Gjirokastër- Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar sot një automjet që rezultonte i vjedhur në Itali dhe ka dërguar për ndjekje penale pronarin e tij. Bllokimi i mjetit u bë në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, pas kontrolleve që ushtroi policia lokale në këtë zonë.
“Automjeti tip Volsvagen Golf 4, me ngjyrë blu, me targa AL 961 SD,kishte pronar shtetasin Mehmet Shefqet Shehu, 40-vjeç, lindur dhe banues në fshatin Vasjar të rrethit Tepelenë”- thanë burimet e policisë.
Nga hetimet rezultoi se ky shtetas këtë mjet e ka sjellë nga Italia nëpërmjet Portit të Durrësit më datën 21.06.2008. Gjatë verifikimeve të bëra me numrin e shasisënë listat e sjella nga Interpoli, ky mjet figuronte i vjedhur në Itali.
Automjeti është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa shtetasi Mehmet Shehu, ndiqet në gjendje të lirë nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale të “Trafikut të mjeteve motorike”, parashikuar nga neni 141/a I Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisësë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.