Shtune, 04 Korrik 2009 12:16:05

Lexoni versionin Print

Alibeaj: Unë kam bërë ligjet e Gërdecit

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka pranuar dje se grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit ka “zbarkuar” në zyrën e tij për të sekuestruar dokumentet që mendohet se implikojnë atë dhe paraardhësin e tij Bumçi në këtë aferë.

E.Janina/Revista MAPO
Diel, 02 Nentor 2008 07:50:00

Ministri i Drejtësisë komenton akuzat për implikim në tragjedinë e marsit. “S’besoj që Bumçi të ketë gabuar me shkresat”

“Kam lejuar prokurorët që të sekuestrojnë dokumentet e arkivit për kohën kur drejtonte Bumçi”

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka pranuar dje se grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit ka “zbarkuar” në zyrën e tij për të sekuestruar dokumentet që mendohet se implikojnë atë dhe paraardhësin e tij Bumçi në këtë aferë.

Burime të prokurorisë kanë shpjeguar se grupi i prokurorëve që po heton tragjedinë ka përfshirë në dosje edhe praktiken e hartimit të projektligjit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe kabinetit të kryeministrit, i cili i hapi rrugë përfshirjes se kompanive private në biznesin e demontimit të municioneve dhe tregtisë së armëve.

Vetë ministri ka pranuar dje se ka ndihmuar në bërjen e ligjeve që krijuan Gërdecin. Madje ai ka shpjeguar me krenari që legjislacioni kishte mangësi dhe ishte ai që këshilloi të krijoheshin ato ligje.

Oficerët e policisë gjyqësore kanë shkuar në zyrën e Alibeajt dhe kanë kërkuar “leje” për të sekuestruar disa dokumente që ndodheshin në arkiv. “Mund t'ju them që oficerë të policisë gjyqësore janë pritur në Ministrinë e Drejtësisë në kryerje të detyrës se tyre. Atyre u janë krijuar kushtet për të kontrolluar praktikën, arkivën e Ministrisë”, u shpreh dje ministri Alibeaj.

Ndër dokumentet që janë sekuestruar në arkivën e ministrisë ndodhen edhe materialet e dyshimta të ish- ministrit Bumçi. Opozita ka raportuar në parlament se në këtë çështje është i lidhur ngushtë edhe djali i kryeministrit Shkëlzen Berisha. Deputetët e majtë kanë pohuar ekzistencën e një shkrese të sekuestruar nga prokuroria ku ministri i atëhershëm Bumçi shënonte në anë të faqes se ky projektligj duhej kaluar menjëherë se ishte me porosi të Shkëlzen Berishës.

Vetë Bumçi ka reaguar në lidhje me këtë çështje duke thënë se kjo nuk është aspak e vërtetë. Ai ka shpjeguar se shkrimi në anë të dokumentit që është dërguar më pas me faks nuk është i tiji. Por kjo pritet që të zbardhet nga hetimet e mëtejshme të prokurorisë, e cila ka në plan të vërtetojë kaligrafinë për të zbuluar autorin e shënimit.

Një tjetër pikëpyetje e madhe e kësaj çështjeje është edhe fakti përse duhet të ishte implikuar djali i kryeministrit Berisha në këtë çështje. Shkëlzen Berisha zyrtarisht në atë kohë nuk ka pasur asnjë funksion shtetëror dhe nuk kishte përse të informohej në lidhje me ligjet që do të mundësonin Gërdecin. Edhe ky është një detaj që pritet të zbardhet nga hetimet e prokurorisë.

I pyetur dje nga mediat në lidhje me këtë çështje vetë Alibeaj është përgjigjur me krenari se ka bërë detyrën e tij si jurist dhe nëse do të kishte mundësinë, ai do të krijonte edhe një herë Gërdecin. “Me modesti mund të pranoj që jam një jurist, i cili nuk pranon të ketë dhënë mendime të gabuara në këtë rast. Sepse në këtë rast puna që është bërë është serioze. Më kujtohet legjislacioni në atë rast ka pasur mangësi, ka pasur vakuume që të duhet të plotësoheshin.

Veprimtaria e një shtetit duhet të ndërtohet mbi baza ligjore. Jo nuk besoj se kam gabuar, do të jepja sërish të njëjtën këshillë”,- tha ministri i Drejtësisë. Në lidhje me faktin që duhet të dëshmojë në prokurori në lidhje me e-mail-et që ai ka shkëmbyer me specialistë të të Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me Gërdecin, Alibeaj është përgjigjur se është tepër i gatshëm të kryejë këtë gjë. “Jam i çuditur që më bën një pyetje të tillë, se a do të shkoj unë ose jo?!.

