Premte, 21 Nentor 2008 01:07:21

Lexoni versionin Print

Fazlliç, sekuestro tokave në Durrës

Gjatë aksionit të policisë së Federatës së Bosnje Hercegovinës për arrestimin e Naser Oriç u kapën personazhe të lidhura me krimin e organizuar boshnjak e kroat, si dhe të përfshirë në qarkullimin dhe riciklimin e parave të pista.

Biljana Vukicevic “Rinascita Balcanica”/F.Vezaj
Hene, 13 Tetor 2008 08:16:00

Mediat boshnjake e akuzojnë mikun e kryeministrit Berisha për pastrim parash dhe operacione në trafikun e armëve

Bosi Fazlliç, precedentë penalë edhe në Serbi

SARAJEVË- Gjatë aksionit të policisë së Federatës së Bosnje Hercegovinës për arrestimin e Naser Oriç u kapën personazhe të lidhura me krimin e organizuar boshnjak e kroat, si dhe të përfshirë në qarkullimin dhe riciklimin e parave të pista. Pranë Naser Oric, ish-komandant i brigadës Muxhahedin të ushtrisë boshnjake, u arrestuan edhe gruaja e tij, Dzermin Kadric, si dhe Damir Fazliç e Nedim Sahinpasic, bosët boshnjakë, të akuzuar për trafiqe ilegale. Të liruar nga Gjykata për pamjaftueshmëri provash mbi krimet e kryera kundër qytetarëve serbë të Sebrenicës dhe të etnive të tjera, Naser Oriç u arrestua nga federalët për riciklim parash. Duket se është e vërtetë që një kiminel mbetet gjithmonë një kriminel, dhe duhet të vuajë deri në fund pasojat e krimeve, nga vete populli i tij mysliman.

Sipas gazetës së përditshme “Blic”, Oriç u arrestua ndërsa ndodhej në restorant me Damir Fazliç, Nedim Sahinpasic e Branislav Cvjeticanin, ky i fund një serb nga Beogradi, i cili kishte me vete rreth 100 mijë dollarë që duheshin dorëzuar në mbyllje të një operacioni. Po atë mbrëmje, duhet të kryenin një derdhje parash nga pronarët e një dyqani në Tuzla, duke plotësuar kështu aktivitetin e tyre të pastrimit të parave.

Sapo ka lënë Aja-n, Naser Oriç ishte transferuar vetëm për disa muaj nga Tuzla në Sarajevë, ku u përpoq të ngrinte qendrën e vet kriminale. Është parë disa herë nën shoqërinë e Naser Keljemendit, me kombësi shqiptare dhe anëtar i një prej bandave kriminale të kryeqytetit boshnjak. Oriç e Keljemendi po programonin marrjen nën kontroll të mafias lokale, pas atentatit të bosit Ramiz Delalic Celo dhe arrestimit të Ali Rizo e Muhamed Gasi. Ndërkohë, ndërsa Naser Oriç, bashkëshortja e tij dhe Dzermin Kadric qëndrojnë akoma në burg, Fazliç e Sahinpasiç u liruan, pavarësisht listës së gjatë të precedentëve penalë.

Mes dy bosëve të përfshirë, për t’u veçuar është Damir Fazliç, që ka precedentë penalë edhe për drejtësinë serbe, me një dënim për falsifikim identiteti, gjatë aktivitetit të tij të “konsulencës financiare”, si pronar i shoqërisë fantazmë “European Finance”. Në Bosnjë paraqitet si përfaqësues i “Capital Investment Management Corporation”, nënshkrues i kontratës së konsulencës për industrisë në Duhanit në Sarajevës, duke marrë 25 mijë dollarë për një hua të papërdorur asnjëherë, duke ushqyer trafikun e kontrabandës së cigareve në rajonin e Ballkanit. Emri i Damir Fazliç është i lidhur veç të tjerash me sipërmarrësin kroat Hrvoje Petrac, i cili nga ana e tij ka bërë “biznese” edhe me gjeneralin Ante Gotovina. Lidhja kroate lë pak dyshime mbi llojin e “bizneseve” që janë mbyllur, mes të cilave pastrimi i parave si dhe disa operacione trafiku armësh.

Damir Fazliç ka luajtur një rol të rëndësishëm si këshilltar i ish-kryeministrit të Bosnjë-Hercegovinës, Ethem Biçakçiç, si dhe një bashkëpunëtor i ngushtë me bosët e mafies serbe të Beogradit. Së fundmi është përfshirë edhe në këshillimin e shitjes së shoqërisë “Elektroprivreda” të Bosnje Hercegovinës dhe ngritjen e disa centraleve elektrike. Ndërsa miku i Fazliç,Nedim Sahinpasic, i biri i Senad Sahinpasic, një prej bashkëpunëtorëve me të ngushtë të Alija Izetbegovic e të birit Bakir, ka përgatitur logjistikën e ushtrisë boshnjake në bashkëpunim me Hasan Cengic, si një njeri tepër i besueshëm. Përmes Sahinpasic e Cengic u hapën dhe kështu dhe u manipuluan rrugët për trafikun e armëve, parave dhe ndihmave humanitare, që vinin nga jashtë në Bosnje Hercegovinë.

