Vlorë- Pa u shuar zhurma e shpërthimit të një automjeti në lagjen “28 nëntori” dy netë më parë, një tjetër automjet është përfshirë nga flakët, këtë herë në lagjen “Uji i ftohtë”.
Duket se persona të caktuar kanë gjetur metoda të tilla për të transmetuar sinjale paralajmëruese, duke zgjedhur pikërisht djegjen e automjetit. Sic bëjnë me dije burime zyrtare nga policia në lagjen “Uji i Ftohtë”, nga persona të paidentifikuar është djegur goma e pasme e një automjeti. Flaka i është vënë mjetit tip Fiat Punto me targa VL 5075 C, pronë e shtetasit Viktor Kulaj, 46 vjeç, banor po në këtë lagje.
Mjeti mësohet të jetë parkuar pranë banesës së tij. Grupi hetimor në vendngjarje konstatoi se në afërsi të mjetit është gjetur një bidon 1.5 litërsh me benzinë. Objekti i gjetur pranë mjetit u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Pronari i mjetit nuk ka ditur të japë më shumë shpjegime për ngjarjen, pasi ka qenë në kushtet e padijes për agresorët, apo edhe persona që mund të kishin konflikte me të. Aktualisht vepra është dokumentuar për shkatërrimin e pronës me zjarr, dokumentacionet për të cilën i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Vlorës.