Kjo është një çështje që nuk duhet të diskutohet, as për një qytetar të thjeshtë e aq më tepër për një qytetar, i cili është në detyrën e Ministrit të Drejtësisë. Çdokush në këtë shtet, i cili pretendon të jetë nën mbretërinë e ligjit është jo vetëm i detyruar, por duhet të ofrohet për të dhënë sqarime ndaj çdo lloj procedure hetimore që mund të bëhej”,- tha ministri Alibeaj në lidhje me dëshminë në prokurori.


“Është raportim për punën e Ministrisë së Drejtësisë në funksion të inspektimeve dhe kontrolleve që kryen”

Ministria nuk tërhiqet nga raporti për prokurorinë

TIRANË- Gjatë komunikimit të djeshëm me mediat, ministri Alibeaj ka komentuar edhe përplasjet e fundit mes tij dhe prokurorisë për ligjin e ri. “Duhet keni parasysh që ky është një ligj që ju thoni se ka pasur përplasje, në të vërtetë nuk janë përplasje individësh, nuk janë përplasje mes ministrit dhe Prokurorit, midis ministrit të Drejtësisë apo përfaqësuesve ndërkombëtar, jo.

Përplasje ka pasur për arsyet dhe idetë dhe për konceptet që një ligj i tillë duhet të ketë dhe unë besoj që kemi arritur në masën më të madhe të zgjidhim në mënyrë të arsyeshme çështje konkrete konceptuale që një ligj i tillë do të duhet të përmbante që kohë më parë”,- tha ministri Alibeaj. Sipas tij, është triumf fakti që nuk është i ministrit të Drejtësisë, nuk është i Prokurorit të Përgjithshëm, nuk është i asistentëve ndërkombëtar por edhe triumf i arsyes dhe i konceptit të respektit të qytetarëve, që çdo institucion, ashtu edhe prokuroria duhet të ketë.

Në lidhje me nenin ku Ministria e Drejtësisë ka të drejtë të kontrollojë punën e prokurorisë dhe të raportojë mbi të në kuvend. Alibeaj është përgjigjur se kjo është një pikë nga e cila nuk do të tërhiqet. “Pa bërë edhe ndonjë zbulim të draftit, apo të konceptit mbi të cilin do të duhet të plazmohet ligji. Prokurori i përgjithshëm bën sot një informim, do të duhet të bëjë edhe një raportim në bazë të ndryshime Kushtetuese.

Ministri i Drejtësisë duhet të bëjë edhe ai një raportim mbi punën e vet. Është raportim për punën e Ministrisë së Drejtësisë në funksion të inspektimeve dhe kontrolleve që kryen. Jemi republikë parlamentare dhe është parlamenti organi kryesor nga i cili burojnë të gjitha pushtetet që do të thotë që parlamenti është sovrani dhe Ministri i Drejtësisë duhet të marrë përgjegjësinë për të raportuar para këtij organi. Është detyrim, është sfidë, është përgjegjësi, është koncepti i kontrollit dhe balancës”,- tha Alibeaj.


Marrëdhëniet me Ina Ramën

As mikeshë dhe kolege. Kam njohje. Marrëdhëniet tona personale janë ato që kanë qenë më parë. Nuk ka asnjë lloj ngrirje dhe asnjë lloj shkrirje në marrëdhëniet me Prokuroren. Ju duhet të dini që marrëdhëniet jo vetëm personale por institucionale të Ministrisë së Drejtësisë me Prokurorinë janë të përditshme dhe intensive.

Për atë pjesë që i përket Ministrisë së Drejtësisë, marrëdhëniet ndërgjyqësore me jashtë pra, që kanë lidhje të drejtpërsëdrejti institucionale, mund të themi që janë marrëdhënie vërtet të kënaqshme.


Ministri ka “tradhtuar” shefin e tij Berisha, i cili ka deklaruar se nuk kishte asnjë dijeni për Gërdecin

Alibeaj, ky ministër gënjeshtar

Ministri i drejtësisë pranon përfshirjen e tij në hartimin e akteve që paraprinë Gërdecin. Por në asnjë rresht të rregullores së veprimtarisë së departamentit që ai drejtonte dikur, nuk i jepet e drejta që të merret me një punë të tillë. Ministri mes Shilës dhe Karibdës, ose gënjen, ose vë nën akuzë direkte për përfshirje në tragjedi eprorin e tij të drejtpërdrejtë, kryeministrin Berisha. MAPO zbulon dokumentin e radhës.

Pas dy javësh heshtjeje, i vënë nën akuzë konkrete, ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj mbrohet duke gënjyer. Në një intervistë të dhënë për BBC, ai mundohet të anashkalojë akuzat direkte se është njëri nga autorët e gjithë akteve juridike që paraprinë tragjedinë e Gërdecit, duke komentuar se sulme të tilla i vijnë nga një shtyp i pozicionuar qartësisht majtas.

Dhe më pas vazhdon edhe më tej, kësaj radhe duke gënjyer hapur dhe qartësisht se detyra e mëparshme që ka mbajtur, e ka detyruar që të ndiqte dhe një komponent legjislativ: “...atje ku konstatoheshin që kishte mangësi të akteve ligjore apo vakum ligjor, që duhet të rregullojnë një shtet ligjor, një shtet që vepron nën ombrellen e ligjit, do të duhej të jepte këshillime juridike, kjo ka ndodhur jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë raste të tjera, gjithmonë në fokusin për të parë që procedurat ligjore apo nënligjore lejonin shtigje hipotetike per veprimtari korruptive”. Nuk mohon pjesëmarrjen e tij në procesin e hartimit të ligjeve për Gërdecin, por shton se një gjë të tillë e ka bërë edhe në shumë raste të tjera.

Nga ky pohim i llojit, rregullova vetullat, por nxora sytë, Alibeaj konsumon dy gafa të jashtëzakonshme: E para askund në rregulloren e veprimtarisë së departamentit që drejtonte nuk i jepet e drejta për të shkruar ligje dhe e dyta, e gjithë veprimtaria e tij detyrimisht duhej t´i raportohej eprorit të tij direkt, kryeministrit Sali Berisha.

Çka e nxjerr Alibeajn ballë për ballë pikërisht me të: e ka vënë në dijeni kryeministrin për punën që bënte, ndërkohë që ky i fundit, jo vetëm një herë, mbrohet nga akuzat ndaj tij duke pretenduar se nuk dinte asgjë për Gërdecin? Mes Shilës dhe Karibdës, Alibeaj ndodhet tani në mes të kërkesës që pritet të zyrtarizohet nga Prokuroria për t´u marrë në pyetje dhe mërisë së kryeministrit të cilit ai po i shemb alibinë shumë mujore, nuk isha aty, nuk dija gjë!

Dokumenti i radhës, VKM e shkurtit 2006

MAPO ka siguruar vendimin e qeverisë shqiptare të datës 15 shkurt 2006, me numër 94, i cili në asnjë rresht të tillë, nuk i jep të drejtë drejtuesit të departamentit të ndërhyjë, në të gjitha rrethanat, në procesin e shkrimit dhe hartimit të ligjeve. Ky vendim, natyrisht është i firmosur nga kryeministri Sali Berisha. Ai është një rregullore për funksionin dhe procedurat e kontrollit të brendshëm administrativ dhe antikorrupsion të këshillit të ministrave. Ka 23 nene.

Sipas kësaj rregulloreje, misioni i departamentit është “...të kryejë verifikimin (hetimin administrativ) e zbatimit të ligjshmërisë dhe/ose kallëzimeve për praktika abuzive, korruptive a arbitrare, të identifikojë punonjësit e administratës publike, të cilët me veprime apo mosveprime, kanë kryer shkelje të akteve ligjore/nënligjore në fuqi, të përgatisë rekomandime për çështjet përfshi dhe llojet e masave ndaj autorëve si dhe të ndërgjegjësojë institucionet publike në luftë kundër korrupsionit”.

Rregullorja i jep të drejtë departamentit të kontrollojë të gjitha ministritë, institucionet qendrore në varësi të kryeministrit a ministrave, administratës së prefektëve si dhe shoqëritë tregtare me kapital pjesërisht a tërësisht shtetëror. Departamenti ka të drejtën – gjithmonë sipas të njëjtës rregullore – të ekzaminojë praktikat dhe procedurat e punës për identifikimin, zvogëlimin dhe parandalimin e mundësive për korrupsion, të verifikojë ligjshmërinë e akteve administrative, dhe të bëjë propozime pranë kryeministrit të masave për çështjet e shqyrtuara. I vetmi shërbim këshillimi që mund të bënte departamenti, është ai për seminare me nëpunës civilë dhe ky, madje, në bashkëpunim me departamentin e shërbimit civil.

Ky fakt – të bëjë propozime përpara kryeministrit – e ndalon Alibeajn e djeshëm që të legjitimojë punën e tij përballë këshilltarit juridik të ish-ministrit të Mbrojtjes dhe ta “këshillojë” atë. Gjithë pjesa tjetër e rregullores kodifikon procedurën e kontrollit që mund të ushtrojë ky departament.

