Fier- Policia e Fierit ka zbuluar një arsenal armësh, hedhur në një kanal në një fshat të Fierit. Arsenali u gjet në rrugën rurale që lidh fshatin Seman me fshatin Seman i ri, në një kanal në vendin e quajtur ‘Kulla e Ujit’.
“Zbulimi i tyre u bë në bazë të informacione të marra në rrugë operative, që njoftonin se në këtë vend kishte armatime të fshehura”- thanë burimet e policisë, të cilët pas kontrollit gjetën arsenalin.
Sipas të njëjtit burim në kanal u gjetën 69 arka me fishekë me një sasi prej 70 mijë fishkësh model 56. brenda arkave u gjetën edhe 5 mitralozë, nga këta katër të rëndë të kalibrit 12.7 milimetër dhe një i lehtë 7.62.
“Në të njëjtin vend u gjetën edhe tre granata hedhëse të lehta”- thanë më tej burimet e policisë. Aktualisht, policia po kryen veprimet e para hetimore, por ende nuk jepen të dhëna se kush mund t’i ketë lënë municionet në këtë vend.
Hetimet paraprake bëjnë me dije se arkat janë hedhur disa ditë më parë në këtë vend dhe nuk kanë qenë aty prej kohësh, por për një version zyrtar do të pritet mbyllja e hetimeve.