Tiranë - Të vjedhësh të dhënat në softwear apo website tani është vepër penale. Haker-at do të dënohen nga 3-15 vjet sipas llojit të shkeljes që kanë bërë. Kështu ka vendosur sot Komisioni Parlamentar i Ligjeve i cili i tha votën ndryshimeve në Kodin Penal të propozuara nga Ministria e Drejtësisë.
Këto ndryshime ligjore do të kalojnë për votim në seancë parlamentare dhe parashikojnë një mbrojtje të lartë të gjithë institucioneve shtetërore dhe private që shpeshherë kanë rënë në rrjetën e piratëve të sistemeve kompjuterike. Nenet e reja të Kodit Penal parashikojnë dënimin e personave që keqpërdorin sisteme dhe të dhëna kompjuterike ose siç quhen ndryshe krimet kibernetike.
Masa e dënimit është në varësi të informacionit që dëmtohet apo keqpërdoret. Përbën vepër penale akti i keqpërdorimit të të dhënave dhe ofrimi i materialeve të gjenocidit, të ksenofobisë, etj. Po kështu vepër penale përbën edhe përgjimi i paligjshëm me mjete teknike i transmetimeve jopublike dhe i të dhënave kompjuterike. Për këto shkelësit dënohen nga 3- 7 vjet.
Në rastin kur kemi të bëjmë me sisteme kompjuterike ushtarake, që cënojnë sigurinë kombëtare apo të rendit publik, masë e dënimi e parashikuar në ligj është nga 7 deri në 15 vjet. Masë më e vogël dënimi jepet për ata persona që hyjnë në mënyrë të paautorizuar në një sistem kompjuterik, vepër e cila dënohet me 3 vjet deri në 10 vjet. Ndërsa prodhimi, shitja dhe dhënia në përdorim e programeve kompjuterike, kodeve apo fjalëkalimeve, përbën sigurisht një vepër penale dhe dënohet me 6 muaj deri në 5 vjet heqje lirie.
Nenet për krimin kibernetik do të futen në Kodin Penal pas adaptimit dhe përshtatjes që i bëri Ministria e Drejtësisë ligjeve të vendeve europiane.