Premte, 05 Dhjetor 2008 00:15:14

Lexoni versionin Print

Fazlliç: Lidhjet me Berishën e Bashën

Biznesmeni boshnjak, Damir Fazlliç, sapo ka rifituar lirinë ka rendur për tu zhdukur nga Sarajeva dhe ka udhëtuar drejt Londrës. Ai banon në veri të Londrës në një lagje të pasurish dhe që aty tenton të fshehë të gjitha transaksionet bankare që ka bërë në Shqipëri.

Fejzi Braushi
Marte, 07 Tetor 2008 08:10:00

Pas lirimit me kusht, i akuzuari si trafikant tregon lidhjet me kryeministrin shqiptar dhe ministrave të tjerë të kabinetit

LONDËR- Biznesmeni boshnjak, Damir Fazlliç, sapo ka rifituar lirinë ka rendur për tu zhdukur nga Sarajeva dhe ka udhëtuar drejt Londrës. Ai banon në veri të Londrës në një lagje të pasurish dhe që aty tenton të fshehë të gjitha transaksionet bankare që ka bërë në Shqipëri. Madje Fazlliç tenton të mohojë edhe dokumentin që mban firmën e tij. Por nga ana tjetër, ai nuk mohon, madje shprehet me krenari se është mik i kryeministrit shqiptar Sali Berisha. Në një intervistë me gazetarin Muhamet Veliu ai shpjegon detaje rreth miqësive dhe aktivitetit në vendin tonë.

“Nuk e mbaj mënd se sa kompani kam. Ajo që mund të pohoj është se unë jam një investues në Shqipëri. Besoj se Shqipëria ka shumë potenciale të frytshme për të investuar. Ju keni një qeveri largpamëse. Po unë jam një investitor aktiv në Tiranë”,- deklaron Fazlliç. Ai ka komentuar edhe çështjen e kunatit të Lulëzim Bashës, Erjon Isufit duke e cilësuar atë një djalë “me potencial”. “Unë nuk e kam hequr zotin Isufi nga puna. Ai ka shkuar të merret me bizneset e tij private. E shikoj atë një djalë të ri me potenciale. Ai ka menaxhuar vetëm një prej bizneseve të mija”,- thotë Fazlliç duke përpjekur që të fshehë kontratat që tashmë janë bërë publike në Shqipëri.

Në lidhje me Sali Berishën ai shprehet se është krenar që e ka mik. “Jam krenar të konsideroj zotin Berisha si një nga miqtë e mi. Nuk më duhet të jem mik me zotin Berisha për të pasur avantazhe në biznes. Unë mendoj se ligjet në Shqipëri të hartuara nga qeveria janë të mjaftueshme për cilindo investitor të huaj, për të zhvilluar një biznes pa qenë mik me kryeministrin apo ministra të tjerë”,- shpjegon ai.

Biznesmeni tregon se është takuar për herë të fundit me Berishën vetëm nëntë muaj më parë. Në këtë kohë Fazlliç ka paraqitur në qeveri një projekt të firmave të tij. Fillimisht tenton të mohojë edhe shitjen e kompanisë “CROËN ACQUISITIONS”. Por kur i bëhet i njohur akti i shitjes me vlerë një milion e 700 mijë euro ndalon së foluri. “Nuk është e vërtetë . Unë ju tregova në fillim. Nuk kam ndërmend t'ju tregoj detaje pasi pastaj do të më duhen gjashtë orë të bisedoj”,- thotë boshnjaku.

PROKURORIA

Emri i Damir Fazlliç nuk figuron në asnjë dosje të bujshme si ajo e Gërdecit apo e aferës së armëve që po hetohet. Kjo bëhet e ditur në një prononcim zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme. Por nga ana tjetër prokuroria ka pohuar se do të merret ditët e ardhshme me çështjet e tjera ku pretendohet përfshirja e biznesmenit serbo – boshnjak. Opozita ka kërkuar një hetim serioz nga ana e Prokurorisë duke mos u ndikuar aspak nga presionet politike.