Biljana Vukicevic “Rinascita Balcanica”


Ligji për të Huajt

“Pengohet të dalë nga vendi i huaji nën hetim”

TIRANË- Për dy ditë radhazi, Ministria e Brendshme ka lëshuar deklarata me anë të cilave bën të ditur se urdhrat e prokurorisë për të ndaluar biznesmenin e huaj Damir Fazlliç janë në kundërshtim me ligjin. Madje ky dikaster ka denoncuar këtë urdhër të cilin e quan verbal dhe ka shkelur kushtetutën dhe ligjet e vendit, ndaj edhe policia nuk ka denjuar të ndalojë Fazlliç.

“ Kjo Ministri do të kërkojë ndjekjen penale të dy prokurorëve që i kanë lejuar vetes një akt të tillë në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit, shkelje të hapur të Kodit të Procedurës Penale që përcakton qartë se kur një person shoqërohet dhe shkelje të hapur të Ligjit për të Huajt” bëri të ditur dy ditë më parë Fatmir Konja, zëdhënësi i Ministrit të Brendshëm. Por është pikërisht ky ligj që citon Ministria e Brendshme, ku është bazuar prokuroria për ndalimin e Fazlliç. “I huaji që kërkohet nga autoritetet shqiptare për arsye se ka kryer ose dyshohet se ka kryer një vepër penale dhe kërkon të shkojë në një shtet tjetër pengohet për të dalë nga Republika e Shqipërisë deri në marrjen e përgjigjes nga organi përgjegjës”, -thuhet në ligjin për të Huajt. Prokurorët kanë pasur dyshime se Fazlliç ka konsumuar veprënpenale të pastrimit të parave në Shqipëri duke kërkuar dhe marrjen e deklarimeve të shtetasit të huaj, gjë e cila përcaktohet qartë në ligjin për të huajt.



Zyra e Task-Forcës kërkon sekuestrimin paraprak të pronave që Fazlliç zotëron në vendin tonë

Prokuroria ngrin pronat e Damir Fazlliç

Organi i akuzës, kërkesë hipotekave. Përgjigja nga Durrësi: Zotëron 40% të tokave në Porto Romano

TIRANË- Prokuroria e Tiranës “ngrin” pronat e Damir Fazlliç, të hetuarit për pastrim parash në vendin tonë. Presioni politik i ditëve të fundit nuk e ka penguar organin e akuzës të vazhdojë hetimet për të ashtuquajturin “sekseri” i Ballkanit dhe për lidhjet e tij në Shqipëri, duke i kërkuar të gjitha zyrave hipotekore në vend të “ngrijnë” pronat që figurojnë në emër të Fazlliç.“Zyra e Task-Forcës ka dërguar shkresa për sekuestro paraprake të të gjitha pronave që rezulojnë në emrin e Fazlliç apo të nënkompanive të tij.

Deri tani, vetëm Hipoteka e Durrësit ka kthyer përgjigje, sipas së cilës Damir Fazlliç rezulton të jetë aksioner i një sipërfaqeje të madhe toke në Porto-Romano”,-bëjnë me dije burime nga Prokuroria e Përgjithshme. Pas urdhrit të prokurorisë për sekuestro paraprake, mbi këtë tokë në Porto-Romano, të planifikuar për ngritjen e një TEC-i nuk mund të kryhet asnjë veprim deri në përfundimin e hetimeve.

Prokuroria e Tiranës, e cila po e heton mikun boshnjak të kryeministrit për pastrim parash ka nisur verifikimin nëpër zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, fill pasi Damir Fazlliç deklaroi në televizionin “Klan” se në Shqipëri zotëronte rreth 50 milionë euro pasuri, kryesisht në tregun e tokës. Ndërkaq, prokuroria e ka shtrirë verifikimin e saj jo vetëm tek pronat me aksioner të vetëm Fazlliçin, por edhe tek ato që ai zotëron aksione.

Në pritje të përgjigjeve nga të gjitha zyrat hipotekore në vend, organi i akuzës nuk përjashton mundësinë e ndonjë prone të Fazlliç së bashku me kunatin e ministrit Basha, e cila edhe ajo rrezikon të sekuestrohet deri në fund të hetimeve. Ngrirja e pronave të Damir Fazlliç në Tiranë vjen fill pas kërkesave që prokuroria u ka drejtuar 19 bankave të nivelit të dytë në vend, për verifikimin e llogarive apo transfertave të kryera prej tij.

