Pogradec-Ishte nisur për në shkollë, kur një gurë i madh e ka goditur duke e lënë të vdekur në vend. 8 vjeçarja nga një fshat malor i Pogradecit, me iniciale L.K. ka gjetur vdekjen në orët e para të mëngjesit, ndërsa policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.
Të dhënat paraprake tregojnë se vogëlushja, nxënëse e klasës së dytë ishte nisur nga shtëpia në fshatin Losnik për në shkollë. Ky është një fshat i thellë në Mokrën e Poshtme, i cili ka pjerrtësi të madhe.
Vajza e vogël është goditur nga guri shkëmbor, që është shkëputur nga mali, teksa po ecte e vetme në rrugë. Sipas policisë, goditja ka qenë fatale duke e lënë të vdekur në vend. Guri me diametër 50 cm e ka goditur në veshkë. Policia në vendngjarje po heton shkaqet, nëse ishte një rënie natyrore apo i shkëputur nga bagëtitë. Apo diçka tjetër që lëvizte në mal.