Tiranë-Seanca e radhës në procesin “Remzi Hoxha” ka vijuar sot me dëshminë e 5 dëshmitarëve, që dhanë informacion për masat e marra, fill pas zhdukjes së biznesmenit shqiptar-maqedonas.
Një nga dëshmitarët në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka dëshmuar me dyer të mbyllura dhe praninë e mediave.
Gjergji Jorgo, aktualisht nëndrejtor i Policisë së Tiranës dhe në kohën e ngjarjes, shefi i komisariatit numër tre në kryeqytet ka rrëfyer se menjëherë pas zhdukjes së Hoxhës, ka nisur veprimet dhe shpalljen në kërkim të të akuzuarve.
Gëzim Jarani, përgjegjës i zyrës së ankesave në presidencë në vitet ‘92-‘97 dëshmoi para trupit gjykues se ka depozituar në arkivat e Presidencës denoncimin që ka marrë nga familjarët e biznesmenit të zhdukur, Remzi Hoxha.
Dëshmitari i tretë, Ilir Xheta, inspektor krimesh në vitin 1995 tha se ishte i pari që mori denoncimin për zhdukjen e Remzi Hoxhës. “Pas denoncimit për zhdukjen e Remzi Hoxhës, nisëm verifikimet për gjetjen e të zhdukurit”- ka thënë para trupit gjykues ai.
Së fundi dëshmoi një tjetër hetues i çështjes në atë kohë Alban Kumari, sipas të cilit, pas kaq vitesh, nuk ka më asnjë informacion se çfarë u bë me dosjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas. Ai ka treguar se u nis menjëherë në drejtim të punishtes ku ishte rrëmbyer biznesmeni nga ku mësoi se dy makina e morën Remzi Hoxhën.
Me dyer të mbyllura ka dëshmuar Beqir Tërshalla, oficer i SHIK-ut, në Sarandë. Vendimi u mor me kërkesë të prokurorit, i cili e vlerësoi këtë dëshmi shumë të rëndësishme dhe që për momentin nuk duhet të bëhet publike.
Në këtë proces janë të pandehur; Arben Sefgjini, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe. Ata akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe Abdyl Loshajt. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur "Albatros", e cila prodhonte konstruksione duralumini. Në një nga seancat e mëparshme, në dëshminë e saj, gruaja e Remzi Hoxhës dhe djali i tij bën fajtor për ngjarjen, ish-kreun e SHISH, Bashkim Gazidede.