Deri pasditen e djeshme, prokuroria konfirmoi ngrirjen e tokës së “Rompetrol Albania”, kompani ku Damir Fazlliç zotëron 40% të aksioneve. Sipas fakteve të botuara nga media, “Rompetrol Albania” sh. a. zotërohet në 40 % nga Fazlliç dhe 60% nga firma qipriote “Kelena L. T. D”. Fazlliç e përfaqëson atë firmë në Shqipëri dhe ai tashmë i bie të ketë 40 për qind të tokës në Porto Romano. Për të gjitha aktet noteriale sërish është përdorur Flutura Kola, bashkëpronarja në studion ligjore me vajzën e kryeministrit, Argita Malltezi.

Në janar të vitit 2005, “Rompetrol Group NV” vendosi të blejë disa hektarë tokë në Porto Romano për të ndërtuar një impiant gjigant të depozitimit të naftës. Në kohën që Basha ishte ministër i Transporteve, kunati i tij administronte kompaninë “Croën Acquisitions” të Fazlliçit. Ata kishin piketuar vendin ku do të blinin tokën. Siç rezulton më vonë nga dokumentet hipotekore, Fazlliç ka blerë disa hektarë tokë në Porto Romano në emër të kompanisë “Croën Acquisitions”. Kjo kompani rezulton ligjërisht e shitur tek “Altaria Research Limited” më 20 qershor të 2007 dhe ka regjistruar blerjen e tokës më 1 gusht 2007.

Firma “Rompetrol Albania” sh. a., u krijua si pasojë e bashkimit të aksioneve të “Rompetrol Group” NV me “Kelena” me seli në Limasol të Qipros. Sipas prokurës me Nr. 610, firma “Rompetrol Albania” do të përfaqësohej pikërisht nga “Rompetrol Group” NV me 60 për qind të aksioneve dhe “Kelena”, me 40 për qind të aksioneve.



Pas përplasjes me prokurorinë, Ministria e Drejtësisë publikon urdhrin e dytë të inspektimit

Fazlliç, Alibeaj “manipulon” objektin e inspektimit të dosjes

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj “i bën grim” urdhrit të tij për kontrollin e dosjes “Fazlliç”, duke u munduar të fshehë qëllimin e vërtetë të inspektimit në Prokurorinë e Tiranës. Pas incidentit të krijuar pasditen e së premtes, kur dy inspektorë të Alibeajt kërkuan të kontrollonin datën e regjistrimit të procedimit penal për Damir Fazlliç, ministri i Drejtësisë ka firmosur një tjetër urdhër, këtë herë pa përmendur emrin e biznesmenit nën hetim, me lidhje të ngushta me kryeministrin Berisha, vajzën e tij apo edhe me ministrin Basha. Objekt i urdhrit të dytë të Alibeajt është sërish regjistrimi i veprave penale, por që përfshinnjë hark kohor nga 1 shtatori deri në 10 tetor.

Këtë urdhër të dytë, i cili shfuqizon njëherazi të parin, Alibeaj e përligj me një sërënenesh e ligjesh të cituata, pa përmendur objektin e vërtetë të kontrollit. “Siç konstatohet, objekti i kontrollit dhe verifikimit të këtij urdhri nuk ka të bëjë me marrje të dhënash apo verifikime të veprimeve hetimore konkrete apo akte procedurale hetimore që i përkasin çështjeve konkrete, por vetëm me marrje të dhënash mbi rregullshmërinë ligjore të mbajtjes së regjistrave përkatës për efekte edhe statistikore”,-thuhet në njoftimin e dytë të Ministrisë së Drejtësisë, pa përmendur këtu ngutin e të premtes pasdite të inspektorëve të Alibeajt për të kontrolluar datën dhe orën e regjistrimit të procedimit penal për Damir Fazlliç.

E ndërsa zyrtarë të lartë të policisë morën „nën mbrojtje“ mikun boshnjak të kryeministrit, gjatë vizitës së tij në Tiranë, duke penguar kësisoj prokurorinë për ta marrë në pyetje, gjatë dy ditëve të fundit nuk kanë munguar sulmet kundër organit të akuzës, i vetmi organ që po heton implikimet e sekserit të Ballkanit në Tiranë.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Damir Fazlliç në Rinas, i shoqëruar nga punonjësit e policisë

Brown takon Sejdiun e Thaçin: Mbështetje për Kosovën

20/11/08 20:54:00 | Kryeministri Brown i ka inkurajuar udhëheqësit kosovarë të..

Thaçi nga Anglia: Kosova e vendosur për Eulex me 4 pika

20/11/08 13:10:00 | Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është pjesë e delegacionit..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML