Tiranë- Buxhet të gënjeshtërt me shifra zyrtare të manipuluara e ka quajtur sot nënsekretari i PS-së për programin, Evrin Bushati, buxhetin e vitit 2009. Gjatë një deklarate për shtyp, nga selia rozë, ai ka akuzuar qeverinë për manipulim të qëllimshëm me shifrat e buxhetit.
“E vërteta është se në rast se gjatë mandatit të kësaj qeverie të ardhurat do të ishin rritur 2 herë, atëherë çdo familje shqiptare: do të mund të blinte 2 herë më shumë ushqime; do të mund të blinte 2 herë më shumë veshmbathje; do të mund të blinte 2 herë më shumë mallra konsumi. Por shqiptarët e dinë që kjo nuk është e vërtetë, sepse të gjithë jemi dëshmitarë se sa ka rënë fuqia blerëse në çdo familje”- tha ai.
Qeveria Berisha, sipas Bushatit gënjen me shifrat zyrtare që në paragrafin e parë të Projekt Buxhetit 2009, kur deklaron se mirëqenia ekonomike e shqiptarëve është rritur 3 herë gjatë dhjetë viteve të fundit. Ai ka theksuar se qeveria manipulon me shifrat zyrtare, pasi me vetëdije nuk llogarit rënien e vlerës së dollarit në këtë periudhë.
Ai e ka quajtur manipulim të pastër matematik strategjinë e shpalosur nga PD: ashtu si është ndërtuar e gjithë fushata e manipulimit të opinionit mbi nivelin e jetesës në vend.
“Përsëri, nën këtë qeverisje, menaxhimi i keq dhe shpërdorimi i fondeve publike me projekte të dështuara, bën dhe më të vështirë jetën e çdo qytetari shqiptar sot: vështirësi ekonomike që rëndojnë me çmime më të larta dhe të ardhura më të ulëta për çdo familje shqiptare”- tha Bushati.
Në përfundim të deklaratës së tij ai ka garantuar se programi i ri i Partisë Socialiste do të ketë prioritet një zhvillim të balancuar të ekonomisë që të shpërndajë mirëqenien për të gjithë qytetarët e këtij shteti, dhe jo vetëm për njerëzit pranë pushtetit.