PS paraqet në Kuvend kërkesën për mocion me debat me kryeministrin Berisha për lidhjet me“Fazlliç”

Leskaj: Berisha ta ftojë Fazlliç në shtëpinë e tij

Partia Socialiste kërkon kryeministrin Sali Berisha në një debat parlamentar për çështjen “Fazlliç”. Në këtë përfundim arriti dje grupi parlamentar socialist, pasi analizoi zhvillimet e fundit dhe faktet e reja që janë publikuar në media për lidhjet e kryeministrit dhe njerëzve të tij të afërt me biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç, i arrestuar disa ditë më parë nga policia boshnjake. “Vendimi i Grupit Parlamentar Socialist lidhet me skandalin më të fundit që ka shpërthyer në vend, e që ka implikuar direkt Kryeministrin e vendin dhe qeverinë e tij. Kjo, një qeveri e ngritur mbi themele korrupsioni dhe parash të pista, të mbajtura në këmbë nga këto lidhje korrupsioni në kurriz të shqiptarëve të varfër.

Në këto kushte, grupi socialist vendosi të thërrasë në Parlament Kryeministrin, në një mocion për debat, ku të japë shpjegime mbi lidhjet e tij e të familjes së tij biologjike dhe politike, më përfaqësues të aferave më të errëta në Ballkan“, - bëri të ditur kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, menjëherë pas mbledhjes. Në bazë të këtij vendimi grupi parlamentar socialist ka depozituar dje në mbrëmje në Kuvend edhe kërkesën zyrtare për mocionin për debat me kryeministrin.

Ndërkohë që gjatë seancës së pasdites lidhur pikërisht me këtë çështje, numri një i grupit socialist ka replikuar ndaj deklaratave euforike me anë të të cilave kryeministri Sali Berisha mbrojti marrëdhëniet e tij të afërta me sekserin boshnjak Fazlliç. Duke marrë shkas pikërisht nga gatishmëria e kryeministrit për të ftuar biznesmenin Fazlliç në një seancë dëgjimore në Kuvend, kryetarja e grupit socialist, ka reaguar ashpër dhe e ka konsideruar qëndrimin e kreut të qeverisë si një ofendim jo vetëm për opozitën, por për gjithë deputetët. “Kjo që ka ndodhur këtu nuk ka nevojë për komente. Është një ngjarje e turpshme, ku kryeministri i vendit i cili akuzohet rëndë për afera të pista korruptive, vjen këtu kërcënon Kuvendin, fyen Kuvendin, fyen deputetët, na kërcënon se do ta ftojë këtu. Eshtë mirë ta ftojë. Por ta ftojë në shtëpinë e vet dhe jo në Kuvend.

Kuvendi është një institucion i shenjtë dhe përveç kësaj dua t’i them kryeministrit”, - tha Leskaj në fjalën e vet që mbajti si replikë ndaj qëndrimit të kryeministri Berisha gjatë seancës së djeshme. Ajo ka ftuar kreun e qeverisë që të çlirohet nga frika dhe të pranojë mocionin për debat. “Ne i kemi kërkuar atij mocion për debat. Nuk ka pse trembet nga debati. Nuk ka pse trembet nga të vërtetat”, - tha më tej Leskaj. Ajo i ka kthyer përgjigje kryeministrit edhe për kërcënimet që ky i fundit i bëri deputetëve të opozitës, duke i kujtuar atyre ekzistencën e dosjeve që implikojnë ata në afera të pista korruptive. Leskaj ka bërë të ditur se opozita nuk ka frikë nga e vërteta dhe se nuk i shkon një kryeministri që të bëjë shantazhe me dosje që nuk ekzistojnë. “Ka tre vjet e gjysme që thotë se ka dosje. Ku i ka dosjet? Ti thotë këtu nëse i ka. Kjo do të thotë që mashtron. Kur të vije këtu për mocionin me debat, le të vijë me dosje. Por do të dëgjojë edhe dosjet tona”, - përfundoi Leskaj fjalën e vet.


Basha: Nuk më lidh asgjë me Fazliç. Ky i fundit: Lidhjet e mia me kunatin e Bashës

PD: “Fazliç, i lirë të ushtrojë biznesin e tij në Shqipëri”

TIRANË- Partia Demokratike nuk ka shpjeguar asgjë mbi faktet e publikuara në shtypin e përditshëm lidhur me aktivitetin e dyshimtë të Damir Fazliç dhe lidhjet e këtij të fundit me familjen e kryeministrit Sali Berisha, por edhe me ministrin e Jashtëm, Lulëzim Basha. Madje, në deklaratën e tij, zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, ka deklaruar se, Damir Fazliç dhe çdo biznesmen tjetër, vendës apo i huaj, ka qenë dhe është i lirë që në përputhje me rregullat e vendit të ushtrojë biznesin e tij”.

Bogdani ka injoruar në sqarimet e tij akuzat e rënda që janë hedhur në shtyp mbi lidhjet e krerëve të PD-së me Fazlliç, i cili, edhe sipas medieve të huaja cilësohet si një personazh i përfolur për trafiqe të shumta në rajonin e Ballkanit dhe për lidhje me eksponentë famëkeq të pushtetit politik. “Z. Fazliç në asnjë rast nuk ka kërkuar dhe nuk pasur asnjë lloj përfitimi nga fondet apo asetet publike të vendit”,- tha Bogdani. Në mungesë të përgjigjeve të kërkuara, Zëdhënësi i PD-së vetëm në pak rreshta, foli për Damir Fazliçin, për të cilin mediat po shkruajnë prej ditësh, ndërkohë që Bogdani nxitoi të merrej më shumë me qëndrimin e mbajtur për këtë çështje nga kryetari i opozitës, Edi Rama.

Ndërkohë dje në Kuvend, ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, ka mohuar që mes tij apo familjarëve të tij dhe Fazliç të jetë zhvilluar biznes i përbashkët dhe aktivitet ekonomik, një deklaratë kjo që në fakt e përgënjeshtron vetë Fazliç i cili në një intervistë televizive ka deklaruar se kunati i Bashës ishte menaxher në një prej bizneseve të tij.


Berisha kërcënon deputetët e opozitës. “Do sjell filmime të vërteta, fotografi të vërteta”

Berisha: Fazlliçin e kam mik, ua sjell në Kuvend

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha nuk ka pranuar asnjë nga akuzat që opozita ka ngritur gjatë ditëve të fundit për lidhjet e tij të pista me sekserin boshnjak Damir Fazlliç, përveçse ka konfirmuar se është mik i tij. I ardhur në seancën e djeshme në Kuvend vetëm për pak minuta, kreu i ekzekutivit ka pranuar vetë të flasë për çështjen “Fazlliç,” por pa u ndalur në ndonjë akuzë konkrete.

Shefi i qeverisë jo vetëm që ka pranuar se e njeh Fazlliç, por në momente euforie ka deklaruar se është i gatshëm ta sjellë atë edhe në Kuvend për të dëshmuar për gjithçka flitet në media dhe jo vetëm në të, duke vërtetuar në këtë mënyrë afrimitetin dhe lidhjet e ngushta që ka me të. “Po të doni jua sjell këtu edhe zotin Damir Fazliç. Jo e njoh, por dua t’u them këtu që nëse s’keni frikë prej tij, pranojeni t’ju dëgjojë se ai ka harxhuar shumë kohë me ju. Po s’e doni nuk e sjell”, - u shpreh kryeministri gjatë fjalës që mbajti në Kuvend, duke iu përgjigjur interesit të opozitës. Ai është treguar gjithashtu i gatshëm që t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së opozitës për mocion për debat për këtë çështje, duke u shprehur i hapur për të debatuar për çdo gjë që lidhet me këtë çështje. “I falënderoj dhe do ju dëshmoj gatishmërinë time të plotë dhe totale, të paraqitem para këtij parlamenti. Të betohem zonja kryetare që e pres me kënaqësinë më të madhe atë mocion vetëm të përgatitemi për transparencën më të madhe në historinë e këtij vendi, të arkivës së krimit. Jam i detyruar të mbaj një heshtje që mezi e kam mbajtur, nuk e mbaj më”, - tha më tej Berisha.

