Tiranë- Gjen zgjidhje problemi i shumë debatuar i varrezave të ushtarëve grekë të rënë në vendin tonë gjatë viteve 1940-1941. Tirana zyrtare dhe Athina kanë firmosur së fundi një marrëveshje që i jep zgjidhje këtij diskutimi.
Lajmin e ka dhënë në fillimi kryediplomatja greke, Dora Bakojanis në mediat greke, e pas saj Ministria jonë e Jashtme ka nxjerrë një deklaratë për shtyp ku njofton nënëshkrimin e marrëveshjes mes dy qeverive.
“Më 19.11.2008, në Tiranë u siglua marrëveshja midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Republikës së Greqisë lidhur me vendprehjen e ushtarakëve grekë të rënë në Shqipëri, gjatë luftës italo-greke të viteve 1940-1941”- thuhet në deklaratën e ministrisë së Punëve të Jashtme.
Sipas saj, ka qenë fryma e bashkëpunimit të sinqertë e konstruktiv, si dhe e mirëkuptimit të dyanshëm ajo që bëri të mundur zgjidhjen e duhur të një çështjeje të tillë të ndjeshme për të dy vendet tona, siç është ajo e vendprehjes së ushtarakëve grekë.
“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se siglimi i kësaj marrëveshje do t`i kontribuojë thellimit dhe intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve tona mike”- thuhet në deklaratë.
Ndërkohë sipas mediave greke, përpara dy ditësh u zhvillua mbledhja e fundit e komisionit të përbashkët të ekspertëve, që saktësoi pikat e marrëveshjes. Sipas saj, numri i varrezave do të mbetet i pandryshueshëm. Ato do të jenë në varrezat ekzistuese të Këlcyrës dhe Gjirokastrës.
Ekzaminimet e eshtrave që do të vendosen do të bëhen nga një grup ekspertësh të ngarkuar posaçërisht për kryerjen e kësaj procedure. Në to do të jenë numër i barabartë anëtarësh nga të dyja palët dhe do të kenë në përbërjen e tyre ekspertëve të mjekësisë ligjore, ushtarakë dhe historianë, që do të merren me administrimin e eshtrave por edhe të elementëve të tjerë që kanë lidhje me zbardhjen e fakteve historike.
Skeletet që do të nxirren do të fotografohen dhe dosja do të mbahet në dy kopje e protokolluar nga të dy palët. Varrezat do të administrohen nga Kisha ortodokse shqiptare, por vetëm në aspektin humanitar të tyre.