Tiranë-Kryeprokurorja, Ina Rama ka shfrytëzuar mbledhjen e analizës së punës 9-mujore për të deklaruar se Prokuroria e Përgjithshme si institucion i pavarur është e vendosur në luftimin e krimit të organizuar dhe atij financiar. Madje ajo ka guxuar të ftojë për bashkëpunim edhe ministritë e linjës dhe gjykatat. “Përpara se të analizojmë punën e secilit rreth gjyqësor e shoh të nevojshme të ndalem tek vizioni i prokurorisë për punën në të ardhmen”, tha Rama, ndërsa shtoi se “vëmendja juaj duhet të përqendrohet në goditjen me rreptësi të krimit të organizuar dhe krimit finanaciar. Në këtë luftë duhet të hyjmë me guxim edhe gjykata dhe institucione të tjera qeverisëse, nga bashkëpunimi me të cilat do të arrinim sukses”, shtoi Kryeprokurorja.
“Gjatë deklaratës për median, ajo tha se “bazuar në Kushtetuën e Shqipërisë, organi i Prokurorisë ka për të detyrë të ngrejë ndjekje penale dhe përfaqësojë akuzën në gjykatë, në këtë sens detyra jonë është që askush të mos ndëshkohet nëse nuk ka kryer një vepër penale dhe në të kundërt askush të mos shtëpojë nëse vertetohet se ka shkelur ligjet e shtetit. Detyra e Prokurorisë është vënia përpara përgjegjësisë penale të shkelësve të ligjit”.
Të gjithë sëbashku jemi prokurorë sepse kemi zgjedhur vetë të jemi të tillë ndaj duhet të përballojnë çdo pengesë në të cilën hasemi në ushtrimin e profesionit tonë. Momenti në të cilin kalon vendi ynë është shumë i rëndësishëm. Janë zhvillime historike për anëtarësin në strukturat europiane ndaj fokusimi i mirë është thelbësor. Për të gjitha këto motive, ushtrimi i detyrës së ndjekjes penale është jo vetëm detyrim ligjor por edhe jetik për vendin tonë.
Ina Rama mblodhi sot prokurorët e të gjitha rretheve gjyqësore për të raportuar mbi punën 9-mujore të secilit rreth si dhe për parashtrimin e detyrave për muajt në vijim. Deklaratat e saj bëhen në kohën kur ministri i Brendshëm kërkon ndjekje penale për dy prokurorë që po hetojnë dosjen e Damir Fazllic, biznesmeni, mik i Kryeministrit. Po kështu dy ditë më parë Ministria e Drejtësisë dërgoi ekip kontrolli në Prokurorinë e Tiranës dhe kërkoi sekuestrim të dosjes “Fazllic”.