Fier- Një 17-vjeçare është gjetur pa jetë në dhomën e saj të gjumit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Ftir, të Mallakastrës dhe viktima është një vajzë e re, e sapomartuar.
Sipas burimeve të policisë mësohet se e reja me inicialet L.M ka gjetur vdekjen, si pasojë e një plumbi që ka marrë. Hetimet e para dhe ekspertiza e bërë në vendin e ngjarjes, tregojnë (sipas policisë) se vajza është vetëvrarë, por ende nuk dihet asgjë e saktë rreth motiveve që mund ta kenë shtyrë atë drejt këtij vendimi ekstrem për jetën.
“Nusja e re është gjetur e vetëvrarë me një armë tip pistoletë, që ka qenë e vjehrrit të saj, i cili e ka pasur atë me leje”- thanë burimet e policisë. Të njëjtat burime sqarojnë se vjehrri i viktimës e ka pasur armën me leje për shkak të profesionit që bënte. Ai është polic pyjor në zonën e Mallakastrës.
Një grup hetimor që ka shkuar në fshatin ku ndodhi ngjarja ka bërë sekuestrimin e armës, me cilësinë e provës materiale dhe bashkë me të edhe një gëzhojë. Viktima në trup kishte marrë vetëm një goditje dhe kjo ka mjaftuar për t’i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Megjithëse ngjarja fillimisht është klasifikuar si vetëvrasje, policia është duke hetuar për zbardhjen e saj.