Tiranë- Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka deklaruar se do paraqese propozimet për projekt buxhetin e vitit 2009, duke e konsideruar atë që është hartuar nga qeveria, një projekt rrënues. Kryetarja e grupit socialist, Valentina Leskaj ka numëruar të gjitha dështimet e qeverisë dhe ka deklaruar se socialistët do të paraqesin propozimet e tyre lidhur me buxhetin, edhe pse nuk kanë ndonjë besim të madh se ato do të merren parasysh.
“Në vitin 2005 u premtua një qeverisje në shërbim të njerëzve dhe u ofrua një qeverisje në shërbim të vetvetes, u premtua mirëqenie dhe u rrit vetëm mirëqenia e një grushti njerëzish të kupolës qeveritare, u premtua luftë kundër varfërisë dhe varfëria ka fytyrën e të mjerëve që mbyten në tentativë për të emigruar jashtë apo marrin bukën me listë si ndodhi në Ksamil, u premtua se do të mbështetej prokuroria në luftë kundër krimit dhe u luftua kundër prokurorisë”- tha Leskaj.
Ajo ka kujtuar premtimet e Berishës, nga zhdukja e korrupsionit deri tek një cilësi jete që do ta kishin zili edhe vendet e zhvilluara. Përkundër kësaj, ajo ka përmbledhur me dy fjalë: deti vazhdon të jetë po aq i kripur sa më parë, çezmat e ujit po aq të thata, kurse korrupsioni i djeshëm është shumëfishuargjendja e shqiptarëve më keq se c’ka qenë.
Qeveria sipas saj, ka shkelur kontratën me shqiptarët, për sa kohë që nuk u ofroi ato që u premtoi kur ju kërkoi votën dhe këtë e provon më së miri ky buxhet, i fundit i kësaj qeverie.
“Do mjaftonte vetëm Gërdeci për ta provuar shkeljen e kontratës me qytetarët, për luftën ndaj krimit e korrupsionit po për fat të keq lista e skandaleve është shumë e gjatë.
Ky Kryeministër ka akuzuar qeverinë e mëparshme për 1.4 miliardë lek shkelje. Kontrolli lartë i shtetit thotë se kjo qeveri kaabuzuar 2.7 miliardë”- tha Leskaj, duke shtuar më tej se në cdo tre tendera, dy rezultojnë me shkelje. Mjafton kjo shifër për të thënë se korrupsioni nuk është ulur po dyfishuar.
Sipas saj, po të ishte shmangur abuzimi i 2.7 miliard lekëve, rritja e pensioneve të qytetit dhe fshatit mund të ishte dyfishuar( të paktën do rriteshin respektivisht 20 dhe 30 %); mund të ndërtoheshin e pajiseshin 35 qendra shëndetësore në komuna.
Leskaj ka sjellë në kujtesë deklaratën e Fondit Monetar, i cili para dy javësh tha se qeveria i është larguar prioriteteve dhe buxheti i hartuar sipas saj e dëshmon këtë. Pasi
shëndetësia sot është katastrofa e vërtetë e kësaj qeverisje dhe me buxhetin e ri mbetet te 2.1% e PBB. Vetëm 2.1 lek në 100 lek. “Qeveria solli Ministre të re po nuk i dha buxhet. Kjo është shifra më e ulët në rajon që do të thotë se në se sot shqiptarët shkojnë në spitale me ilace e batanije me vete, nesër s’do kenë as krevat”- tha ajo.
Buxheti social i vitit 2009, sipas saj, zë në PBB, 2% më pak se sa zinte në vitin 2005 (23.62% nga 25.22%), ndërkohë që ka shtuar se qeveria ka harruar fshatin dhe fëmijët. “Jeni ndofta e vetmja qeveri që nuk keni një paketë serioze antikrizë kur kriza ka trokitur në derë dhe gjithë bota është e shqetësuar dhe kjo është papërgjegjshmëri në qeverisje”- tha ajo. Leskaj ka deklaruar se Grupi parlamentar i PS, do paraqesë propozimet edhe pse nuk ka ndonjë shpresë që këta mund të reflektojnë.
E vetmja shpresë, i vetmi shpëtim për vendin, sipas saj është largimi i kësaj qeverisje.