Por duke përfituar nga numrat e votave që ka në Kuvend edhe një herë ai ka provokuar opozitën duke deklaruar se është i gatshëm që të pranojë jo vetëm mocion për debat, por edhe mocion mosbesimi. “Ju jap fjalën që jam disponibël jo një mocion, por mocionin madhor të mosbesimit ndaj kryeministrit. Ju s’ua u mban për mosbesim por kjo është puna juaj”, deklaroi kryeministri.

Pavarësisht gatishmërisë së tij për t’iu nënshtruar kërkesës për debat, Berisha nuk ka nguruar të kërcënojë edhe një herë deputetët e opozitës se disponon dosje dhe materiale filmike që sipas tij implikojnë ata në afera të dyshimta. Sipas tij, dita kur do të bëhet mocioni për debat do të jetë dita e së vërtetës jo vetëm për personin e tij, por edhe për deputetët opozitar. “Mos i harxhoni gjërat tani se siç e dini kjo do jetë ora e transparencës, dita e transparencës. Kaq ju them, do sjell filmime të vërteta, fotografi të vërteta, do sjell gjithçka të vërtetë”, - ka kërcënuar Berisha deputetët e majtë.


Deputetët Arta Dade dhe Marko Bello flasin për aktivitetin e Fazliçit

Deputetët e PS-së: Fazliç pastron paratë e pista në vend

TIRANË- Krejt ndryshe nga qëndrimi i deputetëve të PD-së lidhur me aktivitetin e Damir Fazliçit në Shqipëri, kane qenë deputetët e opozitës gjatë debatit 60 minutash të zhvilluar në punimet e djeshme parlamentare. Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade, ka deklaruar dje se lidhjet e Fazlliçit, me zyrtarë në Serbi, Bosnje dhe vende të tjera, janë ana e errët e një sekseri që, sipas saj, “suksesin dhe pasurimin i arrinte me anë të një sistemi korruptiv, që bazohej mbi aleanca dhe miqësi politike”“Është e qartë se Fazlliç ka pasur interes që PD, Sali Berisha apo Lulzim Basha të vinë dhe të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet në Shqipëri, (me sa duket edhe Kryeministri ynë këtu i ka varur shpresat që thotë se do të rri 8 vjet në pushtet), pasi vetëm në këtë mënyrë rrjeti financiar okult i ngritur prej tij, do të sillte fitime të majme, pa rrezikuar asgjë.

Ndërmjetësimi elektoral që Fazlliç ka bërë për PD gjatë vitit 2005, është një rrethanë që tregon se si u përgatit gradualisht që në atë kohë, rrjeti korruptiv i personave dhe interesave, që do të merrnin më pas në duar pushtetin politik dhe atë ekonomik”, - tha Dade. Edhe deputeti i PS-së, Marko Bello, theksoi se aktualisht kemi të bëjmë me një të vërtetë të hidhur. “Tani Fazliç kontrollon sot pikat kyçe të shpëlarjes së parave të pista në vendin tonë. Nga sa relatojnë agjencitë e huaja të lajmet, por që do të zbulohet edhe ditët në vijim, qartazi duket se mënyra e këtij grykasi mafioz është jashtë çdo imagjinate”, tha ai.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

  • R.Jani: - 10-07-08
    EDHE LOJA MACJA ME MIUN,KA NJE FUND.

    PS dhe PD,kane reth 20 vite qe po lozin teatro per popullin shqiptar,duke u hequr se debatojne,o grinden.
    Realisht ato parti kane te perbashket vepra te zeza,qe
    dolen me fjalet e Berishes:DO TU SJELL TE GJITHA DOSJET.............Po keshtu tha edhe PS, Po EDHE NE DO SJELLIM TE GJITHA DOSJET. Ky eshte realiteti,te dy partite fallcoPS dhe PD, fshehin,kane per njeri tjetrin
    DOSJE. Loja e tyre analoge si macja me miun,me demek
    po grindemi, kete qellim ka TE FSHHIN DOSJET. C'do gje ka nje fund.Fundi i mashtrimeve ne te dy krahet U PROKLLAMUA. R.Jani

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML