Premte, 21 Nentor 2008 00:50:28

Lexoni versionin Print

Fazlliç, të afërmit e Berishës në Prokurori

Prokuroria e Tiranës u ka kërkuar bankave të zbardhin transfertat në emër të Damir Fazlliç. Sekuestrohen kasetat në Rinas

Flamur Vezaj
Shtune, 11 Tetor 2008 16:29:00

 

Prokuroria e Tiranës u ka kërkuar bankave të zbardhin transfertat në emër të Damir Fazlliç. Sekuestrohen kasetat në Rinas

TIRANË- Akuzat e ngritura kundër mikut të kryeministrit, Damir Fazlliç, kanë detyruar prokurorinë shqiptare të verifikojë të gjitha transaksionet e kryera në emrin e tij, në bankat e nivelit të dytë në vend. Sipas burimeve zyrtare pranë prokurorisë së Tiranës, prokurorët e çështjes, Besnik Cani dhe Dritan Rreshka, i kanë kërkuar të gjitha filialeve të bankave në Shqipëri të verifikojnë në listën e klientëve të tyre emrin e Damir Fazlliç dhe punonjësve të tij, që nga viti 2005 e në vazhdim. “Me fillimin e hetimeve kryesisht, është kërkuar zyrtarisht nga të gjitha filialet e bankave në Shqipëri që të paraqesin pranë organit të akuzës çdo të dhënë apo veprim të kryer me emrin e shtetasit anglez me kombësi serbo-boshnjake, Damir Fazlliç, apo administratorit të tij, Erion Isufi. Ky verifikim kryhet pas dyshimeve se akt-shitja e përpiluar nga avokatja Flutura Kola dhe vetë Fazlliç për kalimin e kompanisë “Croën Aquisitions” tek kompania mëmë në Qipro ka mundësuar pastrimin e parave”,-mësohet nga burimet e mësipërme.

***

Hetimi i kësaj çështjeje ka filluar kryesisht nga prokurorët e njësisë së Task-Forcës së luftës kundër krimit ekonomik, e bazuar mbi publikimet në media të disa shkresave zyrtare, ku mendohet se kompania është shitur, por asnjë qindarkë nuk ka kaluar në arkën e shtetit, si detyrim tatimor. Sipas këtyre burimeve, mësohet se prokuroria ka kërkuar verifikimin e të gjitha transferimeve, tërheqjeve dhe shit-blerjeve të kryera me anë të llogarive bankare të shtetasit Fazlliç dhe personave që kanë punuar për të. Dyshohet gjithashtu se Fazlliç është i përfshirë edhe në një rast tjetër të errët, ku dy firma rumune që merren me përpunimin e naftës në vend, i detyroheshin shtetit shqiptar rreth 1 milion euro borxh, por pas shpalljes së falimentimit të këtyre dy firmave, administrimin e tyre e mori personi tashmë i dyshuar, Damir Fazlliç.

***

Sipas prokurorisë, veprimet hetimore të kryera deri më tani janë ato të sekuestrimit të itinerarit të hyrje daljeve të shtetasit Fazlliç në Shqipëri, lëvizjet e tij brenda territorit shqiptar dhe kasetat e kamerave të sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas. Këto pamje mendohet se do të zbardhin edhe dyshimet për veprimet e paligjshme të efektivëve të policisë së komisariatit të Rinasit, të cilët e kanë shoqëruar atë duke “shpërdoruar detyrën”. Gjithashtu, mësohet se përveç këtyre veprimeve procedurale, hetuesit kanë sekuestruar edhe kasetat filmike të intervistave të dhëna nga Fazlliç në dy mediat shqiptare, një në Tiranë dhe tjetra në Londër. Nga verifikimi paraprak i këtyre intervistave, prokuroria ka arritur në përfundimin se Fazlliç gënjen, pasi në Londër tha se nuk e kishte shitur kompaninë në Shqipëri dhe dy ditë më pas pranoi në Tiranë se ia kishte shitur kompanisë së tij, të cilën e drejton edhe në Qipro me 1 milion e 750 mijë euro, shumë nga e cila mendohet se nuk ka paguar 10 % të vlerës së shitjes si taksë, e madje se ka kryer pastrim parash.

---------------------------------------------------------------------------------------------------


Prokuroria e Tiranës bën gati listën e personave të punësuar prej Fazlliç në Tiranë, të cilët do të merren ne pyetje

“Fazlliç”, kunati i Bashës në prokurori

Hetuesit e çështjes pritet të marrin në pyetje edhe ortaken e Argita Berishës dhe mbesën e kryeministrit

TIRANË- Çështja “Fazlliç” pritet të çojë në prokurori kunatin e ministrit Lulzim Basha, ortaken e Argita Malltezit, mbesën e kryeministrit dhe çdo bashkëpunëtor të të ashtuquajturit sekser i Ballkanit në Tiranë. Vepra e dyshuar e pastrimit të parave nëpërmjet shitjes së kompanisë “Croën Aquisitions” tek kompania mëmë në Qipro, “Altaria Reserch Limited” për 1 milion e 750 mijë euro, e ka detyruar prokurorinë e kryeqytetit të fillojë hetimet dhe të kërkojë sekuestrimin e një sërë dokumentesh që ndodhen në shumë zyra shtetërore, e që mbajnë emrin e Damir Fazlliç. Sipas burimeve zyrtare të prokurorisë, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se kompania e shitur tek qipriotët është administruar nga kunati i ministrit të Jashtëm, Erion Isufi, ndërsa si eksperte kontabël rezulton të ketë qenë e punësuar mbesa e kryeministrit, Shpresa Breçani. Një tjetër bashkëpunëtore e Damir Fazlliç në Tiranë është avokatja Flutura Kola, ortake në zyrën ligjore me vajzën e kryeministrit, Argita Malltezi.

***

Prokuroria e Tiranës ka bërë gati tashmë listën e të gjithë të “punësuarve” prej Fazlliç në Tiranë, të cilët do të merren në pyetje për shitjen e kompanisë. “Dëshmitë e këtyre personave të lidhur me piramidën më të lartë shtetërore do të merren pas sekuestrimit të të gjitha dokumenteve të shit-blerjes së kësaj kompanie dhe verifikimin e llogarive bankare e transfertave të kryera nga këto llogari në emër të Damir Fazlliç”,-bëri me dije një zyrtar i prokurorisë. Pyetja e tyre, sipas akuzës, do të bëhet në cilësinë e personave që kanë dijeni për çështjen, pasi në shkresat zyrtare që tashmë janë sekuestruar rezultojnë firmat dhe emrat e tyre. Këto burime saktësuan gjithashtu se është kërkuar edhe nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të verifikohen dhe evidentohen të gjitha pronat e patundshme që rezultojnë nën emrin e shtetasit anglez me kombësi serbo-boshnjake, Damir Fazlliç, ndaj të cilit po kryhen veprime hetimore për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” e parashikuar nga nenin 287 i Kodit Penal. Në rast deklarimi fajtor të personit që ka kryer këtë vepër penale, Fazlliç rrezikon dënimin nga 5 deri në 15 vjet burg dhe me gjobë nga 800 mijë lekë deri në 8 milionë.

***

Ndërkaq, prokuroria ka kërkuar nga Hipoteka e Durrësit të saktësojë sipërfaqen e pronës së blerë nga Damir Fazlliç në Porto Romano dhe veprimet ligjore të kryera mes blerësit Fazlliçdhe pronarëve të tokës. Sipas burimeve zyrtare të akuzës, konfirmohet se do të kryhet edhe verifikimi i ligjshmërisë së shitjes së kësaj prone nga pronarët e tokës së Porto Romanos dhe përpilimi i prokurës dhe akt-shitjes nga blerësja që përfaqësonte kompaninë qipriote “Altaria Reserch Limited”, avokatja Flutura Kola, e cila ka qenë edhe përfaqësuesja ligjore e kompanisë së ngritur në Tiranë, “Croën Aquisitions”. “Është kërkuar edhe nga Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Energjetikës që t’i vërë në dispozicion hetuesve të çështjes aktet nënligjore të përpiluara nga Ministria për ngritjen e parkut energjetik në Porto Romano dhe Vendimet e Këshillit të Ministrave për këtë park, pasi mendohet se në përpilimin e akteve nënligjore të ngritjes së parqeve në Shqipëri ka marrë pjesë avokatja Flutura Kola, e cila njëkohësisht përfaqësonte kompaninë e Damir Fazlliçit për çështje ligjore.

---------------------------------------------------------------------------------------------------

MBROJTËSI

Genc Gjokutaj, avokati i Fazlliç në Tiranë

Mësohet se Damir Fazlliç, gjatë qëndrimit katër orësh në Shqipëri tre ditë më parë ka kontaktuar avokatin e njohur Genc Gjokutaj për të mbrojtur interesat e tij ligjore në shtetin shqiptar. Sipas akuzës, kompania e përfolur e boshnjakut Fazlliç ishte “Croën Aquisitions”, e cila më 1 gusht 2007 ka blerë një sipërfaqe të madhe toke në Porto Romano ndërsa e ka shitur më 20 qershor 2007 po këtë kompani, data këto të ngatërruara në akt-shitjen e kompanisë dhe blerjes së tokës në Durrës.

«Neni 287

Pastrimi i produkteve të veprës penale

(Ndryshuar me ligjin nr. 9086, datë 19.6.2003, neni 8)

1. Pastrimi i produkteve të veprës penale i kryer nëpërmjet:

a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, që dihet se është produkti veprës penale, për fshehjen ose zhdukjen e origjinës së paligjshme të pasurisë ose dhënien e ndihmës për të shmangur pasojat juridike, që lidhen me kryerjen e veprës penale;

b) fshehjes ose mbulimit të natyrës, burimit, vendndodhjes, vendosjes, zhvendosjes së pronësisë ose të të drejtave të tjera, që lidhen me pasurinë që është produkt i veprës penale;

c) kryerjes së veprimeve financiare dhe transaksioneve të copëzuar për shmangien nga raportimi, sipas ligjit për pastrimin e parave;

ç) fitimit, zotërimit ose përdorimit të pasurisë, kur dihet që është produkt i veprës penale;

d) këshillimit, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër,dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.

2. Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 800 mijë lekë deri në 8 milionë lekë, ndërsa kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 3 milionë lekë deri në 10 milionë lekë.

3. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe në rastet kur personi, që ka kryer veprën prej së cilës burojnë produktet e veprës penale, nuk mund të merret i pandehur, nuk mund të dënohet, ekziston një shkak që e shuan veprën penale ose mungon njëri nga kushtet e procedimit penal për një vepër të tillë.».



POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Damir Fazllic dhe Tom Ridge ne mbledhjen e Sigurise Kombetare

Brown takon Sejdiun e Thaçin: Mbështetje për Kosovën

20/11/08 20:54:00 | Kryeministri Brown i ka inkurajuar udhëheqësit kosovarë të..

Thaçi nga Anglia: Kosova e vendosur për Eulex me 4 pika

20/11/08 13:10:00 | Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është pjesë e delegacionit..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML