Korçë- Prokurori i Korçës, Përparim Vukaj, ka deklaruar sot para medias se “Kosta Trebiçka vdiq aksidentalisht”. Prokuroria ka mbërritur në këtë përfundim pas shqyrtimit te dëshmitarëve okularë në vendngjarje, nga ekspertiza e trupit të pajetë dhe e automjetit të Trebickës. Prokurori i rrethit qjyqësor Korçë e deklaroi të mbyllur dosjen Trebiçka dhe u shpreh se është e drejta e familjarëve të bëjnë denoncime nëse kanë dyshime.
Prokurori gjatë konferencës për shtyp ka shpërndarë edhe një skicë grafike për të ilustruar skemën e rindërtuar të ngjarjes. Sipas tij grupi hetimor dhe prokuroria kanë dalë në konkluzionin se gjithçka ka qenë aksidentale.
“Për këtë çështje nuk akuzohet njeri”, tha ai. Ndërsa sqaroi se “automjeti po lëvizte në aksin Voskopojë-Lekas dhe për shkak të një kthese të fortë ka bërë disa rrotullime. Si pasojë e saltrove ai ka dalë nga automjeti dhe ka rënë në rrugë.
Dëshmitari kyç për tragjedinë e Gërdecit, denoncuesi i aferave dhe trafikut të armëve humbi jetën në 12 shtator. Ngjarja u pasua me debate të shumta për aksidentin, në të cilin humbi jetën biznesmeni.
Raporti i ekspertit amerikan, thirrur nga prokuroria për ekspertizën e ngjarjes konkludoi se vdekja ishte pasojë e aksidentit. “Makina ishte batuar në një kthesë të fortë, duke rënë mbi viktimën, e për pasojë i shkaktoi humbjen e jetës”- thuhet në raport. Por një përfundim i tillë u pa gjithsesi me dyshime.
Vetëm pak ditë më parë, NY Times, në një artikull të gjatë pasqyronte dyshimet rreth vdekjes së denoncuesit të trafikut të armëve, duke shtuar se pas kësaj, populli nuk ka më besim në autoritetet e drejtësisë.