur me lobingun për pavarësinë dhe kalimin e kësaj kontrate me palën serbe. Kjo mendohet se është bërë në shenjë presioni. Por loja e dyfishtë e Fazlliç u bë shkaku i një çarje të madhe brenda BG&R. Krahu ekzekutiv i Leni Grifer mbështeti Fazlliç dhe iu afrua palës serbe për lobim, kurse një pjesë e stafit të BG&R që kishin punuar me PD në Shqipëri u larguan, pasi nuk pranuan që në të njëjtin rajon të punonin me të dy palët, dhe me serbët, dhe me shqiptarët.
Basha
Në këtë moment Fazlliç lidhet ngushtë me Lulëzim Bashën. Ai ishte njeriu që e përkrahu në emër të qeverisë shqiptare, hapi bashkë me kunatin e tij një zyrë konsulence të paregjistruar në Tiranë dhe u bë sekseri kryesor i kontratave të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit. Roli i Fazlliç si “ambasador” i lobingut për Partinë Demokratike u konfirmua, sidomos kur ai mundësoi ardhjen e amerikanit Tom Ridge në vitin 2006 në Shqipëri si këshilltar të kryeministrit Berisha. Kjo lëvizje krijoi shumë sensacion në atë kohë, pasi zoti Ridge më parë kishte punuar si Sekretar i Sigurisë Kombëtare pranë presidentit amerikan, George Bush, fill pas sulmeve të 11 shtatorit.
Argita
Të dhënat tregojnë se Fazlliç ruan ende miqësinë me kryeministrin Berisha, ndërsa të njëjtën miqësi ndajnë dhe dy fëmijët e kryeministrit. Në tetor 2005 Argita Malltezi krijoi një studio së bashku me avokaten Flutura Kola. Emri i saj ishte “Malltezi&Kola. Por studioja u shit më pas tek një firmë qiopriote. Zonja Kola nuk u kujtua ndonjëherë të regjistronte firmën sipas prokurës qipriote dhe vendimit gjyqësor shqiptar, por shitësi i shkathët Damir Fazlliç shkoi me kontratën e firmosur nga zonja Kola në bankë dhe tërhoqi plot 1 milion e 700 mijë euro.
Kjo sasi parash u mor për një shitje që nuk ishte kryer kurrë, ndërsa eurot u transferuan në Shqipëri nga një firmë e cila vetëm sa rezulton e regjistruar në Qipro, pasi pronarët janë pjesë e një grupi të fuqishëm serb në fushën e investimeve. Por ndonëse me pronarë serbë, firma “ALTARIA RESEARCH LIMITED” ka zgjedhur të operojë nga Nikosia në Qipro, një zonë bankare e tipit “offshore. Fazlliç mund t’i depozitojë 1 milion e 700 mijë eurot e tij në çdo cep të botës duke treguar si faturë çekun e marrë nga bankat shqiptare.
Shkëlzeni
Një tjetër ndërhyrje e Fazlliç në kontratat shqiptare ka qenë ajo në rinegociimin e shitjes së kompanisë shtetërore “Albtelekom”. Mësohet se Fazlliç ka qenë shumë aktiv në rinegociimin e kësaj kontrate me turqit, ndërsa vetë kryeministri Berisha emëroi djalin e tij, Shkëlzenin, në Drejtorinë Juridike të “Albtelekom”-it, gjatë kohës së tratativave. Por një tjetër ndërhyrje po kaq e fuqishme e Damir Fazlliç ka qenë dhe bashkëpunimi i tij me ministrin Basha gjatë tenderimit dhe prokurimit për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Edhe në këtë marrëveshje Fazlliç është treguar aktiv dhe ka qenë aktiv.
Dosja boshnjake e mikut të kryeministrit
Damir Fazlliç, njeriu që vitet e fundit ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit shqiptar dhe autor i ardhjes së firmës lobiste BG&R dhe këshilltarit amerikan, Tom Ridge, rezulton me një dosje shumë voluminoze të bashkëpunimeve të tij me personazhe të njohur të botës së krimit. Mediat më serioze të Bosnjë-Hercegovinës kanë raportuar lidhur me aktivitetin në vite të zotit Fazlliç, ndërsa ai spikat në një lidhje shumë serioze me bazë Beogradin.
Sipas mediave boshnjake, “Dani” dhe “Slobodna Bosnia”, Fazlliç së bashku me ish-ministrin e Mbrojtjes të Bosnjës, Hasan Çengiç, janë marrë në pyetje pas të dhënave se ata mund të kishin fshehur vrasësin (Milorad Ulemek, “Legija”) e kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç. “Autoritetet serbe i kërkuan zyrtarëve boshnjakë që të merrnin në pyetje Hasan Çengiç dhe Damir Fazlliç lidhur me dijeninë që ata mund të kishin për vendndodhjen e komandant Legijës. Autoritetet serbe kishin të dhëna se Legija fshihej në Bosnjë pas atentatit që ai i organizoi kryeministrit serb, ndërsa shtetasit boshnjak, Damir Fazlliç, iu gjetën në telefon numri i komandantit të kërkuar, Legija, por edhe numri i vetë kryeministrit të vrarë”, - raportonin gazetat boshnjake në vitin 2003.
Klani i Zemunit
Autoritetet serbe ishin të sigurta se Fazlliç mund të kishte gisht në fshehjen e komandantit “Legija”, duke qenë se ai kishte një marrëdhënie shumë të ngushtë me të. “Kur Fazlliç mendoi të ndërhynte në privatizimin e një fabrike duhani në Serbi, bosi serb i cigareve në Ballkan, Stanko Subotiç, i acaroi shumë marrëdhëniet me Fazlliç. I frikësuar Fazlliç i kërkoi ndihmë komandantit “Legija”, i cili ndërhyri dhe e zgjidhi problemin mes tyre”, -shkruanin asokohe gazetat boshnjake, të cilat iu referoheshin burimeve policore.
Në vitin 2003 shefi i policisë sekrete të Bosnjës, Almir Dzhuvo, në një raport konfidencial (që më pas u botua në mediat boshnjake), pretendonte se Fazlliç kishte lidhje të fuqishme me klanin e Zemunit (rrethi i biznesmenëve dhe ushtarakëve që rrethonin Millosheviçin), ndërsa katër vite më vonë (2007), duket se Fazlliç i zgjidhi problemet e veta, pasi biznesmeni serb, Vojin Lazareviç, konfirmoi takimin që kishte bërë me Fazlliç, si dhe me shefin e policisë sekrete dhe personazhe të tjerë, ku ishte folur për armët dhe investimet në energjitikë.
Socialistët kanë publikuar dje detaje të miqësisë së Berishës me një nga trafikantët më të mëdhenj të Ballkanit
Braçe: Dosje me 800 faqe për aktivitetin e Fazlliç
TIRANË- Miqësia e kryeministrit Berisha me Damir Fazlliç dhe aferat e përbashkëta janë dënuar dje nga opozita shqiptare. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, ka publikuar dje një sërë dokumentesh që tregojnë lidhjen Fazlliç- Berisha. Ai ka paraqitur një dosje prej 800 faqesh, e cila do të dërgohet në prokurori në lidhje me çështjen Fazlliç. “Sot në dritë të diellit, në sy të çdo shqiptari, nuk është më qeveria legjitime e Shqipërisë, por qeveria ilegale e kapur e Sali Berishës; nuk është më qeveria legjitime e qytetarit, por qeveria ilegale e grupimeve mafioze; nuk janë më institucionet ligjore por institucionet nepotike e tribale të fisit, të cilat nuk i shërbejnë më ligjërisht qytetarit, por një grushti njerëzish që i përzgjedh MAFIA, i emëron në krye të shtetit MAFIA, i komandon MAFIA, me të cilën ndajnë të mirat publike të shqiptarëve dhe përfitimet nga shfrytëzimi i paligjshëm, kriminal i të mirave publike të shqiptarëve”,- tha dje Braçe.
Sipas tij, Damir Fazlliç ka ndërtuar lehtësisht pesë firma në Shqipëri, tre brenda dy ditësh, dy prej të cilave brenda një ditë, tre në ortakëri të plotë me familjarë shumë të afërt të ministrit të shtetit, Lulëzim Basha. “Të gjashta kompanitë, në statut kanë një objekt, tregun e pasurive të paluajtshme, tregun endërtimeve dhe çdo gjë tjetër që varej nga ajo ministri.
Në tre prej tyre emëron administrator kunatin e ministrit të Punëve Publike dhe Ndërtimit, Lulëzim Basha, Erion Isufi quhet. Nuk paguan asgjë, asnjë detyrim në agjencitë legale të të hyrave publike në Shqipëri, madje me borxhe të evidentuara të pakërkuara e të pandëshkuara, si mijëra biznese të tjera në këtë vend, të cilave Sali Berisha iu rrjep të shtatëlëkurët”,- tha Braçe. Ai ka komentuar edhe lidhjet direkte të Fazlliç me familjen Berisha. “Fakti është kokëfortë.
Damir Fazlliç vjen në Tiranë, i shërben Partisë Demokratike për ta sjellë në pushtet, krijon në Tiranë po gjashtë firma me lehtësinë më të madhe, objektin e përcakton po vetë, në fushën e ministrit mik, ortakërinë e këtyre firmave e ndan me kunatin e Ministrit të linjës, Lulëzim Basha, Erion Isufi, dokumentet i bën në studiot ilegale të Sali Berishës apo në studiot legale të së bijës së tij Argita Berishës, transaksionet financiare i kryen me ortaken e deklaruar të saj avokaten Kola, legalizimet i bën në noterinë e gruas së drejtorit aktual të përgjithshëm të rrugëve, kontabilitetin e lë në dorën e mbesës së kryeministrit, Breçani, të gjithë aktivitetin si sekser e vendos tamam atje ku duhet të ishte, në zyrën e Sali Berishës”,- pohoi Braçe.