Tiranë-Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka dalë sot në një konferencë për shtyp duke deklaruar se shteti është i kapur nga klani mafioz i Sali Berishës. Sipas tij, ministrat po dhunojnë Prokurorinë e Republikës për të fshehur krimet e mikut të Berishës, Damir Fazllic. “Kthetrat e pushtetit janë bërë më arrogant se kurrë”, u shpreh Rama.
Duke komentuar zhvillimet më të fundit në vend, kur media denoncoi lidhjen e Kryeministrit me një pseudobiznesmes me emrin Damir Fazllic dhe më pas Prokuroria nisi hetimet për pronat e tij në Shqipëri, kreu i PS-së ka dalë në mbrojtje të organit të akuzës, që sipas tij ka rënë nën dhunën verbale të Minsitrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë.
“Qeveria e Shqipërisë sot diktohet nga interesa të Kryeministrit Berisha i cili është tërësisht i ndikuar në procesin e transformimit të qeverisë në një intrument në duar e këtij klani dhe praktikisht shteti shqiptar është i kapur nga hijet e këtyre interesave”. tha Rama. Ndërsa shtoi se “çështja që lidhet me daljen në skemë të një marifetxhiu nga më të rëndomit dhe njëkohësisht më problematikët e rajonit tonë është një nga shprehjet më kuptimopma të katandisjes së shtetit shqiptar.
Vetëm një ditë më parë zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme deklaroi se ky dikaster ka ngritur padi për dy prokurorët të cilët kanë telefonuar shefin e Pocilisë së Rinasit lidhur me vizitën e Fazllic në Tiranë. Nuk ka mjaftuar kjo, teksa mbrëmë disa inspektorë të Ministrisë së Drejtësisë kanë mësyer në zyrat e Prokuriorsë për të marrë dosjen hetimore për Fazllic. Nis nga ky incident dhe nga padia e ministrit të Brendshëm, Rama tha se “për shkak të Fazllic qeveria i ka shpallur luftë të hapur prokurorëve. “Është e patolerueshme që Ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë të kërcënojnë publikisht Prokurorinë e Republikës dhe të bëhen mburojë e një marifetxhiu ballkanik të dyshimtë”, tha Rama.
Në daljen e parë publike për këtë çështje, kreu i të majtëve u shpreh se “asnjëherë më parë në këtë shtet nuk janë shfaqur kthetrat e pushtetit më hapur më arrogante dhe pa aanjë vetpërmbajtje formale se sa në rastin e kërcënimin publik të prokurorëve dhe hyrjen me forcë në zyrat e Prokurorisë për të marrë materiale që kanë të bëjnë me marifetxhiun serb dhe klanin Berisha”.
Rama ka konkluduar se kjo shfaqje dëmton imazhin dhe integrimin e Shqipërisë në strukturat europiane. “Është realisht e paperceptueshme që kjo të ndodhë në mes të Europës, në mes të integrimit të një vendi si Shqipëria dhe në një moment delikat për vendim tonë që duhet të hedhë hapa të rëndësishëm për të garantuar shtetin e së drejtës”.
Më tej ai shtoi se “unë mendoj se kjo është shprehja më kuptimplotë e degratimit të institucioneve shtetërore. Qytetarët që e kanë votuar qeverinë Berisha shohin se si duart e pastra të vitit 2005 nuk janë më shumë se sa duar që realizojnë interesa personale e klanore”. Rama e ka cilësuar situatën ku ndodhemi si moment mjaft delikat.