Ministri Nishani e ka cilësuar si shkelje të ligjit kërkesën e prokurorisë për të marrë në pyetje Damir Fazlliç
Çështja e Damir Fazlliç ka nisur një konflikt të hapur dhe tepër të ashpër mes Prokurorisë dhe Policisë shqiptare. Në momentin që kjo e para tentoi të merrte në pyetje “sekserin e Ballkanit, ishte policia ajo që e mbrojti dhe nuk e lejoi këtë gjë. Por Ministria e Brendshme nuk u mjaftua me kaq dhe kërkoi ndjeke penale për prokurorët që donin të merrnin në pyetje mikun e kryeministrit Sali Berisha, të akuzuar për pastrim parash në Shqipëri.
“Informojmë opinionin publik se në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit dhe konkretisht të Nenit 32 pika 1, në shkelje të Kodit të Procedurës Penale, Neni 308 dhe shkelje të Ligjit për të Huajt Nr. 9959, datë 17. 7. 2008, dy prokurorë, njëri i Prokurorisë së Përgjithshme dhe tjetri Z/Prokuror i Rrethit të Tiranës kanë telefonuar në orën 15:17 shefin e komisariatit të Rinasit e më pas dhe drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Kufirit të Qarkut Tiranë duke kërkuar ndalimin e udhëtimit dhe shoqërimin në ambientet e policisë të biznesmenit me shtetësi britanike dhe boshnjake Damir Fazlliç, në një kohë kur z. Fazlliç ishte larguar nga Shqipëria në orën 15:04.
Ministria e Brendshme i konsideron arkaizma të së shkuarës së hidhur të këtij vendi, urdhrat me telefon të prokurorëve të çdo lloj niveli që ata përfaqësojnë për të ndaluar dhe penguar një qytetar të lirë. Policia e Shtetit, në çdo rast dhe çdo rrethanë do të zbatojë vetëm urdhrat me shkrim që nuk bien në kundërshtim me Kushtetutën e këtij vendi”. (!)
Kjo është një pjesë nga një deklarate për shtyp e ministrit të Brendshëm, Nishani, shpërndarë dje në redaksitë e mediave.
Nga deklarata, kuptojmë se të tentosh të ndalosh Damir Fazlliç, njeriun për pastron para me përqindje në Shqipëri nën tutelën e shtetit, është krim. Nuk ka rëndësi nëse ndalimi kërkohet nga Prokuroria e Përgjithshme apo ndonjë organ tjetër kushtetues dhe ligjor në Shqipëri. Askush nuk mund të ndalojë Damirin. Madje edhe ta marrë në pyetje është tepër. Edhe thjesht “të tentojë ta ndalojë” mikun e kryeministrit, nuk duhet të guxojë kush. Edhe ta mendosh se mund të ndalohet, ai robi, është krim.
Vetë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka pohuar se policia është e angazhuar të zbatojë me vendosmëri ligjin dhe vetëm ligjin. Dhe sipas tij, të zbatosh ligjin do të thotë të vendosësh të gjithë Policinë e Shtetit në dispozicion të një njeriu ndaj të cilit prokuroria ka nisur procedim penal.
Ministri nuk i ka treguar ende publikut, urdhrin e zbatuar nga Policia “super-korrekte” e Shtetit për shoqërimin me eskortë të veçantë të atij që ai e quan thjesht një shtetas të huaj. Vetë shefi i komisariatit të policisë së Rinasit shoqëronte Damir Fazlliç që nga momenti që zbriti nga avioni e deri tek studiot e një televizioni. Ai bëri edhe truprojën personale teksa policët e thjeshtë të Rinasit dhe Komisariatit Nr. 4 bënin me radhë patrullën e shoqërimit. Dhe kjo besojmë është bërë me urdhër me shkrim, pasi vetë ministri na thotë se “Policia e Shtetit, në çdo rast dhe çdo rrethanë do të zbatojë vetëm urdhrat me shkrim”.
“Në rastin konkret nga ana e prokurorëve përkatës është synuar përdorimi i policisë për krijimin e një skandali të madh ndërkombëtar me këtë shtetas të huaj. Gjithashtu sqarojmë këtu se Ministria e Brendshme ka nisur një hetim të plotë për të vendosur para përgjegjësisë ata që mendojnë se mund të ndalojnë me telefon qytetarët e huaj në këtë vend.
“Ministria, do të kërkojë ndjekjen penale të dy prokurorëve që i kanë lejuar vetes një akt të tillë në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit, shkelje të hapur të Kodit të Procedurës Penale që përcakton qartë se kur një person shoqërohet, dhe shkelje të hapur të Ligjit për të Huajt”,- thuhet në njoftimin e zyrës së ministrit Nishani.
Ministria e Nishanit ende nuk ka mundur që të shohë pamjet filmike dhe fotografitë që tregojnë se Damir Fazlliç, ky shtetas i huaj, ka qenë pjesëmarrës në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë. Ky presupozohet që të jetë një vend ku diskutohet siguria kombëtare. Aty ku ministrat Olldashi, Basha dhe Mediu, duhet të flisnin për çështjet e sigurisë së këtij vendi. Aty ishte edhe miku Damir Fazlliç. Ai ka dhënë edhe më parë prova se di të mbajë të fshehtat. Ka mbajtur të fshehta aferat e kryera me kryeministrin shqiptar, kështu që... është person i sigurt!
Organi i akuzës ka shpjeguar se “ftesa” për boshnjakun është bërë sipas ligjeve të shtetit
Ina Rama: E vërteta e dosjes “Fazlliç”
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar dje duke pohuar se në rastin “Fazlliç” janë zbatuar vetëm ligjet e shtetit dhe se ishte policia ajo që nuk e bëri këtë gjë. “Në datën 7.10. 2008 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë në mbështetje të Nenit 24 ,280 ,287 të Kodit të Procedurës Penale ka regjistruar me iniciativë procedimin penal për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Në datën 8.10. 2008, rreth orës 12.30, Prokuroria e Tiranës është vënë në dijeni se Z. Damir Fazlliç ndodhej në Tiranë duke dhënë intervistë për një Media Televizive.
Prokurorët e çështjes, pasi analizuan të dhënat që rezultonin deri në këtë kohë, vendosën në bazë të nenit 308 të Kodit të Procedurës Penale t’i bëjnë ftesë për paraqitje Z. Damir Fazlllic, për të dhënë shpjegime rreth fakteve që i atribuoheshin këtij shtetasi në lidhje me veprën penale parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal”,- thanë dje burimet zyrtare të prokurorisë.
Sipas tyre, prokurorët kanë mësuar se Fazlliç ishte regjistruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Aviacionit Civil dhe se do të largohej nga Shqipëria në orën 16.30 minuta. Ata kanë depozituar dhe protokolluar në komisariatin e Policisë Rinas në orën 15.06 minuta, nëpërmjet oficerëve të policisë gjyqësore, ftesën për paraqitje për Damir Fazlliç. Në këtë ftesë Z. Damir Fazlliç i janë bërë prezent shkaqet e ftesës në respektim të Nenit 308 të Kodit të Procedurës Penale.
“Nisur nga fakti se oficeri i policisë nuk kish mundur të kontaktonte me shefin e Komisariatit të Policisë së Rinasit për t’i komunikuar ftesën, dhe duke marrë shkas se Damir Fazlliç ishte nisur nga Tirana për në Rinas rreth orës 14.30, prokurorët komunikuan nëpërmjet telefonit me drejtuesin e Policisë Kufitare të Rinasit dhe shefin e Komisariatit për t’i bërë me dije ftesën dhe përmbajtjen e saj. Ky lloj komunikimi verbal parashikohet nga nenet 308 pika 4, dhe 134 pika 3 të Kodit të Procedurës Penale”,- thanë burimet zyrtare të prokurorisë.
Por Fazlliç ishte njoftuar për këtë gjë, me ndihmën e punonjësve shtetërorë, është organizuar arratia e tij një orë përpara nisjes së parashikuar. Në lidhje me këtë çështje, prokuroria pohoi se po heton zbatimin e procedurave ligjore të policisë në shoqërimin e Z. Fazlliç. Burimet zyrtare kanë shpjeguar se nuk është nxjerrë urdhër ndalimi për Damir Fazlliç por vetëm ftesë për paraqitje për të dhënë deklarime pranë organit të Prokurorisë.
Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë i bëjnë presion prokurorisë për të marrë detaje nga dosja e boshnjakut
Alibeaj-Ramës: Më trego dosjen “Fazlliç”
TIRANË- Dy inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë zbarkuar dy herë brenda 18 orëve në zyrat Prokurorisë së Tiranës duke kërkuar të dijnë se çfarë po bëhet me dosjen “Fazlliç”. Por prokuroria është përgjigjur se gjithçka është pjesë e sekretit hetimor dhe materialet nuk mund të jepen. Por ky fakt ka vendosur dy institucionet në një konflikt të hapur.
Paraditen e djeshme, inspektorët Selami Zalli dhe Plator Bilibashi kanë debatuar për tre orë me krerët e prokurorisë po nuk janë lejuar që t’i vënë në dispozicion regjistrit themeltar penale dhe ftesën për marrje në pyetje të shtetasit Fazlliç, duke e argumentuar se ky verifikim kërkohej jashtë orarit zyrtar të punës së prokurorisë, dhe dosja penale ndodhet në fazën hetimore dhe nuk mund t’i vihet në dispozicion ky material pa urdhrin e kryeprokurores Ina Rama.
Sipas vetë inspektorëve të kontaktuar nga ‘Shekulli”, edhe pas pritjes për më shumë se dy orë pranë dyerve kryesore të prokurorisë, nuk është lejuar që ata të futen në prokurori, e jo më të kontrollojnë dosjen. “Organi i prokurorisë po vlerëson urdhrin e depozituar zyrtarisht nga Ministria e Drejtësisë, për të cilën do të ketë një përgjigje zyrtare së shpejti”,- thuhet nga Prokuroria e Përgjithshme, duke mos u shprehur në lidhje me pranimin apo jo të inspektorëve të Ministrisë për të verifikuar dosjen “Fazlliç”, që sipas akuzës, kontrolli i kërkuar nga qeveria është një presion i hapur ndaj punës së organit të akuzës.
Shkak për këtë inspektim, mësohet se është bërë dyshimi i datës së regjistrimit penal, që për Ministrin është falsifikuar pasi regjistrimi është kryer më datë 8 tetor, ndërsa në letra figuron që hetimet kanë filluar me datën 7 tetor, një ditë para ardhjes së Damir Fazlliçit në Tiranë.
Grupi hetimor po verifikon në 19 banka të gjitha transfertat bankare me emrin “Fazlliç”. Kontroll edhe në tatime
Prokuroria letër bankave: Jepni llogaritë e Fazlliç
TIRANË- Njësia e task-forcës së prokurorisë së Tiranës, edhe për kundër presioneve të ndryshme të qeverisë për hetimin e serbo-boshnjakut Damir Fazlliç, ka filluar sekuestrimin dhe evidentimin e dokumenteve të dy kompanive rumune që i janë borxhli shtetit shqiptar me një milion euro por që janë blerë nga i dyshuari për pastrim parash.
Hetimet kanë nisur pas denoncimit në media për aferat e Fazlliç në lidhje me dy kompanitë rumune me objekt tregti karburantesh. Mësohet se organi i akuzës ka filluar kryerjen e verifikimit dhe sekuestrimit të dokumenteve që ndodhen në zyrat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të bizneseve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe drejtorisë së kryeqytetit. Institucioni i tatimeve, pas kontrollit të ushtruar ndaj këtyre dy kompanive “Rompetrol Albania Downstream” dhe “Rompetrol Albania Wholesale” ka vendosur që për mos pagim taksash të gjobisë me dy gjoba të dy këto kompani me shifrën rreth një milion euro. Në përpjekje për të shpëtuar nga këto gjoba, këto dy kompani i janë afruar serbo-boshnjakut Fazlliç.
Ky i fundit, sipas fakteve të publikuara në media, i këshillon dy kompanive të deklarojnë falimentimin dhe krijimin e dy kompanive të reja me të njëjtët pronarë, por që kishin emëruar si anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës shtetasin anglez Damir Fazlliç. Mësohet se dy kompanitë u krijuan në vitin 2004 dhe në fund të 2006 deklaruan falimentim, për tu regjistruar sërish në vitin 2007, por me një ndryshim të vogël, ku si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës tashmë është emëruar Damir Fazlliç ndërsa qëndron në të njëjtën adresë.
Këto dy kompani, mësohet se kishin punësuar si eksperte kontabël shtetasen Shpresa Breçani, mbesa e kryeministrit Sali Berisha, por që kurrë nuk u paguan këto dy gjoba. Burimet e prokurorisë, konfirmuan që në ditët në vazhdim do të merren në pyetje edhe ekspertë kontabël Breçani dhe përfaqësuesit e tjerë të kësaj kompanie në vend.
Gjithashtu, për llogari të hetimeve prokuroria ka dërguar në 19 filiale të Bankave në Shqipëri kërkesa për verifikimin e llogarive bankare apo transfertave të kryera në emër të Damir Fazlliç apo kompanive të tij, që administroheshin nga kunati i Ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha, Erion Isufi. Mësohet po ashtu se prokuroria ka nisur hetimet edhe ndaj shefit të Komisariatit të Rinasit, Urim Rexhepi, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, që dyshohet se e ka kryer në mos zbatimin e urdhrit të prokurorisë për ndalimin e shtetasit Fazlliç dhe shoqërimin e tij nëpër aeroportin e Rinasit.