Berat- Rikthehet problemi me ujin e ndotur në Urën Vajgurore të Beratit. Burime zyrtare nga reparti infektiv i spitalit rajonal të Beratit bëjnë të ditur se ditët e fundit kanë ardhur disa banorë nga Ura-Vajgurore, me diarre, të vjella, këputje trupi etj.
Sipas mjekëvekjo sëmundje vjen nga vapa, ose uji i ndotur, që në këtë rast sipas tyre është i vetmi shkak i sëmundjes.
Nga reparti i pediatrisë të këtij spitali pohojnë se ditët e fundit ka pasur dhe fëmijë me të njëjtat shenja. Petraq Ceca, mjek infeksionist bën me dije se pacientët kanë ardhur në gjendje shqetësuese me shenjat tipike të sëmundjes shkaktuar nga uji i ndotur.
Të afërt të familjarëve të sëmurë pohojnë se problemet kanë ardhur nga përdorimi i ujit të çezmave, pasi shumë prej tyre nuk kanë mundësi të blejnë ujin e pijshëm.
Burim furnizimi është depoja, e cila nga analizat e tre muajve më parë rezultoi si burim infeksioni, ndërkohë që specialistët rekomanduam prerë se uji që vinte prej saj nuk duhet të konsumohej.
Ndonëse me dhjetëra herë banorët e Urës Vajgurore kanë protestuar dhe i kanë kërkuar pushtetit lokal zgjidhje për problemin e ujit të pijshëm, ende kjo e fundit nuk ka mundur që të zgjidhë këtë problem madhor për 12 mijë banorët e saj. Burimi nga ku pompat thithin ujin për të furnizuar të gjithë këta banorë dhe të fshatrave përreth ndodhet vetëm 25 metra larg bregut të lumit Osum, si dhe ngjitur me kanalin e ujërave të zeza të lagjes “Gur i Bardhë”, “18 tetori” etj.
Sipas të njëjtave burime kjo ka bërë që disa herë në këto lagje dhe në këtë qytet të bien epidemi të ndryshme deri në rastin më flagrant të 5 viteve më parë të rënies së sëmundjes së kolerës, e cila solli dhe një viktimë.
Drejtori i qendrës shëndetësore të Urës Vajgurore, mjeku Ibrahim Sade tha se problemet shëndetësore të banorëve do të marrin fund vetëm atëherë kur të zgjidhet problem i ujit të pijshëm.
Sipas kryetarit të bashkisë së Urës Vajgurore, Syrja Ormëni ndotja e ujit të pijshëm në këtë qytet është një nga problemet më të mprehta dhe ende i pazgjidhshëm për arsye se bashkia e këtij qyteti nuk ka fonde për të ndërtuar një ujësjellës të ri.