Mbrotja evazive direkt godet kryeministrin

Vetëm neni i fundit i rregullores, me një gjykim të sforcuar, mund të krijojë një hapësirë për përfshirjen e ish-luftëtarit legal antikorrupsion në çështjen e Gërdecit. Neni 23 qartëson se nëse mbas një akti kontrolli vërehen se “vendimet, urdhërat... nuk përputhen me aktet ligjore në fuqi... në aktkontroll përfshihet dhe rekomandimi për shfuqizimin e tyre... Rekomandimi i dërgohet kryeministrit”.

Alibeaj duhet të saktësojë nëse ka bërë një kontroll të tillë në Ministrinë e Mbrojtjes – gjithmonë të lidhur me çështjen e Gërdecit - dhe nëse ka pasur probleme në këtë dikaster dhe nëse i ka raportuar një gjë të tillë kryeministrit. Duke marrë parasysh në një rast të tillë edhe faktin se në këtë mënyrë, përfshin direkt Berishën në çështjen e Gërdecit.

Kjo rregullore që përcakton se kur vihen re probleme në akte ligjore, “relacioni i rekomandon kryeministrit nevojën për ndryshime së bashku me sugjerimet për ndryshime në aktet përkatëse”. Formuluar në këtë mënyrë, gjithashtu, në asnjë rrethanë nuk legjitimohet përfshirja e zotit Alibeaj në shkrimin dhe hartimin e legjislacionit që mundësoi shpërthimin kriminal të Gërdecit.


Ministri i Drejtësisë konsultonte zyrtarët e Mbrojtjes se si duhet të krijonin bazën ligjore të tragjedisë së 15 marsit

E-mail- et që lidhin Alibeajn me Gërdecin

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, është implikuar në tragjedipasi ai është autori i hartimit dhe drejtimit të procesit ligjor që çoi në përgatitjen e Gërdecit. Pa asnjë lidhje funksionale me Forcat e Armatosura, Alibeaj konsulton zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe u bën mbledhje në zyrën e tij të dikurshme në Këshillin e Ministrave, ku drejtonte departamentin antikorrupsion. Ish-këshilltari juridik i Mediut pyetet në Prokurori pikërisht për këto lidhje.

Ekziston një korrespondencë e plotë elektronike dhe një numër i pacaktuar ende takimesh me protagonist Enkelejd Alibeajn dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes. Ato janë zhvilluar në kryeministri në periudhën që nis me dhjetorin e vitit 2006 dhe janë intesifikuar jashtëzakonisht në muajt e parë të vitit 2007.

Në këto e-mail-e, një pjesë e të cilave tashmë ndodhen në dosjen voluminoze të akuzës, me gjithë gabimet e shumta drejtshkrimore, Alibeaj afronte asistencë juridike dhe zgjidhje për problemin se çfarë duhej bërë me armët, teknikën dhe pajisjet që dilnin nga përdorimi dhe që ishin pronë e Forcave të Armatosura. Kryesisht marrësi i tyre ishte Plarent Ruka, këshilltari juridik i ministrit të mbrojtjes, me adresë plarentruka@yahoo.com.

Ishte koha kur kompania amerikane SAC kishte kërkuar të kryente demontimin e fishekëve dhe Ministria e Mbrojtjes ishte gati t´ia afronte një punë të tillë me prokurim të drejtpërdrejtë. Fillimisht u vu re se mungonte baza ligjore për ta kryer një veprim të tillë dhe këtu hyn në lojë vetë Alibeaj.

Mbas disa takimeve radhazi në zyrën e tij në Këshillin e Ministrave, ai i drejton në 22 janar 2007 një e-mail këshilltarit juridik të Mediut. Ai bashkëngjit një “relacion mbi situatën juridike dhe mundësitë ligjore për implementimin e një marrëdhënieje kontraktore të drejtpërdrejtë për rastin konkret”. Bëhet fjalë pikërisht për mënyrën sesi duhej të sillej shteti shqiptar dhe si duhej të lejonte ai nisjen e aktivitetit të SAC-ut, që më pas do të niste bashkëpunimin me Albademil-in e Mihal Delijorgjit, biznesmeni tashmë i arrestuar për tragjedinë e Gërdecit.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Ministri i Drejtësisë Alibeaj dhe kryeministri Berisha

Maqedoni, liderët e partive në takim për zgjedhjet e marsit

09/01/09 08:22:00 | Katër partitë më të mëdha politike në Maqedoni sot do të..

Një termet 4.5 ballë bie në Maqedoni, ndjehet edhe në Tiranë. S’ka dëme

08/01/09 17:17:00 | Një tërmet me fuqi rreth 4,5 ballë sipas shkallës Rihter goditi..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML